Ankth te Skënderbeu, Temitope mban peng formacionin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 19, 2022 | 12:03

Ankth te Skënderbeu, Temitope mban peng formacionin

Skënderbeu “nxeh motorët” për Besën. Të martën luajnë në Peqin dhe korçarët duan të sigurojnë fitoren e tretë radhazi. Jo vetëm për të vijuar serinë e rezultateve pozitive, por dhe për t’u bërë presion dy vendeve të para të kampionatit.

ABDUL TEMITOPE

Që pas rikthimit të Ivan Gvozdenoviç nga Serbia (u largua për 3 ditë, pasi babai i tij ndërroi jetë), po projektohet strategjia për të kaluar pengesën e fundit për këtë 2022-sh. Gjithçka duket gati, ndonëse Abdul Temitope po i mban në ankth. Gjendja e tij fizike nuk është optimale, ndaj edhe formacioni mbetet peng. Autori i 5 golave me fanellën bardhekuqe ende nuk është bashkuar me ekipin, por po lufton me kohën. Ai vijon fazën rikuperuese dhe shpreson që të jetë gati për këtë takim. Nga njëra anë stafi mjekësor është impenjuar totalisht dhe veç punës individuale është duke u marrë dhe me terapi specifike për riaftësim të shpejtë. Vetë Gvozdenoviç e kërkon nga minuta e parë një lojtar të tillë që sjell me vete volum loje në fazën sulmuese, gola dhe mbi të gjitha vëmendje të veçantë nga mbrojtësit kundërshtarë. Kjo është dëshira e vetme e trajnerit, që pjesën tjetër e ka në dispozicion të plotë për këtë ndeshje.

PLANET – Në kushte të tilla duket se korçarët do të mendojnë dy plane për vendosjen e ekipit në fushë. I pari me nigerianin me pasaportë irlandeze në fushë nga minuta e parë dhe tjetrën pa golashënuesin e ekipit. Nëse ia del, tekniku do t’i besojë një rreshtimi 4-3-3 me të rikthyerin Pusi, Likën dhe Temitopen në majë të sulmit, ndërsa pjesa tjetër do të jetë e njëjta si në ndeshjen e fituar ndaj Turbinës. Nëse nuk do t’ia dalë, 44-vjeçari po mendon ndryshimin e skemës në 4-4- 2. Normalisht me këtë lëvizje Lika dhe Liço do të mbulojnë krahët e mesit të fushës dhe Pecani me Aliin do të jenë në qendër të mesfushës, me katërshen e prapavijës që nuk do të ndryshojë rreshtim dhe do të jenë sërish të njëjtët lojtarë. Sulmi është ai që ndryshon disi, pasi përkrah Pusit në majë të sulmit do të jetë Abubakar që mund të luajë vetëm si sulmues kryesor. Pritet që në seancën e fundit, e cila do të jetë ditën e hënë të vendoset nëse Temitope do t’ia dalë apo jo.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"