Ankth te Vllaznia, mesfushori kërkon largimin. Jonuz kritika lojtarët: Të gjithë fajtorë për humbjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 6, 2019 | 22:41

Ankth te Vllaznia, mesfushori kërkon largimin. Jonuz kritika lojtarët: Të gjithë fajtorë për humbjen

Hygor Gonzales, mesfushori brazilian i Vllaznisë, do të largohet pas takimit që kuqeblutë do të zhvillojnë ndaj Tiranës dhe do të niset në drejtim të Brazilit.

hygor vllaznia

Ai mësohet se ka probleme familjare me shëndetin e dy personave më të afërm të familjes. Si e shoqja, e cila gjendet prej disa ditësh së bashku me djalin e tyre në Shkodër, po ashtu dhe e ëma, kanë probleme serioze. Ato do të ekzaminohen në vendin e tyre dhe për këtë, Hygor kërkon që të jetë afër tyre. Një gjë të tillë e shprehu edhe vetë tekniku Mirsad Jonuz, i cili theksoj se gjërat do të diskutohen pas Tiranës.

“Hygor do të jetë pjesë e ekipit në takimin me Tiranën. Ai është stërvitur edhe gjatë këtyre ditëve, ndërsa pas këtij takimi, për arsye personale, do të largohet në drejtim të Brazilit. Ai ka folur si me mua, po ashtu edhe me administratorin, Lici, për një gjë të tillë”, tha Jonuz.

jONUZ

Por, ajo që nuk dihet, është sesa kohë do të mungojë ky lojtar dhe për më tepër a do të vijë sërish Hygor për t’iu bashkangjitur Vllaznisë? Mesa mësohet, lojtari ka kërkuar leje ne klub për afro dy javë, pikërisht periudhën që do të ndërpritet edhe kampionati. Gjithsesi, një lojtarë i tillë, që mund të mungojë edhe në proceset stërvitore, do të jetë një shqetësim jo i vogël për drejtuesit. Braziliani i mesit të fushës ka qenë një nga lojtarët më të mirë të skuadrës në këto javë dhe pika e referimit të skuadrës në mesin e fushës.

JONUZ, KRITIKA TË TIJVE

Tekniku i Vllaznisë, Mirsad Jonuz, ka vonuar jo pak që të dalë nga dhomat e zhveshjes pas përfundimit të takimit. Humbja me Ballshin, duket se e ka shokuar jo pak teknikun, i cili mesa mësohet, atë që ka thënë para mediave ua ka shprehur edhe vetë lojtarëve pas përfundimit të takimit. Ai mësohet se ka kritikuar jo pak lojtarët e tij, duke ai filluar që nga kapiteni Gilman Lika e duke përfunduar te lojtari i fundit.

vllaznia

“Duhet të kishit goditur më shumë në drejtim të portës. Nuk e di nëse ishte problem taktik apo se çfarë ju ka munguar në bashkëveprimet tuaja. Të gjithë kemi faj në këtë humbje. Kur humbim, humbim bashkë dhe kur fitojmë, fitojmë po ashtu të gjithë bashkë. Pra, nuk ka asnjë që nuk ka faj në këtë humbje. Më thoni nëse jam unë e keqja, largohem. Nuk ka asnjë problem në këtë drejtim. Më vjen keq se ishim ne të gjithë bashkë që arritëm këto rezultate dhe kam besim se sërish të gjithë bashkë mund të shkojmë aty ku ishim”, mësohet t’u ketë thënë tekniku Jonuz, lojtarëve të tij. D

uket se ai ka qenë në sinkron edhe me atë që ka thënë para mediave pas takimit, ku ka marrë përgjegjësitë e tij në këtë humbje. “Do të bëjmë një analizë dhe do të shikoj edhe videon e takimit. Për këtë fola edhe me lojtarët. Ajo që shikohet, është se problemi nuk është fizik, por mund të jetë taktik. Kur humbim, humbim të gjithë dhe kur fitojmë është po ashtu, këtë ia kam thënë edhe lojtarëve”, është shprehur Jonuz.

STËRVITJA

Vllaznia, që dje, i është kthyer punës për takimin e radhës, atë që do të luajë të premten ndaj Tiranës në kryeqytet. Dhe tekniku Mirsad Jonuz së bashku me të tijtë do të kërkojë që ta ndryshojë qysh në këtë përballje situatën e krijuar në skuadër.

Tekniku Jonuz pret që gjatë këtyre ditëve të përgatitjes për takimin me Tiranën, të ketë të gatshëm në stërvitje edhe brazilianin Hygor. Ai dje ka qenë i gatshëm me ekipin. E përveç tij, mësohet të rikuperohet edhe maqedonasi Gligorov, ndërsa që dje është mësuar se ka pasur jo pak shqetësim qendërmbrojtësi lezhjan Renato Malota. Ai është larguar i dëmtuar në mesin e pjesës së dytë. Gjithsesi, stafi mjekësor shpreson që ky lojtar të jetë i mundur për takimin ndaj kryeqytetasve.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"