Analizë tek Erzeni, lojtarët premtojnë autokritikë/ Dollaku: Nuk heqim dorë nga misioni

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 29, 2021 | 15:06

Analizë tek Erzeni, lojtarët premtojnë autokritikë/ Dollaku: Nuk heqim dorë nga misioni

Në Shijak nuk po e harrojnë dot atë humbje që pësuan në Peqin. Edhe pse në transfertë, nuk e përtypin dot që u mundën nga Shkumbini që sapo është ngjitur në Kategorinë e Parë dhe mbi të gjitha nuk ka investuar miliona në merkato dhe vjen nga një fazë përgatitore plot probleme. Zhgënjimi është aq i madh dhe jo vetëm nga rezultati apo lënia e pikëve, por loja pa nerv dhe mungesa e shpirtit të garës që shfaqën lojtarët në fushë.

Erzeni2

Edhe pse këto janë karakteristika që kanë shoqëruar ndër vite Erzenin, në këto tri javë të para nuk janë parë kurrkund. Dhe po flasim për sezonin kur drejtuesit nuk janë kursyer aspak në merkato, vetëm e vetëm që të sigurohet ngjitja në elitë. Skuadra është larg pritshmërive dhe dy humbjet e pësuara dhe një fitore janë dëshmia më e mirë.

E megjithatë, drejtuesit kanë marrë situatën nën kontroll dhe kanë zhvilluar një analizë të detajuar të asaj që ngjau në stadiumin “Shkumbini”. Është vetë koordinatori Fundim Dollaku që zbulon për “Panorama Sport” se kanë zhvilluar një mbledhje dhe futbollistët kanë premtuar autokratikë.

“Është plotësisht i drejtë shqetësimi që kanë tifozët e Erzenit, por në të njëjtën linjë jemi të gjithë. Edhe vetë stafi teknik e lojtarët nuk janë të qetë. Për të kuptuar shkaqet e vërteta të kësaj gjendjeje, organizuam një analizë të posaçme dhe diskutuam si mund të dilet prej saj. U pranua dhe u bë autokritikë nga vetë futbollistët. Drejtuesit me të drejtë kërkojnë një Erzen ndryshe ketë sezon, sepse nuk i mungon asgjë si në anën financiare ashtu edhe nga infrastruktura. Me përbërjen që kemi, gabime të tilla janë të ndaluara.

Nëse në këto tri javë ndodhën, në vazhdim jo më. Lojtarët janë duke u stërvitur maksimalisht dhe kthesa do të shihet në ndeshjen e radhës. Nuk heqim dorë nga misioni që i kemi vënë vetes dhe kemi bindjen se do ta realizojmë. Sezoni tjetër do të na gjejë në elitë”, përfundoi Dollaku, që njëherësh është edhe ish-futbollist i skuadrës shijakase.

FIQIRI SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"