Apeli i Mezanit: Ndaj Kamzës duam vazhdimësinë edhe për tifozët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 30, 2017 | 10:55

Apeli i Mezanit: Ndaj Kamzës duam vazhdimësinë edhe për tifozët

Gentjan Mezani kërkon fitoren sot përballë Kamzës. Në një prononcim të dhënë dje për “Panorama Sport”, trajneri Mezani tha se kjo ndeshje është vlerësuar maksimalisht nga ana e tij dhe ekipit që drejton.

Mezani

Sipas trajnerit vlonjat, tri pikë sot përballë Kamzës do t’i jepnin më shumë forcë Laçit për një vazhdimësi sa më pozitive. Mezani thotë se të gjithë lojtarët i dinë detyrat për ndeshjen e sotme dhe se nuk duhet të zhgënjejnë përpara tifozëve.

“Këtë takim që ne luajmë nesër (sot) me Kamzën e kemi vlerësuar maksimalisht, si të gjitha takimet që ne kemi luajtur deri tani. Mendoj që na duhet vazhdimësia. Jam shumë i bindur se një trepikësh në këtë takim do të na jepte më tepër forcë. Nuk është çështja se çfarë pres në këtë takim, por ne duhet të bëjmë detyrën.

Dua ta theksoj fort këtë fakt, pasi me Kamzën është ndeshje që e luajmë në Laç. Me këtë dua të them se para tifozëve tanë ne nuk duhet që asnjëherë të zhgënjejmë. Për këtë, lojtarët e dinë detyrën që kanë. Duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm përballë Kamzës”, tha fillimisht Mezani.

laci

Trajneri i Laçit, Gentjan Mezani, thotë se lojtarët kanë shumë rrugë të gjatë për të bërë. “Duhet të vazhdojmë të punojmë shumë. E kam thënë dhe e përsëris që ne kemi një rrugë të gjatë përpara për të bërë. Në këto kushte, ne na duhet të përmirësohemi çdo ditë”, u shpreh Mezani.

Trajneri i Laçit, Gentjan Mezani, kërkon që sot tifozët të jenë sa më të shumtë në mbështetje të ekipit. “Unë uroj dhe shpresoj që tifozeria të jetë sa më e shumtë në këtë ndeshje. Kjo na ndihmon shumë, pasi ata janë forca, njëkohësisht edhe lojtari i dymbëdhjetë në fushë, si dhe një motivim më shumë për ne”, përfundon Mezani.

Mezani2

ORGANIKA – Laçi do të jetë sot një ekip i plotë. Përballë Kamzës, ekipi kurbinas nuk do të ketë mungesa. Këtë fakt e konfirmon edhe vetë trajneri Gentjan Mezani. “Në këtë ndeshje do të kemi një ekip të plotë dhe nuk do të kemi mungesa. Të gjithë lojtarët i kam në dispozicion dhe kam mundësi përzgjedhjeje. Ky fakt më kënaq shumë, për të bërë më të mirën dhe për të marrë maksimumin”, tha Mezani.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"