Apeli i Allmuçës: Duam vetëm drejtësi nga arbitrat, Dinamo ka…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 27, 2019 | 14:52

Apeli i Allmuçës: Duam vetëm drejtësi nga arbitrat, Dinamo ka…

Dinamo e ka nisur dobët kampionatin. Në dy javët e para është mundur në Pukë nga Tërbuni dhe ka barazuar në shtëpi me Shkumbinin. Kryeqytetasit janë një ekip që njihen për kulturë loje dhe nuk janë konfliktualë, por kjo sjellje duket se po shndërrohet në një problem. Dinamo ka kontestuar gjykimin në takimin e parë kundër Tërbunit, por dhe në ndeshjen tjetër ndaj Shkumbinit drejtuesit e saj nuk janë pajtuar me shumë episode, që kanë pasur ndikim në rezultat, si mohim penalltie dhe falje e kartonit të kuq për kundërshtarin.

igli allmuca

ALLMUÇA

Trajneri Igli Allmuça flet hapur për “Panorama Sport” dhe apelon për drejtësi. Mjaft i indinjuar, tekniku i Dinamos shpjegon atë çfarë ka ndodhur deri tani.

“Jemi mjaft të indinjuar për arbitrimin. Kërkojmë që Dinamo të arbitrohet nga gjyqtarë autoritarë, të cilët nuk ndikohen nga trysnitë e stolave kundërshtarë. Jemi të pakënaqur nga arbitrimi në ndeshjen ndaj Shkumbinit, pasi nuk është ndëshkuar me karton të kuq që në fillim për goditje me bërryl nga lojtari më i rrezikshëm i peqinasve, Ejoh. E bëri këtë veprim para syve tanë dhe arbitrit të katërt. Nuk na është dhënë një penallti në pjesën e dytë dhe sigurisht që janë episode që ndikojnë në rezultat. Edhe në Pukë kemi ankesa për një gol të kundërshtarit, pasi më parë kishte faull në dëmin tonë. Janë goditur 4 korne radhazi nga Tërbuni, nga të cilat 2 nuk kanë qenë fare. Janë episode të vogla që ndikojnë, pasi diferencat janë shumë të vogla në Kategorinë e Parë. Në pjesën e dytë në Pukë është futur barela pa masë në fushë. Lojtarët shtriheshin kot në fushë, pas pasur asnjë kontakt dhe barela hynte në fushë vend e pa vend, duke e bërë futbollin shumë të vakët dhe duke ulur ritmin. Topat pas porte nuk kapeshin, duke sjellë vonesa”, shprehet trajneri dinamovit.

Dinamo

DREJTËSI

“Dinamo ka problemet e saj dhe e vuan kur nuk i jepet një penallti, kur na shënojnë një gol të parregullt, kur nuk i jepet i kuq kundërshtarit. Nuk jemi skuadër që të bëjmë 3-4 gola, nuk jemi Barcelona. Jemi skuadër e ndërtuar rishtazi, por thjesht duam të na respektojnë jo vetëm sepse duhet drejtësi në fushë, por Dinamo duhet të respektohet edhe si një emër i madh i futbollit shqiptar. Nuk mund të trajtohet në këtë mënyrë. Arbitrat nuk duhet të vendosen nën trysninë e kundërshtarit dhe loja duhet të menaxhohet më mirë. Ne nuk bëjmë presion, çdo gjë e bazojmë në lojën e pastër dhe të njëjtën gjë kërkojmë nga arbitrat, të veprojnë në mënyrë të drejtë. Kur ka probleme, ata të ndëshkojnë në masën e duhur çdo futbollist, çdo ekip. Duam vetëm drejtësi në fushë dhe nëse mundemi, i japim dorën kundërshtarit”, përfundon Allmuça. Dinamo ndeshet këtë fundjavë me Burrelin në transfertë.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"