Angli-Itali do luhet në një fushë patatesh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 12, 2014 | 16:04

Angli-Itali do luhet në një fushë patatesh

Angli-ItaliNga jashtë shihen ende pirgje të mëdhenj me mbeturina dhe tonelata me materiale ndërtimi, kangjella mbrojtëse, automjete të tonazhit të rëndë dhe disa punëtorë në pamje të parë të sfilitur, që nuk kanë kohë të heqin nga koka as kaskat e sigurisë për të fshirë djersët, sepse çdo sekondë që kalon është një bast i humbur me kohën, në pritje të debutimit të Italisë dhe Anglisë në këtë Botëror. Por sikur të mos mjaftonte kjo, situata bëhet më e frikshme duke parë brenda impiantit. Pavarësisht koloritit të madh që ofrojnë stolat shumëngjyrësh nëpër tribuna, brenda mungon ngjyra më e rëndësishme, jeshilja, ajo e tapetit të gjelbër të “Arena Amazonia”-s. Fusha e lojës është e turpshme, sepse e gjelbra është e barasvlershme me ngjyrën kafe të tokës, aq sa në pamje të parë ajo të jep idenë e një fushë të mbjellash, me breza toke dhe bari thuajse të baraslarguar nga njëri-tjetri, me pak fjalë një fushë patatesh. Të shtunën në orën 18:00 lokale braziliane (ora 00:00 në Shqipëri), yje të kalibrit botëror si anglezët Runi, Xherrard, Lampard e Starrixh dhe italianët Pirlo, Bufon, Baloteli e De Rosi do zbresin në fushën e lojës për të startuar betejën e tyre të kësaj aventure, por ndërkohë do përballen me një kundërshtar që nuk e kishin parashikuar, fushën skandaloze… Tapeti i gjelbër është në gjendje të turpshme, aq sa specialistët e kësaj fushe theksojnë se do të jetë e pamundur që ai të jetë në gjendje optimale për ditën e ndeshjes, duke parë pamjet e “vjedhura” nga gazetari dhe fotografi Kolin Droniu, në një mision të rrezikshëm dhe nuk po bëjmë një batutë… Ai ka kaluar forcat e sigurisë për të ofruar informacionin e tij mbi atë që pritej të ishte parajsa e këtyre kombëtareve, por ndërkohë ai ka zbuluar një ferr të vërtetë, një impiant të frikshëm që konfirmohet lehtë nga pamjet, i cili ka pak shanse të ndryshojë deri të shtunën.
Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"