Ançeloti analizon suksesin dhe kthen mendjen te “El Clasico”: Zhvilluam ndeshjen perfekte, ndaj Barçës tjetër muzikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2021 | 9:51

Ançeloti analizon suksesin dhe kthen mendjen te “El Clasico”: Zhvilluam ndeshjen perfekte, ndaj Barçës tjetër muzikë

Reali ka marrë një fitore të madhe në Kiev përballë Shahtjorit. Një sukses që kthen qetësinë dhe optimizmin pas dy humbjesh radhazi. Dhe për më shumë që vjen përpara përballjes me rivalin e saj më të egër, Barcelonën në “Camp Nou” në fundjavë. Trajneri Ançeloti ka analizuar fitoren me Shahtjorin, duke mos harruar as Barçën, duke ia bërë të qartë ekipit të tij se të dielën do të jetë një takim krejt tjetër.

anceloti

NDESHJA – “Di të them se kam një skuadër të jashtëzakonshme, me një ambicie për t’u pasur zili. Mendoj se kemi bërë një ndeshje në kufijtë e perfektes. Na nevojitej një reagim pas rezultateve të kohëve të fundit dhe jam i kënaqur që gjithçka ka shkuar mirë. Skuadra është përgjigjur mjaft mirë edhe fizikisht dhe për këtë kanë meritë të gjithë”.

KTHIMI I MENDI – “Rikthimi i tij është mjaft i rëndësishëm për ne, por dhe për vetë atë. Është një lojtar mjaft cilësor. Ka luajtur 65 minuta mjaft të mira”.

BENZEMA – “Karim Benzema është një lider në fushën e lojës. Por nuk është i vetmi, sepse kemi dhe lojtarë shumë të rëndësishëm si Modriç, Kros e Kasemiro. Megjithatë, Benzema ka një personalitet të jashtëzakonshëm. Më ka pëlqyer gjithnjë, më pëlqen edhe më shumë tani”.

KLASIKJA – “Nga ndeshja kundër Shahtjorit kam marrë shumë përgjigje pozitive. Kjo është shumë e rëndësishme para klasikes. Por një gjë është e qartë, klasikja do të jetë një tjetër melodi”.

VINICIUS – “Ai ka luajtur mjaft mirë, sikurse i gjithë ekipi. Jemi mbrojtur mjaft mirë dhe fakti që nuk kemi pësuar e tregon këtë. Kemi aplikuar mjaft mirë strategjinë e përgatitur për këtë ndeshje. E thashë, nuk dua të veçoj asnjë lojtar. Por provimi i vërtetë do të jetë ndaj Barçës”, ka mbyllur Ançeloti.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"