Apeli i ish-lojtarit: Zgjohuni, Luftëtari është i Gjirokastrës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 30, 2020 | 12:56

Apeli i ish-lojtarit: Zgjohuni, Luftëtari është i Gjirokastrës

Ledian Qëndro gjatë viteve 2000- 2005 ka veshur fanellën me numër 11 të Luftëtarit. Kanë kaluar 15 vite nga koha kur ai vari “këpucët në gozhdë”, por Luftëtarit s’i është ndarë asnjëherë. E ndjen kalvarin e vuajtjeve të skuadrës ku u lind dhe u formua.

Luftetari-Kelcyra

“Asnjëherë nuk e kisha imagjinuar se Luftëtari do ta kishte këtë gjendje të hidhur. Është gjendje alarmante dhe si një ishlojtar që kam derdhur djersë për këtë ekip, më lind e drejta të pyes: kështu do të vazhdohet? Do të humbë emri dhe tradita e fanellës gjirokastrite? Dëshira ime dhe e të gjithëve më thotë “jo”, por drejtuesit duhet të lëvizin.

Kur luanim ne, s’kishte sponsor, paguheshim me rroga minimale nga bashkia. Situata është e nderë, ndaj të gjithë faktorët sportivë duhet të zgjohen nga letargjia, gjithnjë nëse janë dashamirës të Luftëtarit”, thotë Qëndro. Ai kujton sakrificat personale vetëm e vetëm që Luftëtari të mbijetonte.

“Për javë me radhë futbollistët janë stërvitur në palestrën time pa pagesë. Gjithçka e kam bërë në dobi të skuadrës. Lojtarët e Luftëtarit vinin me siklet në palestër, e dinin që s’isha paguar nga klubi, por u thosha të stërviteshin pa hezituar. Më dhemb Luftëtari dhe çdo sakrificë financiare për të ia vlen. Të gjithë duhet ta mbështesim ekipin e qytetit, sepse Luftëtari është i Gjirokastrës”, tha Qëndro për gazetën.

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"