Analogjia me sezonin e vitit 1998-’99, ish-kryebashkiaku Dredha: Ja si shpëton Flamurtari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 8, 2019 | 20:58

Analogjia me sezonin e vitit 1998-’99, ish-kryebashkiaku Dredha: Ja si shpëton Flamurtari

Thonë që historia përsëritet. Flamur tari i vitit 2019, i ngjashëm me atë të sezonit ’98- ’99. Në atë kohë, rreth 10 vite më parë, Bashkia e Vlorës akordoi një fond prej 100 milionë lekësh, me qëllim që klubi të dilte nga kriza e të mos binte nga kategoria.

neki dredha

Neki Dredha, ish-kryetari i Bashkisë së Vlorës në vitet 1998- 2000, në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, thotë se bashkia dhe Këshilli Bashkiak, duhet që të reagojnë e të ndihmojnë Flamurtarin, të cilin si mjek e konsideron të kapur nga gripi.

“Në kohën kur unë kam qenë në moshë të re, Flamurtari shkëlqente në stadiumin e Barcelonës. Kam qenë atje dhe kam parë të gjitha fotografitë e lojtarëve të Flamurtarit dhe u përlota nga gëzimi. Kur unë isha në drejtimin e Bashkisë së Vlorës, në vitin 1998, Flamurtari ishte gati për të dalë nga kategoria. Ne e ndihmuam si bashki dhe kjo është detyrë e institucionit dhe jo e individëve të veçantë, pasi në fund të fundit i shërben qytetit dhe popullit të Vlorës dhe banorëve që votojnë edhe për kryetarin e bashkisë. Prandaj, duhet me domosdo që Këshilli Bashkiak dhe kryetari i bashkisë të vendosin fonde për ta nxjerrë nga ‘gripi’ që ka përfshirë sot Flamurtarin. Bashkia duhet të miratojë urgjentisht një fond për Flamurtarin. Fondin nuk e jep nga xhepi kryetari i bashkisë, as Këshilli Bashkiak, ia japin qytetarët e Vlorës. Qytetarët duhet të shikojnë një skuadër që të shkëlqejë në stadiumin e tyre”, tha fillimisht Dredha.

Flamurtair

ÇFARË NDODHI- Ishkryetari i Bashkisë së Vlorës, Neki Dredha, tregon ekskluzivisht për “Panorama Sport” se si e shpëtoi Flamurtarin në sezonin ’98-’99, kur ishte duke rënë nga kategoria. Dredha tha se atëherë ka miratuar një fond prej 100 milionë lekësh, 70 milionë më shumë nga çfarë i kërkuan drejtuesit e klubit. Atëherë, ekipi shpëtoi dhe nuk ra nga kategoria.

“Ne, atëherë, diku në fund të vitit 1998, vendosëm në dispozicion 100 milionë lekë. Ata kërkuan 30 milionë lekë në takimin që pata me drejtues të klubit dhe drejtuesit teknikë të skuadrës në atë kohë. Unë u thashë: ‘Jo, do t’ju jap 100 milionë lekë, vetëm duhet që të luani me ndërgjegje të pastër dhe të vini të gjitha forcat njerëzore dhe fizike që të përfaqësoni atë Flamurtar që ka qenë dikur’. Atëherë në kohën time Flamurtari doli nga kriza. Më tej Shpëtim Gjika punoi shumë mirë me ekipin dhe arriti rezultatet, por këto duhen mbajtur në vazhdimësi. I mirë nuk është ai që merr pushtetin, pra një skuadër që formohet, por ajo që di ta mbajë veten dhe të shkëlqejë hap pas hapi duke rritur nivelin e kërkesave dhe jo duke i ulur”, u shpreh ish-kryebashkiaku.

VAZHDIMËSIA- Ish-kryetari i Bashkisë së Vlorës, Neki Dredha, deklaron se do të ishte fatale nëse Flamurtari këtë sezon do të binte nga kategoria. “Nëse Flamurtari del nga kategoria, do të ishte fatale dhe më vjen shumë keq. I bëj thirrje kryetarit të bashkisë dhe Këshillit Bashkiak të zgjasin dorën e ngrohtë që të përkrahin lojtarët me qëllim që ata të bëjnë diçka”, tha Dredha. Ishkryebashkiaku i Vlorës foli edhe për privatizimin, por sipas Dredhës edhe në këtë pjesë bashkia duhet që të ketë pjesën kryesore në klub.

“Privatizimi ka qenë edhe ëndrra e dikurshme. Ata njerëz që kanë qenë afër Flamurtarit gjithmonë kanë dashur ta bëjnë pronë të tyre personale. Unë kam bindjen se bashkia duhet të jetë gur themeli, pastaj të tjerët të jenë ndihmës”, vijoi Dredha.

SHKARKIMI – Neki Dredha tregon një episod se si shkarkoi trajnerin e Flamurtarit pasi qëlloi me pëllëmbë gjyqtarin. “Mbaj mend diçka. Kam shkarkuar trajnerin në atë lojë pasi qëlloi me pëllëmbë gjyqtarin. Ishte një trajner i mirë me origjinë nga Ramica. E hoqa për këtë veprim, por kam respekt për të. Në stafin teknik atëherë ishte edhe Latif Gjondeda. Ai ishte një njeri i përpjekur dhe një ndër ata që kërkonte zgjidhjen”, tha Dredha.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"