Analizë te Teuta, zbardhet fjalimi i trajnerit Edi Martinit para ekipit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 16, 2021 | 23:45

Analizë te Teuta, zbardhet fjalimi i trajnerit Edi Martinit para ekipit

Humbja ndaj Skënderbeut dhe eliminimi nga Kupa e Shqipërisë, sigurisht që ka djegur jo pak në kampin durrsak. Teuta vinte nga një moment mjaft i mirë, ku kryesonte tabelën në Superiore dhe kishte si synim arritjen në finale, duke mbrojtur sërish trofeun si fituese në fuqi e Kupës.

Edi Martini teuta

Megjithatë, në Durrës nuk kanë kohë të qajnë këtë humbje, pasi do të përballen sërish me Skënderbeun, këtë herë për llogari të javës së 27-të të kampionatit, të dielën në Korçë ora 16:00. Dje “djemtë e detit” kanë zbritur menjëherë në fushë. Në stërvitje lojtarët kanë qenë të mobilizuar në maksimum dhe të vetëdijshëm për atë që i pret. Te Teuta janë të bindur se do të rikthehen te fitorja, këtë herë në Korçë, me synimin për të ruajtur kreun.

Në seancën posteliminimit nga Kupa, trajneri Edi Martini, nisi gjithçka me një fjalim para ekipit. “Djema, pavarësisht asaj që ndodhi me Skënderbeun në Kupë, ne duhet të qëndrojmë me kokën lart. Na presin edhe nëntë finale. Siç e kemi treguar edhe herët e tjera, që në momente të vështira jemi bërë më të fortë dhe ia kemi dalë. Tashmë sërish duhet të vazhdojmë të bashkuar dhe të fokusohemi te kampionati”, ishin fjalët e Martinit para ekipit.

TITULLARËT – