Ançeloti: E mbajta premtimin, pas penalltisë bëmë ne ligjin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 8, 2017 | 11:07

Ançeloti: E mbajta premtimin, pas penalltisë bëmë ne ligjin

Karlo Ançeloti i jep biletën e çerekfinales Bajernit të Mynihut. Ëndrra e bavarezëve për të fituar tripletën po afron. Gjatë konferencës për shtyp, trajneri italian analizon ndeshjen, komenton vendimin e gjyqtarit, si dhe beson te triumfi.

anceloti arsenal

Si ju duk paraqitja në Londër?

Ishte një ndeshje e vështirë. Kishim probleme në mbajtjen e pozicioneve. Arsenali na ushtroi presing në thellësi dhe e prisnim një gjë të tillë. U lamë shumë hapësira.

Para ndeshjes premtuat të njëjtën performancë si në Mynih. Duket se parashikimi juaj doli.

Gjërat nuk shkuan të gjitha sipas parashikimeve të mia, por më vjen mirë që e mbajta premtimin. Bajerni im luan vetëm për fitore dhe loja jonë sa vjen dhe konsolidohet më shumë. Më vjen mirë që nuk pësova makthin e Deportivos apo Liverpulit (qesh).

Sa e vështirë ishte të përzgjidhnit formacionin për këtë sfidë?

Ishte shumë e komplikuar të bëje zgjedhjet dhe vije balancat e duhura pas një fitoreje 5-1. Megjithatë, lojtarët treguan urinë për të fituar dhe shënuar gola.

Hodhët në fushë formacionin më të vjetër në historinë e Bajernit në Champions. I besuat eksperiencës?

Nuk bazohem aspak nga mosha. Unë bëra zgjedhjet e mia dhe rastisi se ishin të saktat. Në përgjithësi, trajnerët vendosin edhe nga eksperienca e lojtarëve, por në ekip të gjithë kanë përvojën e duhur për të luajtur në Champions.

anceloti venger

Si duken shanset për të fituar Champions-in?

Duhet të përmbahemi. Nuk mund të parashikojmë se çfarë na sjell e ardhmja. Di të them se jemi konkurrentë të fortë dhe kemi besim te vetja. Mund ta fitojmë, por është e vështirë, pasi detajet e vogla bëjnë diferencën.

Komenti juaj për ndëshkimin me karton të kuq të Koshielnit?

Ishte një vendim i gjyqtarit. Pas penalltisë dhe kartonit të kuq e bëmë ne ligjin.

Pse nuk luajti asnjë minutë Tomas Myleri, ndërkohë që edhe si zëvendësues i besuat më shumë Kostës, Kimish dhe Sançes?

Myleri nuk pati mundësi të luante, sepse më duhet të zgjedh vetëm 11 lojtarë. Ai është shumë i rëndësishëm për ne, por në organikën tonë ka shumë lojtarë cilësorë. Tre zëvendësimet rezultuan të suksesshme. Secili ka nevojë të marrë minutat e veta. Kemi ende shumë ndeshje për të zhvilluar dhe Myleri do jetë patjetër pjesë e boshtit tonë kryesor.

Përgatiti: ENIAR IBRO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"