Aneksi stërvitor i Besës i ngjan një dite të zakonshme, futbollistët kavajas pushtojnë… fushën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 3, 2020 | 9:34

Aneksi stërvitor i Besës i ngjan një dite të zakonshme, futbollistët kavajas pushtojnë… fushën

Pavarësisht se karantimi ka nisur që më 12 mars, fusha e aneksit stërvitor të Besës asnjëherë nuk ka qenë e zbrazët. Në ditët e para dilnin futbollistë të veçantë, ku binte në sy kapiteni Alket Çelhaka e pas tij Dajsinani, Dobjani dhe sulmuesi i Partizanit Tedi Cara. Me kalimin e ditëve numri nisi të shtohet dhe kjo javë ka paraqitur një situatë sikur të ishte normale.

Besa-Kavaje

Nga e hëna janë parë të stërviten së bashku, madje të zhvillojnë edhe ndeshje mes tyre, futbollistë aktualë të Besës, por edhe mjaft kavajas që luajnë me ekipe të tjera. Kështu, dje nën drejtimin e ish-kapitenit Mihani u panë të stërviten sipas një programi thuajse të rregullt Çelhaka, Kacbufi, Dobjani, por edhe Lushkja e Deliu të Laçit, Hoxha i Beslidhjes, Brahimaj dhe Duka të Egnatias, portierët Dajsinani i Skënderbeut e Puja i Kastriotit.

Krahas tyre ishin edhe futbollistë moshash, si Lila, Deliu, Krasniqi, Rexha e të tjerë. Kur shihje këtë grup futbollistësh kavajas, në fakt të kënaqej syri, por fakt është se masat në këtë kohë e ndalojnë stërvitjen kolektive.

besa

Deri më sot nuk ka asgjë zyrtare lidhur me rifillimin e stërvitjes, por duket se lojtarët e Besës nuk pranojnë të qëndrojnë në karantinë. Pasioni për futbollin i bën ata të thyejnë rregullat dhe të neglizhojnë rrezikun. Qyteti i Kavajës nuk ka pasur të infektuar prej një muaji. Në mars pati 9 raste, madje edhe një viktimë.

Feriz Ferizaj – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"