Apeli i ish-futbollistit të kombëtares: Kthejeni Tomorin në elitë! Mos e hallakatni në kategoritë inferiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2020 | 21:33

Apeli i ish-futbollistit të kombëtares: Kthejeni Tomorin në elitë! Mos e hallakatni në kategoritë inferiore

Tomori është futur në “karantinë” të dyfishtë në këtë periudhë. Skuadrës i mungojnë ndeshjet zyrtare të kampionatit, ndërkohë që klubi ka vendosur ditë më parë për heshtje shtypi në mënyrë disi absurde. Për “Panorama Sport” ka pranuar me shumë kënaqësi të flasë një nga ish-sulmuesit ikonë të Tomorit, Kliton Bozgo, i cili ka spikatur edhe në arenën ndërkombëtare me sllovenët e Mariborit dhe të Olimpia Lubjanës, por edhe me fanellën kuqezi. Bozgo ka dhënë së pari një mesazh të qartë për Tomorin, një apel për ta kthyer atë në nivelet e historisë së tij.
Kliton_Bozgo
“Kam një lidhje të fortë me qytetin e lindjes dhe me skuadrën e zemrës, Tomorin. Kohën e kam ndarë midis Sllovenisë, Austrisë dhe Beratit, ku kam familjen, njerëzit e dashur dhe miqtë që i kontaktoj shpesh. Uroj me zemër që kampionatin e ri Tomori të ngjitet në Superiore për shkak të traditës që kemi. Të gjithë ata që veshin fanellën e Tomorit dhe të gjithë ata që e drejtojnë këtë skuadër, janë si të thuash të dënuar që ta rikthejnë në Superiore, në majën e futbollit shqiptar. Tomori është skuadër me histori, s’ka pse hallakatet në kategoritë inferiore, kjo edhe për respekt të atyre brezave që bënë historinë për vite me radhë”, është shprehur Bozgo, i cili aktualisht drejton një ekip gjysmamator në Austri, Usv Ragnitz.

BOJKOTI – Ish-futbollisti beratas prek më tej edhe temën e nxehtë të bojkotit të Superiores. “Nuk dua ta fsheh mendimin tim në lidhje me bojkotin e futbollit në Shqipëri. E konsideroj krejt të papranueshme atë që po ndodh dhe dy muaj pa futboll zyrtar mendoj se është një kohë e humbur, një dëm i madh që i vjen nivelit të një kampionati. UEFA i ka përcaktuar qartë edhe afatet e zhvillimit të garës kombëtare të çdo shteti dhe them se bojkoti penalizon jo vetëm nivelin sportiv, por edhe adhuruesit e futbollit në këtë rast”, tha dje për gazetën Kliton Bozgo.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"