Ançeloti: Jam mrekulluar vetëm me 2 javë në Mynih

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 25, 2016 | 11:15

Ançeloti: Jam mrekulluar vetëm me 2 javë në Mynih

Ka vetëm dy javë në stolin e Bajernit, por gjatë një interviste për “ESPN”, Karlo Ançeloti flet me superlativa për përshtypjet e para që i ka lënë puna në stolin e rekordmenëve gjermanë. Tri ndeshjet e para përgatitore i ka fituar dhe sot së bashku me 23 lojtarë të tij do të niset drejt SHBA-së për “Audi Cup”.

anceloti stervitje

Pas dy javësh në Mynih, cilat janë përshtypjet tuaja të para për klubin, skuadrën dhe qytetin?

Është një përvojë shumë e bukur për mua. Kam gjetur një klub fantastik, shumë të organizuar, një qytet të bukur dhe të pastër dhe seancat e para stërvitore kanë qenë shumë pozitive. Lojtarët janë të përqendruar dhe kemi një skuadër me të vërtetë cilësore për sezonin. Gjithçka është OK deri tani.

Keni krijuar një përshtypje se deri në çfarë niveli mund të arrijë kjo skuadër dhe a mendoni se do të argëtoheni duke punuar me ta?

Deri tani ne kemi vetëm 7 lojtarë të skuadrës së parë, sepse shumica janë ende me pushime. Skuadra është shumë konkurruese në të gjitha pozicionet në fushë. Jam i lumtur dhe mendoj se mund të bëjmë një sezon pozitiv.

Ju keni qenë në stolin e klubeve më të mëdha, keni stërvitur lojtarët më të mëdhenj, ata me egon më të fortë. Si e konsideroni sfidën te Bajerni?

Sfida është kudo njëlloj: duhet që të jesh i aftë të ndërtosh një marrëdhënie të mirë me lojtarët, të gjesh strategjinë e duhur për ndeshjet, t’i ndihmosh ata të bëjnë më të mirën. Është kudo njëlloj: secili ka karakterin e tij dhe ti duhet ta menaxhosh.

anceloti bajern

Si ka ndryshuar trajningu që kur ju u bëtë trajner te Rexhana 20 vite më parë?

Ka ndryshuar shumë. Është krejtësisht ndryshe nga dy dekada më parë. 20 vite nga sot ti kishe vetëm 16 lojtarë për një ndeshje në javë. Sot ke 25 për një ndeshje çdo tri ditë. Nuk është më e mundur të shpenzosh shumë kohë në stërvitje. Mund të përdorësh disa videoanaliza për t’u treguar futbollistëve strategjinë e ndeshjes, por tani është më shumë lojë dhe pushim.

Keni ndryshuar si trajner?

Stili im është pothuajse i njëjti. Më e rëndësishmja është, siç e thashë, që të ndërtosh marrëdhënien me skuadrën dhe të gjesh zgjidhjet e duhura në fushë së bashku me ta.

A është bërë trajningu më teknik?

Do të thosha më shumë psikologjik. Duhet të menaxhosh 25 lojtarë, nga të cilët vetëm 11 mund të luajnë. Duhet t’i mbash 14 të tjerët të motivuar dhe kjo është pjesa më e vështirë e punës sime. Çdo futbollist dëshiron të luajë çdo ndeshje dhe ti duhet t’u shpjegosh atyre se ata janë shumë të rëndësishëm, edhe pse nuk luajnë në çdo ndeshje.

Është kjo pjesa më e vështirë?

Po. Dhe nuk është pjesa teknike, sepse ti nuk duhet t’u shpjegosh atyre sesi të luajnë, por sesi të sillen dhe kjo është shumë e vështirë.

guardiola anceloti

Si do ta ndryshoni qasjen taktike nga ajo që kemi parë këto 3 vitet e fundit nën regjinë e Pep Guardiolës?

Unë nuk dua të bëj revolucion, sepse ajo që ka bërë kjo skuadër në 3 vitet e fundit me Guardiolën ka qenë një punë me të vërtetë pozitive. Ata kanë luajtur shumë mirë dhe unë nuk dua të ndryshoj shumë gjëra. Sigurisht që do përcjell filozofinë time dhe lojtarët duhet ta kuptojnë atë. Dhe pas kësaj përpjekjeje, ne do të përpiqemi që të vazhdojmë të luajmë në këtë stil, sepse është me të vërtetë shumë i mirë sipas mendimit tim.

