Ançeloti i lumtur pas fitores në derbi ndaj Atletikos: Kampionat i çuditshëm! Barcelona, rivali numër një

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2022 | 14:25

Ançeloti i lumtur pas fitores në derbi ndaj Atletikos: Kampionat i çuditshëm! Barcelona, rivali numër një

Reali ka mundur Atletikon në një derbi tepër të nxehtë. Suksesi 1-2 i “Los Blancos” në “Metropolitano” e ka lumturuar trajnerin Karlo Ançeloti, i cili nuk e ka fshehur gëzimin gjatë konferencës për shtyp pas takimit.

ANCELOTI 1

“Natyrisht që jam shumë i kënaqur, nuk ka se si të jetë ndryshe. Nuk është e lehtë të fitosh një derbi”, ka thënë italiani. Më pas, trajneri i Realit i ka bërë një analizë më të thellë takimit.

“Pjesa e parë ka qenë e shkëlqyer do të thoja, çdo gjë ka qenë perfekte. Kemi shfrytëzuar na maksimum mundësitë e krijuara. E gjithë skuadra ka luajtur si një orkestër, ku secili ka bërë mjaft mirë detyrën e vet.

Më vjen pak keq që nuk mundëm të paraqiteshim të tillë edhe në pjesën e dytë. Ideja jonë ishte të luanim vertikalisht dhe pas dy golave në pjesën e parë menduam se do të ishin të mjaftueshëm për ta fituar takimin.

Por ata na shënuan në fundin e takimit, duke na e vështirësuar disi. Mendoj se në 45 minutat e dyta na mungoi pak ajo ambicia për të shënuar të tjerë gola, sepse mundësitë ishin, duke parë që Atletiko na la shumë hapësira”, theksoi Ançeloti.

Trajneri i Realit ka vlerësuar edhe Rodrigon, që ka bërë mjaft mirë kapitenin Benzema, i cili mungoi në takimin e luajtur mbrëmë.

“Rodrigo është një lojtar shumë i zgjuar, i ikën lehtë markimit të kundërshtarit. Është një lojtar me cilësi të shkëlqyera dhe shënoi një gol fantastik. Rodrigo ka cilësi që i lejojnë të luajë në çdo pozicion.

Valverde? Edhe ai ka luajtur shumë mirë, por nuk dua të flas për emra të përveçëm, sepse e gjithë skuadra ka luajtur shumë mirë”, ka nënvizuar Ançeloti.

Në fund dy fjalë dhe për Viniciusin: “Askush nuk mund ta mohojë talentin e tij. Ishte ai që na dha mundësinë të shkonin më 2- 0. Ky është një kampionat i çuditshëm me Botërorin në mes”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"