Ançeloti analizon Realin dhe komenton gjendjen e rivalëve: Benzema është si vera, Barcelonën e dua të fortë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2021 | 11:24

Ançeloti analizon Realin dhe komenton gjendjen e rivalëve: Benzema është si vera, Barcelonën e dua të fortë

Trajneri i Realit të Madridit, Karlo Ançeloti, është shfaqur para mediave të premten pasdite për të folur për takimin e sotëm në kampionat kundër Vijarealit. Tekniku italian pritet të bëjë sërish rotacion në formacion, nisur nga kalendari i ngjeshur. Në konferencë ai është ndalur dhe te Benzema apo dhe te situata kaotike te Barcelona.

anceloti 1

NJË NOTË PËR EKIPIN – “Të vësh nota në këtë moment vlen shumë pak, në mos aspak. Do të vijnë ditë të vështira edhe për ne dhe duhet të tregohemi të gatshëm për t’i përballuar. Për momentin rezultatet po vijnë. Natyrisht që kemi ende punë për të bërë për t’u përmirësuar”.

FUTBOLLI MODERN – “Futbolli ka ndryshuar shumë, si në planin teknik dhe në atë taktik, pasi për sa i përket lojtarëve gjithnjë ka pasur lojtarë shumë të mirë. Skuadra të ndryshme zgjedhin mënyra të ndryshme, ka nga ato që i pëlqen zotërimi i topit, por e përgjithshmja është se tani skuadrat e pëlqejnë shumë vertikalizimin dhe kundërsulmin”.

RROTACIONI – “Kalendari është shumë i ngjeshur dhe ky përbën një problem për të gjithë. Ndaj duhet të bëjmë shumë kujdes për ta administruar sa më mirë këtë situatë. Ti lë në stol një lojtar, zëvendësuesi në fushë bën një paraqitje të shkëlqyer dhe më pas duhet të ndash se cilin do të lësh në stol. Për mua rëndësi ka qenë në fushë të jetë ekipi më i mirë dhe më shumë shanse për të luajtur kanë ata lojtarë që kanë pak më shumë pushim”.

BARCELONA – “Përveç drejtimit të ekipit tim, unë shoh me kënaqësi edhe ndeshjet e tjera sepse futbolli më pëlqen. Natyrisht që nuk më kënaq fakti të shoh një skuadër që po kalon një moment kaq të keq, qoftë Barcelona, qoftë çdo skuadër tjetër”.

MUAJI I MJALTIT – “Kur të mbarojë do t’ua them të gjithëve, por tani për tani gjithçka po shkon mirë”.

BENZEMA PËR “TOPIN E ARTË” – “Për atë çfarë po bën në këtë sezon duhet të jetë patjetër në listën e lojtarëve që mund ta fitojnë. Thënë kjo, unë mendoj se Benzema është në kohë për ta fituar “Topin e Artë”. Nuk besoj se ai do ta mbyllë me futbollin në këtë sezon. Ai është si vera, sa më shumë vjetërsohet aq më i mirë bëhet”.

KALENDARI- “Të them të drejtën me kaq shumë ndeshje njëra pas tjetrës nuk kemi kohë për stërvitje të plota. Më shumë jemi duke punuar me video se në fushë”.

PROBLEMET NË MBROJTJE – “Nuk e kam thënë asnjëherë se nuk kemi probleme. Duhet të përmirësohemi sepse gjithnjë ka vend për përmirësim dhe mbrojtja është një nga repartet ku duhet të punojmë”.

VIJAREALI – “Luajmë përballë një kundërshtari me mjaft eksperiencë, një organizim të mirë dhe i mësuar të luajë në nivele shumë të larta. Për ne kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme. Gëzojmë një formë të mirë dhe duam të mos ndalemi, por për të fituar ndaj tyre duhet të djersimë në fushë”- ka thënë Ançeloti.

HAZARD – “Është stërvitur mirë, ka rigjetur formën, por edhe nëse është në 100% nuk mund të garantoj që do të luajë 90 minuta. Duhet të tregohemi të kujdesshëm me të”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"