Anglia e lodhur, Italia është më eksperte

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 14, 2014 | 14:11

Anglia e lodhur, Italia është më eksperte

England and Italy in action at Euro 2012Zhoze Murinjo e ka bërë një frazë të tijën prej vitesh tashmë. “Kompeticionet ndërkombëtare fitohen nga detajet e vogla”. Por kur bëhet fjalë për Kupën e Botës, këto detaje të vogla mund të kushtojnë punën e një brezi të tërë, sepse Botërori luhet një herë në katër vite, ndaj përgatitja duhet të jetë në nivelet e perfektes. Në pritje të supersfidës së parë të “Brazil 2014” Angli-Itali, numrat mund të japin një ide më të saktë në lidhje me faktin se cila është skuadra më e favorizuar, të paktën në letër, pasi në fushë gjërat mund të ndryshojnë. Në turne të tillë kaq të rëndësishëm, përveç talentit, baza kryesore është eksperienca, por pse jo edhe centimetrat e ofruara në fushë dhe funksionimi sa më i mirë i muskujve. Për këtë arsye, e përditshmja prestigjioze italiane “Gazzetta dello Sport” ka bërë një analizë të përgjithshme të të dy kombëtareve, Anglisë dhe Italisë, në pritje të debutimit të nesërm në Grupin D.
Kombëtare dhe Champions – Nuk ka dyshim që për nga cilësia e lojës, Premier Liga parakalon bindshëm Serinë A dhe, nëse do të bënim renditjen e kampionatit më të bukur dhe me më shumë audiencë, fitues do të ishin anglezët. Por, edhe pse në dukje, duket sikur anglezët kanë më shumë eksperiencë sesa italianët, në të vërtetë shifrat tregojnë të kundërtën. Duke llogaritur prezencat në nivel kontinental dhe ndërkombëtar, që kanë grumbulluar lojtarët e marrë në Brazil nga Roi Hoxhson dhe Çezare Prandeli, shifrat theksojnë se Italia ka më shumë eksperiencë si grup në të tilla kompeticione sesa Anglia. Sivjet, grupi i Prandelit ka grumbulluar 337 prezenca në Champions dhe Ligë Europe, ndërsa “banda” e Hoxhsonit 234. Nëse kësaj i shtojmë edhe eliminatoret e mundshme të luajtura për këto turne, shifrat mbajnë në avantazh sërish të kaltrit, 352 kundër 251 paraqitjeve. Lëmë mënjanë eksperiencën me klube dhe kalojmë te kombëtarja, ku shifrat totale të grupit aktual që përbën katër herë kampionët e botës, theksojnë se prezencat e Pirlos me shokë në përfaqësuese janë 571 (mesatarisht 51.9 ndeshje në kombëtare për secilin nga djemtë e Prandelit) kundrejt 423 ndeshjeve të grupit të Hoxhsonit (38.5 ndeshje për lojtar). Prandaj, nëse një rezultat final do të vendosej nga eksperienca në aktivitetet ndërkombëtare, atëherë Italia do ta mundte bindshëm Anglinë.
Lodhja e akumuluar – Në futbollin e sotëm thonë se janë muskujt ata që vlejnë, pasi ai është bërë shumë fizik dhe, siç tregojnë faktet, disa prej yjeve më të mëdhenj të botës si Falkao, Rojs, Riberi, Montolivo e Van der Vart do të humbin këtë eksperiencë, pasi fiziku i ka tradhtuar. Duke bërë një statistikë të tillë, grupi i Prandelit në sezonin e sapombyllur numëron 484 prezenca në total, ndërsa anglezët 496 sfida, ku e përkthyer ndryshe, do të thotë 39 mijë e 190 minuta për italianët dhe 41 mijë e 90 për anglezët. Por, nëse marrim vetëm formacionet titullare, Anglia e përbërë nga Hart, Xhonson, Kahill, Jagielka, Baines, Xherrard, Henderson, Lalana, Runi, Uelbek dhe Starrixh ka luajtur 1900 minuta më shumë sesa kundërshtarët titullarë të Italisë të përbërë nga Bufon, Darmian, Barzalji, De Shiljo, Kielini, De Rosi, Verrati, Pirlo, Markizio, Kandreva dhe Baloteli. Por këto 1900 minuta të “Tre Luanëve” përkthehen në 21 ndeshje më shumë sesa italianët, prandaj falë një statistike të tillë temperaturat dhe lagështira e madhe mund të ndikojnë më shumë në muskujt e Anglisë sesa tek Italia, ndonëse për të konfirmuar shifrat duhet pritur ndeshja e nesërme.
Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"