Cila është filozofia juaj?  Apo po flasim vetëm për prekjen e detajeve të vogla?

Duke qenë se ne jemi një klub me lojtarë shumë të mirë, ideja është që të prodhojmë edhe futboll të tillë, të sulmojmë mirë, të shënojmë shumë gola, të përpiqemi të pësojmë sa më pak. Futbolli nuk është i ndërlikuar. Futbolli i mirë është i thjeshtë.

Keni qenë ndonjëherë pranë punës si trajner kombëtareje?

Jo, asnjëherë pranë. Mua më pëlqen të jem i angazhuar çdo ditë me punë, të jem çdo ditë në fushë. Ndoshta në të ardhmen, nuk e di. Por tani plani im është të punoj vetëm në klube.

Mendoni se nuk do të mund të stërvitni mjaftueshëm si një trajner kombëtareje?

Është një punë shumë e vështirë, sepse nuk ka kohë për stërvitje dhe për të përgatitur skuadrën. Për këtë arsye nuk pamë dhe shumë futboll të nivelit të lartë në Europian. Axhenda e ndeshjeve është shumë e ngjeshur dhe nuk ke kohë për ta organizuar mirë skuadrën. Është e vështirë që kombëtaret të luajnë futboll cilësor.

Është më e lehtë të mbrosh?

Sigurisht. Me topin në këmbë është më e vështirë, sepse duhet të krijosh. Pa top, kur thjesht mbrohesh, është gjëja më e lehtë.

Keni ndopak frikë se trendi do të shkojë drejt një futbolli më mbrojtës, me skuadrat që kundërsulmojnë gjithë kohës?

Nuk kam frikë, sepse futbolli gjithnjë i tillë ka qenë. Ka pasur një periudhë kur zotërimi i topit është konsideruar mënyra më e mirë. Ka pasur një periudhë kur mënyra më efikase është quajtur kundërsulmi. Ky është futbolli, nuk ka lajm këtu.

ancelotti berlusconi

Ju shkruat gjatë Europianit se Milani i Arrigo Sakit mund t’i bënte të dyja: të zotëronte topin dhe të kundërsulmonte. Ju thoshit se ky ishte ekuilibri në futboll. Është ky stili ideal?

Fjala më e rëndësishme në futboll është ekuilibër në opinionin tim, pra të jesh i zoti me topin dhe pa topin në këmbë. Kjo është detyra jonë.

Po i prisni me emocione ndeshjet kundër ish-ekipeve tuaja, Milanit dhe Realit të Madridit në turin e SHBA-së? A janë këto ndeshje speciale për ju?

Sigurisht. Unë kam qenë futbollist dhe trajner te Milani. Qëndrova atje për 13 vite dhe kam kujtime me të vërtetë speciale. Edhe te Reali i Madridit kalova dy vite intensive dhe ishte me të vërtetë një përvojë shumë e mirë. Është e vërtetë, do të jenë ndeshje të veçanta, edhe pse do të jenë miqësore.

Është më e lehtë për ju që t’i përgatitni lojtarët për këto miqësore, veçanërisht kur rivalët janë emra të mëdhenj?

Është me të vërtetë emocionuese për futbollistët kur luajnë ndaj ekipeve të tilla, sepse kjo i ndihmon me motivimin dhe përqendrimin. Shumë njerëz do t’i shohin këto ndeshje dhe kjo është diçka pozitive për çdo lojtar që të luajë në të tilla takime. Rezultati, të gjithë e dinë, nuk është gjëja më e rëndësishme. Por ajo që vlen është të bësh një ndeshje pozitive, të luash mirë dhe të përpiqesh të përmirësosh kondicionin fizik përpara fillimit të sezonit.

Disa lojtarë do të rikthehen vetëm muajin e ardhshëm. Sa mendoni se do të zgjasë për Bajernin që të jetë skuadra juaj në fushë dhe të luajë pikërisht siç ju doni?

Të gjithë lojtarët kthehen më 5 gusht. Siç e thashë, nuk ka nevojë për revolucion, kështu që shpresoj që skuadra të jetë gati në fillim të sezonit për finalen e Superkupës së Gjermanisë ndaj Dortmundit, më 14 gusht.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"