“Anuluam miqësoren prej urdhrit të FSHF-së”, trajneri i Lushnjes: Ku t’i provoj lojtarët e mi?!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 7, 2021 | 12:08

“Anuluam miqësoren prej urdhrit të FSHF-së”, trajneri i Lushnjes: Ku t’i provoj lojtarët e mi?!

Lushnja duhet të luante një miqësore dje, por planet kanë ndryshuar. Një urdhër i dhënë nga FSHF-ja për të ruajtur fushën e stadiumit “Roza Haxhiu” e ka detyruar klubin që të anulojë ndeshjen me Naftëtarin e Kategorisë së Dytë. Ishte vetë trajneri Ilir Gjyla që tregoi arsyen e këtij vendimi, gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”. “Kishim planifikuar një miqësore me Naftëtarin, por e anuluam. Ka dalë një urdhëresë nga FSHF-ja për të gjitha klubet që duhet të ruajnë fushën. Unë nuk kam asnjë kundërshtim në këtë pjesë, por çështja është që ne nuk kemi ku të luajmë. Fundja fare, fusha për ne është.
iLIR gJYLA
Ne një ndeshje kontrolli në javë kemi, pasi stërvitjen e bëjmë në aneks. Mirë se po e ruajmë ne terrenin, por të shtunën në këtë fushë do të luajnë femrat, të dielën të rinjtë dhe paratërinjtë. Edhe javën e ardhshme, e njëjta gjë. Ne jemi dakord të zbatojmë urdhëresën, por këto gjashtë ndeshje do të luhen në këtë fushë. Ky është problem në vazhdimësi i Lushnjës, e kanë ngritur edhe trajnerët para meje. FSHF-ja mirë bën, por edhe ne nga halli e kemi. Na duhet të zhvillojmë një ndeshje për të kontrolluar futbollistët që duam të afrojmë. Nuk kemi fushë tjetër…”, u shpreh fillimisht tekniku.

PROVAT
Te Lushnja kanë nisur edhe provat, ndërsa ekipit i ishin bashkuar edhe 4 italianë. Megjithatë, stafi teknik i ka ngelur në “klasë”. Ata nuk kanë bindur, ndaj mund të largohen. “Kishin futboll në këmbë, por jo gjendje. Janë djem të rinj, vrapojnë, kanë dëshirë, por më shqetëson fakti që janë pa stërvitje. Kampionati po afron dhe ne nuk kemi kohë për të punuar, për t’i sjellë në formë futbollistët italianë. Ndaj, them që ata nuk e kalojnë klasën. I pamë me vëmendje, megjithatë do t’i shohim edhe në një seancë nesër (sot) dhe pastaj do të vendosim. Kemi marrë edhe lojtarë nga vendi, si qendërmbrojtësin Donald Bejko. Do ta shohim gjatë kësaj jave dhe do të vendosim për të. Kemi edhe disa mundësi të tjera ndërkohë, por nuk kemi pse i konfirmojmë para kohe”, sqaroi trajneri.

KRITERI
Lushnja
Gjatë këtyre ditëve, do të vazhdojnë testimet, megjithatë Ilir Gjyla ka vendosur një kriter. “Këto dy dytë do të kemi 4-5 prurje të tjera, që fillimisht do t’i nënshtrohen provës, por ne nuk duam lojtarë thjesht për t’i provuar. Nuk jemi bankoprovë. Më shihni mua. Ne duam lojtarë që të jenë të gatshëm për të luajtur për Lushnjën. Populli ka një shprehje të bukur, që gjen vend në këtë rast: ‘Qorr për qorr e kam në oborr’. Nuk është se Lushnja po vdes për lojtarë. Marr shkas edhe nga një shkrim i botuar në media me titull ‘Lushnja firon’. Nuk ka firuar Lushnja. Dy lojtarët që përmendëm, Luis da Silva dhe Renato Dervishi, nuk kanë qenë pjesë e grupit asnjëherë. Luis da Silva u dëmtua që në ndeshjen e parë me Besën dhe iku. Ndërsa Dervishi u largua pa u aktivizuar në asnjë ndeshje. Nuk mundi të marrë asnjë minutë në fushë. Problemi është se nga e shtuna na ndajnë vetëm 3- 4 ditë, por nuk ka pse të alarmohemi pasi do t’i vëmë pikat mbi ‘i’. Ajo që kërkoj unë është boshti i ekipit, një qendërmbrojtës, një mesfushor në qendër dhe një sulmues. Mendoj se do t’i gjejmë”, përfundoi trajneri.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"