Ançeloti vlerëson karakterin e lojtarëve: Prisni dhe pak, nuk e keni parë ende Realin e vërtetë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2021 | 11:41

Ançeloti vlerëson karakterin e lojtarëve: Prisni dhe pak, nuk e keni parë ende Realin e vërtetë

Trajneri i Realit të Madridit, Karlo Ançeloti ka dalë para gazetarëve në konferencën për shtyp para ndeshjes sonte në mbrëmje kundër Majorkës. Duke u ndalur te ndeshja ai ka nënvizuar se pritet të bëjë disa ndryshime në formacion.

Db Milano 15/09/2021 - Champions League / Inter-Real Madrid / foto Daniele Buffa/Image nella foto: Carlo Ancelotti PUBLI

Si është gjendja e ekipit para Majorkës?

Mendoj se jemi në një situatë të mirë, por natyrisht që gjithçka është në varësi të rezultateve. E rëndësishme është që skuadra lufton deri në fund.

A pritet të ketë ndryshime në formacion?

Mendoj se mund të ketë ndonjë ndryshim, por do të presim deri në fund. Kalendari është i ngjeshur, ka shumë takime përpara dhe është normale që të bëjmë ndonjë ndryshim.

Cili është ndryshimi midis Realit të parë të Ançelotit dhe Realit aktual?

Lojtarët kanë ndryshuar dhe kjo jo vetëm si emra. Tani kemi lojtarë me karakteristika të ndryshme. Për mua si trajner është e rëndësishme të kuptoj stilin e tyre, të përshtat pozicionet në fushë në mënyrë që të marr më të mirën e mundshme.. Por mund të them se e njoh mjaft mirë këtë klub.

A mendoni se ishte më mirë që nuk erdhi Mbape duke parë gjendjen e Viniciusit?

Më pëlqen të flas për lojtarët e mi. Viniciusi më duket shumë më i pjekur si lojtar, ka fituar më shumë besim në vetvete dhe nuk mendoj se edhe në rast të afrimit të ndonjë lojtari të ri do të ketë probleme.

Ju pëlqen më shumë fitorja apo loja e bukur?

Fitorja është e para, por nëse luan mirë ke më shumë mundësi për të fituar. Pastaj mos harroni se duhet ta ndajmë se çfarë kuptojmë me lojë të bukur. Për mua kyçi qëndron te ekuilibri që krijon skuadra në fushë. E rëndësishme është të bësh më të mirën qoftë kur ke zotërimin e topit, qoftë kur atë e zotëron kundërshtari.

A mendoni se ky klub ka ende nevojë për përmirësim?

Gjithnjë ka vend për përmirësim. Kemi disa probleme në mbrojtje ku duhet t’i rregullojmë disa gjëra. Pastaj edhe manovra sulmuese ka nevojë për disa rregullime. Mendoj se në mbrojtje kemi bërë mirë në përgjithësi edhe pse jemi ende në 60-70%. Të marrësh pesë rezultate pozitive në pesë transferta shumë të vështira kjo do të thotë se jemi një skuadër burrash.

Cilat janë raportet tuaja me klubin?

Në këtë moment gjithçka duket mjaft mirë. Do të kemi edhe probleme, por respekti mes palëve nuk do të mungojë asnjëherë. Kështu ka ndodhur dhe në të kaluarën mes nesh.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"