Apeli i Rragamit: Vllaznia nuk është për lëmoshë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2015 | 9:37

Apeli i Rragamit: Vllaznia nuk është për lëmoshë

vllazniaRamazan Rragami, një nga emrat më të mëdhenj jo vetëm të futbollit shkodran, por edhe atij Shqiptar, ka folur në lidhje me situatën e vështirë që po kalon skuadra e Vllaznisë. “Të them të drejtën jam sërish i zhgënjyer. Unë nuk gjykoj se faji është i drejtuesve të klubit. Ne kemi një fatkeqësi se i paragjykojmë njerëzit. Njerëzit që kanë dhënë për futbollin shkodran, e meritojnë të jenë në drejtim të klubit, por duan edhe mbështetje. Nuk po përmend emra, por unë e njoh mirë ambientin dhe di të them se Shkodra nuk ka aq shumë drejtues të aftë të sportit. Por unë mendoj se gjërat duhet të ndryshojnë sa më shpejt në të mirë të Vllaznisë”, ka thënë fillimisht Rragami. Këshilli Bashkiak Rragami ka folur edhe për qëndrimin absurd që, sipas tij, ka mbajtur Këshilli Bashkiak i Shkodrës.

“Kam ndjekur disa seanca të Këshillit Bashkiak. Të gjithë mund të thonë se janë dashamirës për ta ndihmuar sportin, por këtë duhet ta tregojnë me vepra. Një ekip futbolli kurrsesi nuk mund të lihet pa rroga, nuk ndodh në asnjë vend të botës kështu t’u heqësh rrogat mujore që këta futbollistë mbajnë familjet e tyre. Përpos kësaj, të shkojë puna deri aty sa një tiranas si Lutfi Nuri t’i paguajë hotelin Vllaznisë, ky është një turp për drejtuesit më të lartë të këtij klubi. Kjo skuadër, me gjithë këtë potencial dashamirësish që ka, nuk ka nevojë për të tilla lëmosha. Unë kurrë s’e kisha pranuar. Të mos keqkuptohem, e vlerësoj dhe e falënderoj z. Nuri, por si drejtues të klubit nuk do të kisha qenë dakord. Më mirë Vllaznia të kishte shkuar me ekipin e të rinjve në Korçë e të kishte humbur, sesa të kërkonte lëmoshë, sepse kjo gjë e ngarkon me shumë përgjegjësi klubin Vllaznia.

Nuk ka ndodhur as mbas Çlirimit të vendit që Vllaznia të udhëtonte brenda ditësh për ndeshje kështu siç i ndodhi tani, prandaj këta këshilltarë duhet t’i qëndrojnë më afër skuadrës”, ka vijuar Rragami. Apeli Mjeshtri shkodran flet gjatë dhe fajëson mënyrën e drejtimit të klubit prej vitesh, por bën edhe një apel. “Ajo që do të them në fund është se ka ardhur koha që seriozisht duhet bërë diçka për Vllazninë. Jo diçka sa për të kaluar radhën, por diçka shumë serioze, sepse këtë gjë e meritojnë ata djem që luajnë sot futboll, e meriton qytetaria e Shkodrës. Ata që drejtojnë sot në Bashki, ndoshta duhet të harxhojnë pak edhe nga koha e tyre, t’i qëndrojnë pranë Vllaznisë. Unë mendoj se po bëhet eksperiment me Vllazninë. Ta lëmë larg politikës këtë emër të madh të futbollit dhe t’ua japim njerëzve të thjeshtë. Kam shumë besim edhe te skuadra aktuale se do të jetë në gjendje të dalë nga situata ku ndodhet aktualisht. Kontingjenti është i mirë, por në rezultatet negative duket se kanë ndikuar problemi i rrogave, i udhëtimeve brenda ditës, i mosmarrëveshjeve mes drejtuesve etj. Këto gjëra duhet të marrin fund sa më parë, natyrisht në të mirë të kësaj skuadre”, ka mbyllur Rragami.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"