Apolonia akord me ish-lojtarin e Parmës, administratori Bregu: Ju tregoj çelësin e suksesit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 7, 2020 | 22:50

Apolonia akord me ish-lojtarin e Parmës, administratori Bregu: Ju tregoj çelësin e suksesit

Prej 3 vitesh Olsi Bregu është administrator i FK Apolonisë, ndërsa sezoni i sivjetshëm ka qenë kulmimi i fierakëve në të gjitha kompeticionet ku kanë marrë pjesë skuadrat e këtij klubi. Administratori Bregu tregon filozofinë mbi të cilën funksionon klubi, strategjitë dhe politikat afatmesme e afatgjata të fierakëve, ndërkohë për sa i përket merkatos, zbulon se Apolonia është pranë marrëveshjes me një ish-lojtar të Serisë A, i cili ka qenë pjesë e Parmës.

apolonia-lushnja

Bregu, ky sezon është shoqëruar me arritje si kurrë më parë për klubin tuaj…

Ishin të pritshme dhe në koherencë logjike me dinamikën e filozofisë sonë në kaq vjet. Skuadrat tona kanë qenë “zërat” kryesorë të kompeticioneve, duke u shpallur kampione ose nënkampione, e kjo është shpërblim i një pune të mirorganizuar në vitet e fundit. Apolonia i ka mëshuar një politike të qartë, ku fokusin kryesor e ka pasur te të rinjtë e talentuar dhe të perspektivës. Klubi ynë nuk ka menduar sot për sot apo për të nesërmen e afërt, por për një të ardhme shumë më afatgjatë dhe mbi këtë ide kemi ndërtuar akademinë më të mirë në vend, ku zbulohen talentet, afrohen pranë ekipeve të moshave, stërviten, përpunohet talenti i tyre, rriten, forcohen, bëhen pjesë e ekipit të parë dhe prej andej janë të gatshëm për t’u bërë pjesë e çdo skuadre brenda dhe jashtë Shqipërisë. Pra, Apolonia po krijon një model unik në këtë drejtim, si një “shkollë” e re sportive, duke shërbyer jo vetëm për futbollin e Fierit, por edhe më gjerë.

Çfarë ka ndryshuar tek Apolonia gjatë këtyre 3 viteve që ju jeni administrator?

Nuk jam ndër tipat që them se erdha unë e ndodhi ndryshimi. E theksoj se trendi pozitiv dhe arritjet e këtij sezoni kanë qenë në logjikë të plotë të politikave të klubit, nisur më së paku përpara 5 vjetësh. Me kalimin e kohës dhe në 3 vitet e fundit, mund të them se ka pasur më tepër angazhime, harmoni dhe frymë bashkëpunimi nga të gjithë faktorët. Apolonia, si çdo klub, ka hierarkinë e vet, por te ne ka frymë kolegjiale. Rrihen mendimet, diskutohen, debatohet, piqen, merren vendime të dakordësuara dhe pastaj të gjithë organizohemi për të dhënë maksimumin. Unë jam një ndër hallkat e këtij zinxhiri, as më pak e as më shumë.

Fituesi nuk gjykohet, por analizohet. Përballë një Apolonie rinore, pati rivalë me shumë eksperiencë. Ku i shihni përparësitë e suksesit të skuadrës suaj?

Për hir të së vërtetës, përparësitë nuk i shoh vetëm tek ekipi i parë, por edhe te kontributi që kanë dhënë të rinjtë. Ana fizike jona ka qenë dominante ndaj çdo kundërshtari, duke nisur që nga U-13 e gjer tek ekipi i parë. Kjo ka ardhur nga niveli i lartë i stërvitjes që lojtarët kanë pasur në tërësi dhe nga puna e mirë që ka bërë stafi teknik me trajnerin Mërgjyshi në krye. Gjithashtu, këta faktorë janë shoqëruar dhe me ambicien, dëshirën dhe urinë e lojtarëve për sukses. Çfarë mësimesh keni nxjerrë nga ky sezon? Mendoj se merkatoja ka qenë një çështje ku ne duhet të kishim bërë më mirë në përzgjedhjen dhe seleksionimin e lojtarëve. Gabuam, por kemi marrë mësimin e duhur dhe këtë vit do të jemi më të vëmendshëm, për të mos krijuar sërish të njëjtin çedim.

Apolonia-Besa

Çfarë po ndodh me merkaton e Apolonisë konkretisht? Le t’ia nisim me kërkesat ndaj lojtarëve tuaj. Ka pasur oferta konkrete?

Oferta ka pasur për pjesën dërrmuese të lojtarëve, rreth 7-8 nga futbollistët tanë, madje edhe për ndonjë nga të rinjtë tanë që është aktivizuar shumë pak me ekipin e parë. Por ne besojmë që me prurjet e reja nga moshat tona dhe përforcimet që do të bëjmë, këto talente do të rriten më të sigurta. Apolonia është trampolina e duhur që këta lojtarë të kenë një të ardhme të suksesshme. Ne mirëpresim çdo ofertë, por them se Apolonia është mundësia më e mirë për këta lojtarë.

Po për përforcimet?

Deri tani vetëm Ndraxhi… Ne po punojmë me disa menaxherë njëkohësisht dhe po studiojmë shumë lojtarë nga të gjitha tregjet, që nga Brazili, në Afrikë, Europë e Ballkan, pa harruar edhe lojtarë të tregut tonë. Nga java që vjen do të jemi më konkretë. Ne kemi një specifikë për lojtarët që na serviren, pasi kandidaturat shqyrtohen nga një bord i caktuar, që përbëhet nga presidenti, administratori, trajnerët. Përderisa nuk kemi gjë konkrete, unë nuk do të doja të përmendja emra, por po ju them që do të synojmë lojtarë cilësorë dhe jemi drejt konkretizimit të një futbollisti “6”, që ka luajtur dhe në Serinë A me Parmën dhe është huazuar në Belgjikë.

A do të ruhet “tavani” i moshës 23 vjeç?

Dy apo tre lojtarë që bëjnë diferencën, edhe në qofshin mbi 23 vjeç, nuk e cenojnë thelbin dhe esencën e filozofisë sonë.

Bujar Rama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"