Ankth te Kukësi, Shkurtajt i skadoi dje kontrata. Qëndron vetëm nëse…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 1, 2020 | 23:57

Ankth te Kukësi, Shkurtajt i skadoi dje kontrata. Qëndron vetëm nëse…

Prej ditës së sotme, Vasil Shkurtaj nuk është më futbollist i Kukësit. Sulmuesit i përfundoi kontrata më 30 qershor dhe prej të mërkurës, nuk ka më asnjë angazhim karshi klubit. Nëse palët nuk ulen të nënshkruajnë një kontratë të re për pjesën e mbetur të kampionatit dhe Kupës së Shqipërisë, atëherë mund t’i lindë e drejta që të mos stërvitet dhe luajë në ndeshjet zyrtare.

shkurtaj

28-vjeçari është përgatitur normalisht dje, por mbetet për t’u parë nëse do të vihet apo jo sot në urdhrat e Orges Shehit. Lojtari ka ende disa detyrime të prapambetura për të marrë dhe, sipas burimeve, bëhet fjalë për muajt mars dhe qershor, pasi prilli dhe maji llogariten të mbyllura prej FSHF-së.

Kështu që, derisa palët nuk janë ulur të bisedojnë për kontratën e re, Kukësi është në “ajër” për sulmues. Ai është pikë referimi për skuadrën dhe kjo kuptohet edhe prej golave, ndërsa e ka gjetur 20 herë rrjetën në 2200 minuta të luajtura në kampionat dhe 1 tjetër e ka në Kupën e Shqipërisë. Verilindorët do të luajnë pikërisht të enjten të parën ndeshje gjysmëfinale me Teutën dhe një mungesë e mundshme e “bomberit” do ta penalizonte shumë ekipin.

NË “DUART” E SULMUESIT

Duke qenë në një situatë të tillë, palët shpresojnë që të gjejnë gjuhën e përbashkët për pjesën e mbetur të këtij sezoni, të stërzgjatur, në fakt, për shkak të pandemisë. Më pas aktivizimi i Vasil Shkurtajt në Kupat e Europës mbetet në dëshirën e tij. Para se të pranojë qëndrimin për këto 5 javë në Kategorinë Superiore dhe takimet e mbetura në Kupën e Shqipërisë, gazeta “Panorama Sport” mëson se lojtari do të kërkojë që fillimisht të marrë detyrimet e prapambetura financiare.

VASIL SHKURTAJ

Duke parë peshën dhe potencialin e vlonjatit, drejtuesit janë të detyruar të përmbushin kërkesat e tij. Kujtojmë që Safet Gjici pagoi 70 mijë euro për kartonin e sulmuesit, kur e mori nga Luftëtari në janarin e vitit 2019. Ai firmosi asokohe për 1.5 sezone dhe me një rrogë prej 7000 eurosh në muaj, si edhe 1 mijë euro bonus për gol dhe 500 euro për asist.

REFUZIMI I OFERTËN

Duke parë ecurinë mjaft të mirë që sulmuesi ka pasur, krerët e klubit kanë negociuar që në janar dhe tentuan ta joshin për të rinovuar kontratën, gjë që nuk është pranuar prej lojtarit, i cili asokohe e la për një moment të dytë këtë bisedë. Madje, ka qenë vetë shtatlarti, i cili në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” në numrin e datës 10 janar, theksonte se donte të transferohej në një kampionat të huaj.

Pak ditë më vonë, Kukësit i erdhi edhe një ofertë nga Holanda për sulmuesin, prej rreth 150 mijë eurosh, por ajo u refuzua nga klubi. Presidenti kërkoi në atë kohë plot 500 mijë euro për kartonin e tij (në atë kohë ekipi ndodhej në Antalia për fazë përgatitore). Drejtuesit ishin të bindur që lojtarin s’do ta humbisnin me parametra “zero”. Por, ndodhi ajo që nuk pritej. Bisedimet stopuan pas disa tentativash, pasi 28-vjeçari e kishte ndarë mendjen që në përfundim të këtij sezoni të largohet jashtë vendit. Kukësi i ofroi një kontratë 2- vjeçare me një pagë prej 10 milionë lekësh në muaj dhe bonuset e golave, asisteve dhe trofeve të fituar, por as këto shifra nuk e bindën.

Shkurtaj

Ai ka pranuar se është lodhur në Shqipëri. Fakt që e bëri të ditur edhe drejtori sportiv. Nderim Nexhipi pohoi se Shkurtaj do të largohet, pasi nuk ka pranuar që të rinovojë. Tirana dhe Partizani iu vunë pas sulmuesit, duke i bërë edhe oferta të mira financiare. Por, as kryeqytetaset nuk morën një “po” prej tij, pasi është i vendosur që të provojë një aventurë të re. Ofertat nga Greqia, Arabia Saudite e Kuvajti janë ato që po e tundojnë më së shumti, ndaj edhe menaxheri i tij grek po shikon alternativat më të mira për klientin e tij në këto destinacione.

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"