Anjeli hap thesin, 50 mln euro për Toni Kros

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 23, 2015 | 10:18

Anjeli hap thesin, 50 mln euro për Toni Kros

KrosToni Kros, te Juventusi që në janar. Është kjo bomba që lëshon media spanjolle, konkretisht uebsajti i specializuar i merkatos “fichajes.net”, i cili ka një muaj që flet për kërkesën e bërë nga mesfushori gjerman, për t’u larguar nga Reali i Madridit. Mbërritja e Rafael Benitezit në “Santiago Bernabeu” ka përhapur shumë pakënaqësi në skuadër, te Toni Kros pikërisht, por edhe te Hames Rodrigez, të cilët nga titullarë dhe liderë nën drejtimin e Karlo Ançelotit, tashmë e kanë parë veten shpesh në pankinën madrilene.

Për këtë arsye, “Fichajes.net” nënvizon se ka qenë vetë presidenti i Juventusit, Andrea Anjeli, ai që ka telefonuar personalisht dhe u ka bërë një ofertë drithëruese “galaktikëve”, 50 milionë euro në këmbim të kartonit të Toni Krosit. Në Torino e vlerësojnë maksimalisht ish-bavarezin, i cili u transferua në Madrid në verën e vitit 2014 për 25 milionë euro, por sivjet, 25-vjeçari ka luajtur diçka më shumë se gjysmën e minutazhit në kampionat dhe në Champions.

Kjo ka nervozuar pa fund shumë Krosin, i cili është gati që të provojë një eksperiencë tjetër. Edhe pak ditë më parë u përfol për disa sondazhe që kishin bërë Juventusi dhe Interi, pa harruar edhe Mançester Junajtid, por miqësia mes Andrea Anjelit dhe Florentino Perezit ka bërë që numri një i bardhezinjve të kalojë në kundërsulm me një ofertë që mund të tundojë edhe Realin (dyfishi i vlerës së shpenzuar për gjermanin), për një lojtar që vetë Rafael Benitez duket se nuk e vlerëson shumë. Nga ana tjetër, në Torino, Toni Kros do të pritej si hero dhe do të merrte menjëherë “gradat” e liderit, duke formuar kështu një mesfushë realisht të frikshme me 5 lojtarë, e cila do të shihte Pogbanë, Markizion, Krosin Khedirën dhe Kuadradon.

Natyrisht që Juventusi duhet të nisë të punojë për të bindur edhe lojtarin, në tratativën për të cilin mediatorin mund ta bëjë shoku i tij i Kombëtares gjermane, Sami Khedira. Për sa u përket parave, kampionët në fuqi të Italisë janë gati që të investojnë milionat (40 milionë) e përfituara nga shitja e Arturo Vidalit te Bajerni i Mynihut, ndërsa plotësimi i pjesës tjetër do të “pritet” nga bonuset e Champions-it. Ndërkohë, sipas të njëjtit burim, Kros do të transformohej te Juventusi në lojtarin më të paguar, me një pagë prej 6.5 milionë eurosh në sezon, plus bonuse. Nuk ka dyshime se tifozët në Torino kanë nisur të ëndërrojnë, ndërsa trajneri Masimiliano Alegri lutet që diçka e tillë të bëhet realitet, pasi në këtë mënyrë do t’i shtonte grupit të tij një lojtar fenomenal, “mbretin” e pasimeve të sakta në sezonin e kaluar në Spanjë dhe në Botërorin brazilian të vitit 2014.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"