Ankth te Skënderbeu para rikthimit të kampionatit, dy lojtarë mbajnë peng formacionin e bardhekuqve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 20, 2020 | 10:00

Ankth te Skënderbeu para rikthimit të kampionatit, dy lojtarë mbajnë peng formacionin e bardhekuqve

Para ndeshjes me Bylisin në transfertë, Skënderbeu është duke u përballur me një situatë delikate për sa i përket problemeve që kanë sjellë dëmtimet e lojtarëve. Në kushtet kur tre lojtarë vijojnë të jenë ende në infermieri, dilema të mëdha ka edhe për mesfushorin Uerdi Mara dhe mbrojtësin e majtë, Drin Govori. Këta të fundit, edhe pse janë rikthyer në stërvitje me grupin, nuk ka ende siguri nëse do të luajnë që nga fillimi në Ballsh. Stafi mjekësor është duke bërë të pamundurën që të rikuperojë në kohë të dy lojtarët. Në të kundërt, trajneri Ahmataj do të duhet të bëjë gati alternativat për të zëvendësuar futbollistët në fjalë, duke ndryshuar disi edhe manovrën.
pjimage (3)
GOVORI – Pavarësisht se bëhet fjalë për një lojtar i cili është bashkuar me ekipin vetëm gjatë kësaj hapësire merkatoje, kosovari mbetet një element i rëndësishëm për Ahmatajn dhe Skënderbeun. Mbrojtësi i majtë e nisi titullar ndaj Teutës, por u dëmtua më pas. Ahmataj beson te 23-vjeçari dhe kërkon ta ketë në dispozicion sa më shpejt. Nga ana tjetër duket se zëvendësimi i tij është gati me Kosta Vangjelin. I riu korçar ka bërë paraqitje të mira në dy takimet e aktivizuara si titullar, por mungesa e eksperiencës mund të bëhet pengesë për vijimësinë e tij, aq më tepër në një transfertë delikate si ajo ndaj Bylisit. Në kushtet kur ekipi ka vetëm një pikë pas dy ndeshjeve, tashmë lojtarët kanë në shpinë edhe presionin e rezultatit.
MARA3
MARA – Nëse do të flasim për mungesa, Mara është më i rëndësishmi në radhët e bardhekuqve. Për këtë arsye Ahmataj kërkon që të paktën lojtari nga Maliqi të rikuperohet në kohë rekord. Dëmtimi i tij nuk është i rëndë, por nëse përsëritet mund të kërkojë më shumë kohë për t’u riaftësuar. Për këtë arsye, në kampin bardhekuq nuk duan të nxitohen. Mbetet për t’u parë nëse mesfushori i qendrës do t’ia dalë të jetë në fushë apo jo. Në të kundërt, Ahmataj duhet të ndryshojë pak në manovër. Kjo, për vetë faktin se Mara është lojtari i vetëm në pozicionin e organizatorit dhe besimi tek ai është i madh. Nëse nuk ia del dot, atëherë pritet që të luajë një mes kosovarit Shabani dhe ganezit Dovuna. Me këtë variant, Ahmataj do ta lërë linjën e organizimit dhe lidhjen e reparteve në dorë të Rrapajt. Këto janë ndryshimet që trajneri ka në plan nëse nuk arrin dot të rikuperojë në kohë dy lojtarët. E rëndësishme është që si Govori ashtu edhe Mara prej ditësh janë bashkuar me ekipin dhe po bëjnë stërvitje në grup, por stafi nuk iu ka dhënë shumë ngarkesë të dy lojtarëve.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"