Apeli i ish-kapitenit të Skënderbeut: Duhen afrime në çdo repart, Takaj ta bëjë një sforco

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 26, 2022 | 22:46

Apeli i ish-kapitenit të Skënderbeut: Duhen afrime në çdo repart, Takaj ta bëjë një sforco

Skënderbeu duhet të përmbushë objektivin sezonal dhe të rikthehet në Superiore brenda sezonit. Vetëm kështu mund të shpëtohet futbolli korçar dhe të rikthehen sportdashësit në stadium. I këtij mendimi është ish–kapiteni Stavrion Lako, që sheh të lidhur ngushtë nivelin e skuadrës me qasjen e tifozëve.

lako

Në një prononcim të dhënë enkas për “Panorama Sport”, 42-vjeçari vlerëson ecurinë e bardhekuqve me Ivan Gvozdenoviçin në krye. Ai thekson se serbi ka rikthyer mbi të gjitha harmoninë në grup.

“Skënderbeu ka një detyrë të vështirë për të përmbushur dhe për mua është më kryesorja. Rikthimi në Kategorinë Superiore është objektivi primar, për të ngritur në nivelin e duhur sportin e një qyteti. Tifozët janë mësuar me një Skënderbe cilësor dhe nuk e pranojnë dot faktin që ekipi është në këto nivele. Për këtë arsye mendoj se janë larguar dhe kanë bërë gabim, pasi ekipi ka nevojë për mbështetje edhe në ditë të tilla. Jam i bindur se rikthimi i shpejtë do të mbushte sërish stadiumin si në kohët e arta. Ekipi duket se është në rrugën e duhur. Tri ndeshjet e fundit dhe shtatë pikë të marra janë një ecuri e mirë jo vetëm për objektivin, por edhe për të mbajtur lart psikologjinë e lojtarëve. Me Ivan Gvozdenoviçin më duket një grup shumë më në harmoni dhe po punon mjaft mirë. Por e rëndësishme është që të vazhdojnë kështu”, tha fillimisht Lako, duke evidentuar ndryshimet që sheh te skuadra.

MERKATOJA DHE RIVALËT – I ndalur te cilësia e lojtarëve dhe grupi që ka stafi teknik në dispozicion, ish-kapiteni gjykon se skuadra nuk është ndër më të mirat e mundshme. Mendon se ka nevojë për ndërhyrje në të gjitha repartet për t’i siguruar një vijimësi projektit të nisur me serbin. Për këtë ish-mbrojtësi mendon se Ardjan Takaj do të bëjë një sforco në janar që të kënaqë kërkesat e trajnerit. Afrimet i sheh të domosdoshme, madje në çdo repart, ndonëse evidenton vështirësinë për të gjetur të duhurit në këtë periudhë të vitit.

“Ekipi ka nevojë për merkato dhe diçka e tillë është e dukshme. E ka kërkuar edhe vetë Ivani dhe normalisht ai e di më mirë pasi punon nga afër me grupin. Ka nevojë për afrime në çdo repart. Duhet forcuar skuadra, nëse duan që të garojnë si të barabartë me ekipet e tjera, të cilat janë të parat në renditje, si Dinamo apo Flamurtari. Mendoj që Ardjan Takaj do të bëjë një sforco. Nëse kërkon objektivin maksimal, do t’ia plotësojë kërkesat. Projekti i nisur me Gvozdenoviçin është tepër ambicioz… Por vështirësia në këto momente për të gjetur lojtarët e duhur është shumë e madhe në këtë periudhë. Shpresoj që të afrohen elementët e duhur dhe të japin më të mirën për ekipin”, përfundoi Stavrion Lako prononcimin e tij për gazetën.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"