Anglia e varur prej Herri Kejnit: Do të shkojmë për ta fituar Botërorin në Katar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 13, 2022 | 14:55

Anglia e varur prej Herri Kejnit: Do të shkojmë për ta fituar Botërorin në Katar

Vetëm një gol i shënuar në tri ndeshje në Ligën e Kombeve nga Anglia. Dhe kur Garet Sauthgejt e kursen në stol me Italinë, dalin në pah edhe një herë problemet e “Tre Luanëve” përpara porte.

KEJN 1

Herri Kejn, autori i 50 golave me përfaqësuesen në 72 ndeshje konfirmoi edhe një herë të shtunën se është i pazëvendësueshëm për kombëtaren e tij.

Trajneri Sauthgejt vendosi ta linte pushim, duke ia besuar sulmin Temi Abrahamit nga minuta e parë.

Por Anglia nuk shënoi ashtu si në ndeshjen e parë kundër Hungarisë dhe i vetmi gol këtë fushatë në Ligën e Kombeve mban firmën e kapitenit Herri Kejn (barazoi në 88’ kundër Gjermanisë nga pika e bardhë e penalltisë).

“Fizikisht mendoj se jam mirë, psikologjikisht një lojtar ka luhatjet e tij. Presioni që vjen me ndeshjet të lodh pak, por ne jemi mësuar.

Kemi bërë vetëm 3-4 javë pushime gjatë 10 viteve të fundit. Është diçka me të cilën duhet të mësohesh”, tregon 28-vjeçari gjatë një interviste për “Daily Mail”. Duke e hedhur vështrimin pak më larg, nga Botërori që nis në nëntor, ai beson se skuadra e Anglisë është e aftë ta përballojë presionin dhe triumfojë në fund:

“Kur kthej kokën pas në vitin 2018 është argëtuese, sepse më herët ne nuk kishim pritshmëri reale.

Nuk kishim luajtur mirë në turne prej një kohe të gjatë.

Por çdo skuadër në kompeticion hyn për të fituar dhe ne nuk duhet të bëjmë përjashtim. Mendoj se tani është pak më ndryshe. Ne kemi shkuar në gjysmëfinalet e Botëror it në 2018, kemi arritur edhe në finalen e Europianit.

Dhe ndoshta do të hyjmë në këtë Botëror si një prej skuadrave favorite dhe kjo vjen me një presion të ndryshëm dhe me një përgjegjësi të ndryshme. Katër vitet e fundit kemi hasur pengesa.

Kemi krijuar historinë tonë dhe unë kam besim te ky grup. Kemi ende gjëra për të përmirësuar, por në tërësi skuadra është në një pozicion të mirë.

E luajtëm të gjithë Europianin pa humbur asnjë ndeshje dhe në finale u mundëm vetëm me penallti. Por Botërori është një hap tjetër dhe luajmë në një ambient të ndryshëm, në Katar. Ka gjëra që duhet të përmirësojmë për t’u shpallur kampionë bote. Dhe ky është objektivi ynë”.

Kejn është vetëm 3 gola larg barazimit të rekordit të Uejn Runit (53) shënuesi më i mirë i kombëtares së Anglisë. Në moshën 28- vjeçare, bomberi i Totenhemit jo vetëm që do ta thyejë këtë rekord, por pritet ta thellojë atë për ta bërë një mision akoma më të vështirë për t’u arritur nga brezat e ardhshëm:

“Unë kam pasur gjithnjë besim tek aftësitë e mia. E kam ditur gjithnjë se mund të shënoj gol. Teknikisht kam qenë gjithnjë shumë i fortë. Fizikisht m’u desh kohë më gjatë sesa lojtarëve të tjerë për t’u rritur dhe bërë një burrë. Por e kam ditur në kokën time se do të isha gati për këtë sfidë dhe një ditë do të bëhesha futbollist.

Kam shënuar një numër golash për të cilin jam i kënaqur. Por e di që shumë të tjerë do të vijnë. Jam 28 vjeç dhe jam ende i ri. Kam për të dhënë shumë më tepër”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"