Anulohet testi me Laçin, Çoçlli: Luftojmë në dy fronte, Kupa provë para kampionatit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 30, 2020 | 23:27

Anulohet testi me Laçin, Çoçlli: Luftojmë në dy fronte, Kupa provë para kampionatit

Lajmi i mirë për fillimin e futbollit ka ngjallur optimizëm në kampin bardhejeshil. Është anuluar miqësorja e së shtunës kundër Laçit dhe skuadra “ka përveshur mëngët” për ndeshjet zyrtare.

Coclli Apolonia

Gjithçka nis me Kupën e Shqipërisë të dielën (me Turbinën në shtëpi) dhe të mërkurën do të luhet java e parë e Kategorisë Superiore (me Vllazninë në transfertë). Bardhejeshilët mirëpresin nisjen e sezonit dhe këtë e pohon për gazetën edhe zv.trajneri Nikolin Çoçlli.

“Është një vendim i shumëpritur dhe i mirëpritur nga të gjithë ne. Pas një periudhe gati utopike, entuziazmi i fillimit u ndie edhe te skuadra. Ishte një shkëndijë e mirë për të gjithë, sepse ka më tepër motivim për t’u paraqitur sa më kompetitivë në Kupë dhe në kampionat. Sa i përket Kupës, na ra në short një skuadër që e njohim dhe e respektojmë.

Turbina është ekip i fortë dhe pa diskutim që do ta vlerësojmë në maksimum dhe shpresoj ta kalojmë me sukses. Objektivat tanë janë madhorë dhe ne do të bëjmë maksimumin në të dyja kompeticionet. Përqendrimi do të jetë i njëjtë si në Kupë, ashtu dhe në kampionat, ku do të kërkojmë rezultatin maksimal.

Ndeshja e Kupës do të jetë një barometër matës për të parë nivelin tonë. Skuadrën e kemi të plotë dhe jemi të gatshëm për t’i përballuar me sukses të dyja ndeshjet, si në Kupë, ashtu dhe në kampionat”, shprehet numri 2 i pankinës.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"