“Anulimi nuk do të ishte i drejtë”, trajnerja shpreson te rikthimi në parket

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 17, 2020 | 14:14

“Anulimi nuk do të ishte i drejtë”, trajnerja shpreson te rikthimi në parket

Ndonëse vinte nga Kategoria e Dytë, Partizani në basketboll për femra ishte surpriza më e bukur e sezonit 2019- 2020. Kryeqytetaset, të cilat drejtohen nga trajnerja Ledina Koçi, deri në momentin e ndërprerjes po zhvillonin një sezon fantastik duke u pozicionuar në vendin e dytë, pas Flamurtarit kryesues (skuadër e mbipopulluar me lojtare të huaja).

VOLEJ PARTIZANI

Por, për 2 muaj, ashtu sikurse të gjitha ekipet, “të kuqet” qëndrojnë të bllokuara dhe në pritje të rifillimit të sezonit. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajnerja Koçi flet për karantinën e skuadrës së Partizanit. Ajo gjithashtu komenton opsionet për një rifillim të mundshëm të sezonit, ndërsa prek edhe temën e Ligës Rajonale.

KARANTINA

Trajnerja Koçi fillimisht flet për karantinën e skuadrës së Partizanit: “Në radhë të parë më e rëndësishmja është që lojtaret janë mirë me shëndet dhe po përpiqen që të zbatojnë çdo rregull të dhënë nga qeveria. Me vajzat jemi në kontakt të rregullt e të vazhdueshëm çdo ditë, ndoshta edhe dy-tri herë në ditë, pasi kontakti është shumë i nevojshëm për t’u ndier më pranë dhe si një familje.

Ato kanë ndjekur një program të qartë me ushtrime fizike për të ruajtur tonusin muskulor aq sa të jetë e mundur. Natyrisht kjo nuk është aspak si stërvitja në fushë dhe në grup, pasi basketbolli është lojë në grupi, por jemi përpjekur sado pak të vëmë në lëvizje muskujt.

Ndoshta javën e fundit ato vajza që janë në zona të gjelbra kanë bërë edhe ndonjë përgatitje fizike jashtë, ndërsa ato që janë në zona të kuqe, vetëm të shtunave e të dielave kanë realizuar diçka të vogël jashtë. Në këtë situatë duhet vlerësuar gjithashtu edhe aspekti psikologjik”.

OPSIONET PËR RIFILLIMIN E SEZONIT

Për sa u përket mundësive për të rifilluar sezoni, trajneri shprehet kështu: “Partizani ka deklaruar që dëshiron që sezoni të mbyllet në parket. Natyrisht vështirësitë janë të mëdha dhe më duhet të theksoj që në Tiranë janë akoma më të mëdha, pasi edhe kontrolli i qeverisë ka qenë më i fortë zbatimin e rregullave.

Për sa u përket opsioneve nuk ka ndonjë rëndësi të madhe se në çfarë varianti vendoset, e rëndësishme është të bëjmë çfarë të jetë e mundur për ta mbyllur kampionatin në parket.

Nuk mund të flas për ndonjë zgjidhje pasi situata është shumë e paqartë dhe nuk ka akoma asnjë shenjë se kur do të lejohen skuadrat që të realizojnë stërvitje në salla. Gjithsesi, ajo që doja të theksoja është që meqenëse pritëm kaq gjatë për të marrë një vendim, le të presim edhe pak dhe ta mbyllim në fushë. Nuk do të ishte morale që tani qe të gjithë po japin datat e rifillimit ne të shpallnim anulimin”.

IDEJA E VIRON TOSKËS

Një ditë më parë, në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri i Flamurtarit ishte shprehur se faza “play off” duhet të bëhet në Vlorë, kjo edhe për faktin se skuadra e tij kryeson bindshëm kampionatin. Ndërsa e pyetur për këtë propozim, trajnerja Ledina Koçi deklaron: “Toska në diskutimin që u bë midis përfaqësuesve të skuadrave me presidentin dhe sekretarin e FSHB, propozoi që pjesa e mbetur të zhvillohet, pasi ai siguronte, sipas tij, kushte të favorshme për sa i përket situatës me ‘COVID-19’.

Ai nuk tha për asnjë moment ‘duhet’ apo të bëhet në Vlorë, sepse Flamurtari është në vend të parë, por shtroi një propozim i cili mbetet për t’u diskutuar. Partizani nuk u prononcua për këtë propozim pasi nuk kemi arritur në këtë fazë dhe nuk mund të jap unë përgjigje në këto momente për këtë, pasi Partizani basket femra kë një staf, ku diskutimet dhe vendimet bëhen aty. Gjithsesi, ky mbetet një propozim për t’u vlerësuar në momentin që do të ketë diçka më konkrete”.

LIGA RAJONALE

Një temë shumë e diskutuar e javëve të fundit ka qenë krijimi i Ligës Rajonale, me skuadra nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Trajnerja kryeqytetase e komenton kështu këtë ide: “Është një nismë shumë e mirë dhe për t’u përkrahur, doja të shtoja që do të ishte më mirë vetëm Shqipëri-Kosovë, gjithsesi kjo është thjesht një dëshirë e imja. Ajo që doja të thosha është që nëse për meshkuj ka diçka më të qartë, për femrat jemi shumë të paqartë se çfarë është ndërmend të realizohet, si dhe kur do të realizohet apo sa ekipe do të jenë, pasi ka të bëjë me numrin e ndeshjeve.

Nuk duhet të harrojmë që çdo gjë është e lidhur me buxhetin, pra me pak fjalë ka disa kosto ekstra. Megjithatë, kjo nuk do të thotë aspak që nuk e mbështesim këtë ide, përkundrazi jemi të hapur për të dhënë kontributin tonë pasi kjo natyrisht që do të rriste nivelin e basketbollit tonë, por duhet që sa më shpejt të jetë e mundur të kemi një informacion sa më të qartë, në mënyrë që të marrim masat tona. Këtë nismë natyrisht si shefi i klubit Partizani z. Shkëlqim Muça, ashtu dhe inspektori i lojërave me dorë Z. Elton Stafa e mbështesin, siç kanë mbështetur çdo nismë për basketbollin e femrave”.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"