Anglia sfidon Spanjën, kapiteni Kejn: Janë më të fortë, një shkallë sipër nesh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 15, 2018 | 18:07

Anglia sfidon Spanjën, kapiteni Kejn: Janë më të fortë, një shkallë sipër nesh

Fituesi i “Këpucës së Artë” në Botërorin rus nuk shënon prej gjashtë ndeshjesh zyrtare, më saktësisht që prej Angli-Kolumbi (1-1) e vlefshme për 1/16-at e turneut. Herri Kejn, sulmuesi i Totenhemit, ka nisur të marrë kritikat e para, pavarësisht mbështetjes së trajnerit Garet Sauthgejt në prag të sfidës ndaj Spanjës, ku “Tre Luanëve” do t’iu mungojnë Xhon Stons dhe Xhordan Henderson për arsye kartonësh.

herri kejn

DUARTROKITJE “TIKI TAKA”-s – Bomberi anglez, gjatë një deklarate të ditës së djeshme përpara ndeshjes së Ligës së Kombeve (që luhet sot) ndaj iberikëve, ka pranuar ndërkaq forcën e kundërshtarit. “Skuadra jonë nuk arrin të kopjojë qarkullimin e tyre të topit, qëndrojnë një shkallë mbi ne, – tha Kejn për ‘Furitë e Kuqe’, që numërojnë 10 gola në dy ndeshjet e fundit. – Kemi cilësi të ndryshme në skuadër: në shpejtësi, në duelet një kundër një. Do jetë një ndeshje e ndërlikuar, por eksperienca të tilla janë gjithmonë të bukura”. Anglia ka marrë vetëm një pikë në dy ndeshjet e para të Grupit 4 dhe nga Spanja u mposhtën 2-1 në “Wembley” në fillim të shtatorit, kur Saul dhe Rodrigo “anuluan” avantazhin e Rashford.

JASHTË POZICIONI – Një tjetër mungesë në tabelën e golashënuesve ditën e sotme do përfaqësonte, pra, të shtatën radhazi pa gol me fanellën e kombëtares (seria më e gjatë në karrierën e tij ndërkombëtare). Ndërsa në Premier Ligë është një tjetër histori: ndodhet në kuotën e 5 rrjetave me Totenhemin, i dyti pas Eden Hazardit (7) të Çelsit. “Pas Kupës së Botës ka vijuar një periudhë e ndërlikuar, me shumë pak pushim, por mendoj se e kam përballuar mirë, – shpjegoi Kejn. – Jam në formë. Ky ishte prioriteti kryesor në fillim të sezonit”.

Me Kroacinë (0-0), të premten në Rijeka, topin e preku vetëm një herë në zonën kundërshtare, goditje që u ndal në shtyllë. I është thënë, mes të tjerash, se me “Spërsat” dhe Anglinë po luan shumë i avancuar, shpeshherë i izoluar. “Do kisha dashur të shënoja për përfaqësuesen kohët e fundit por, si sulmues, situatat me të cilat përballem janë të ndryshme: topi përfundon mbi shtyllë, herë të tjera në shtyllë; ka edhe raste kur shkon mirë dhe ndalet në rrjetë, si në Botëror”, përfundoi Kejn.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"