“Ankand” te Kastrioti, rrëfehet lojtari që ngjit ekipet në elitë: Tifozët kanë humbur besueshmërinë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 17, 2018 | 19:17

“Ankand” te Kastrioti, rrëfehet lojtari që ngjit ekipet në elitë: Tifozët kanë humbur besueshmërinë…

Kastrioti zyrtarizoi të shtunën ngjitjen e tij në Superiore për sezonin e ardhshëm. Përtej një grupi cilësor, diferencës me rivalët dhe një gare thuajse perfekte, duket se krutanët menduan edhe për një… fatsjellës. Gjatë verës, kur Nikaj nisi të ndërtonte grupin, në skuadër u afrua edhe Sokol Mziu. Ndryshe njihet si “specialisti” që ngjit ekipet në Superiore.

Pas Kukësit, Tërbunit dhe Korabit, 30-vjeçari u bë pjesë e skuadrës krutane me synimin për ta ngjitur në Superiore. Tri javë nga fundi, objektivi është arritur. Në një intervistë për gazetën “Panorama Sport”, Mziu rrëfen sekretet e skuadrës, flet për të ardhmen dhe jep mendimin e tij në lidhje me mungesën e tifozëve në stadiumet shqiptare.

Sokol Mziu

Arritët të mbyllnit një sezon të suksesshëm, si do ta komentonit?

Normalisht që ndihemi mirë pasi realizuam objektivin e vendosur nga drejtuesit tri javë përpara finishit. Ka qenë një sezon i mirë dhe më kryesorja ishte që nuk e diskutuam asnjëherë ngjitjen në Superiore.

Cilat janë ndeshjet që kujtoni gjatë nga ky sezon, qofshin fitore apo humbje?

Në fakt ka shumë ndeshje, por do të veçoja ndeshjen me Besën, që e mposhtëm brenda në Kavajë, fitore që e nxori nga gara këtë skuadër dhe ne mbetëm me një rival më pak. Ndërsa, humbja me Rrogozhinën ka qenë ndër më të vështirat, por ne kishim krijuar një distancë dhe nuk kishte vend për panik.

Cilësoheni si futbollisti që ngjit ekipe në Superiore, në sa skuadra keni kontribuar që të ngjiten?

Unë kam një parim, që bëj detyrën time në çdo ndeshje edhe e vlerësoj maksimalisht çdo fanellë që përfaqësoj. Gjithçka më ka shkuar mirë ku pas Kukësit, Tërbunit dhe Korabit, Kastrioti është ekipi i katërt që ngjis në Superiore.

Nga të gjitha këto, në cilën skuadër jeni ndier më mirë dhe a ju ka mbetur diçka peng nga e shkuara?

Të them të drejtën në të gjitha ekipet që kam luajtur ka pas të veçantat e veta. Por, e përbashkëta në të gjitha ekipet ka qenë grupi. Nëse, në një ekip, grupi i lojtarëve dhe i drejtuesve janë të bashkuar, gjithçka shkon mirë. Unë kam rastisur gjithmonë në grupin e duhur me drejtuesit e duhur dhe gjithç- ka ka shkuar shumë mirë dhe jam ndier komod në çdo ekip ku kam luajtur sepse kudo më është respektuar djersa e derdhur. Sa i takon pengut, e kam një, që nuk arrita të ngjis ekipin e Mamurrasit në Superiore.

Rikthehemi në të tashmen, si i keni marrëdhëniet me shokët e skuadrës, pasi nga jashtë duket sikur jeni një trup i vetëm?

Me çunat e ekipit ka kohë që njihemi ku edhe kam luajtur më përpara në ekipet e tjera. Do veçoja Lilën, Çutrën, Hoxhën, Çelën, Malindin e Markun, por edhe të tjerët. Unë kam një tip që jam i shoqërueshëm me gjithë çunat e ekipit. Kështu që, harmonia e grupit ka qenë mjaft e mirë, duke qenë se ne jemi një familje.

Janë edhe tri ndeshje për t’u zhvilluar, si do luajë Kastrioti në ndeshjet e mbetura?

Ne, në çdo përballje do të futemi për të treguar vlerat tona. Besoj dhe mendoj se në këto ndeshje do ketë hapë- sirë për lojtarët më pak të aktivizuar, por nuk do të thotë se ka mbaruar gjithçka. Ne do mbajmë veten në formë për të qenë të gatshëm për finalen që na pret me Tiranën. Aty ku do të tregojmë edhe një herë vlerat tona.

Keni menduar për të ardhmen, ku do ju shohim sezonin e ri?

Është ende shpejt për të folur për këtë, por çdo futbollist ka dëshirë të tregojë veten e tij në Superiore. Unë në përfundim të këtij sezoni, do ulem të bisedoj me presidencën dhe do vendosim për të ardhmen.

Tifozët vazhdojnë t’i lënë bosh stadiumet, jo vetëm në Krujë, por thuajse në të gjithë Shqipërinë. Sipas jush, cilat janë shkaqet e kësaj braktisjeje që po i bëhet futbollit në Shqipëri?

Siç e thatë edhe ju, tifozët jo vetëm në Krujë, por në çdo stadium të Shqipërisë kanë munguar. Ndoshta ka humbur besimi, nuk e di nga se. Por, unë u bëj thirrje që tifozët të ndjekin ekipet e tyre të zemrës sepse prania e shumtë e tifozëve e ndihmon shumë futbollistin të japë më të mirën nga vetja.

LIRIDON PASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"