Apel i Licit: Duhet të ndërhyjë shteti, futbolli në Shqipëri po vdes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 26, 2019 | 11:58

Apel i Licit: Duhet të ndërhyjë shteti, futbolli në Shqipëri po vdes

Administratori i klubit shkodran, Suad Lici, ka parashtruar mendimin e tij sa u takon vështirësive financiare që po hasin skuadrat shqiptare. Sipas tij, problematikat financiare të klubeve si Flamurtari, Luftëtari, Vllaznia dhe Tirana, të cilave FSHF-ja u ka vënë ultimatum deri në fund të muajit, po e çojnë futbollin drejt vdekjes.

suad lici

Lici i bën apel shtetit të vërë dorë në këtë drejtim me anë të ligjeve, që, sipas tij, kanë kohë që po hidhen në tavolinë sa i takon reformës për sportin. “Ajo që është evidente ka të bëjë me faktin se shumë klube, madje edhe elitare, po hasin vështirësi të mëdha financiare. Largimi i presidentit Tavo dhe arsyet që ai paraqet plotësojnë më së miri tablonë e problematikës së futbollit tonë. Për mendimin tim, mungesa e investimeve sjell vështirësi dhe pengon zhvillimin në këtë sport, por edhe në sportet e tjera. Kjo situatë është krejt normale, sepse një biznesmen, pasi ka harxhuar, përveç kohës, edhe shuma të konsiderueshme financiare, s’ka asnjë lehtësi fiskale. Kjo gjë i tremb ata dhe nuk i afron të investojnë për futbollin. Për të kapërcyer këtë gjendje, që i është bërë e qartë edhe shtetit shqiptar, është organizuar një tryezë, ku morëm premtimin nga Kryeministri se do të miratohej një paketë fiskale. Kanë kaluar afatet dhe asnjë lajm i mirë nuk na ka mbërritur në këtë drejtim. Po fillon edicioni dhe disa klube janë në vështirësi reale. Po të vazhdojë kështu, futbolli do të vdesë dhe do të jetë vonë. Urgjentisht kërkohet ndërhyrje nga të gjithë për ta shpëtuar futbollin. Në radhë të parë, nga shteti. Jo vetëm se e ka premtuar Kryeministri, porse e ka përgjegjësi”, është shprehur Lici.

PREMTIMI

Administratori Suad Lici ka cituar më tej premtimin e Kryeministrit Rama disa muaj më parë. “U premtua nga Kryeministri në tryezën e reformës në sport që për 100 ditë do të plotësoheshin këto pika: 0 tatim mbi të ardhurat personale për të gjithë lojtarët për një periudhë 5 deri në 10 vjet, 0 TVSH për investimet në sport, falja e gjobave dhe kamatëvonesave për klubet që kanë detyrime në tatime. Kanë kaluar 150 ditë dhe asnjë ligj nuk është kaluar. Ndërkohë, ligji i sponsorizimeve, ku 30% të taksave biznesi mund t’i hedhë në sport, siç ndodh edhe në Kosovë, nuk ka kaluar dhe investitorët po ikin, siç është rasti i Tavos në Gjirokastër”, ka deklaruar administratori kuqeblu, Suad Lici.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"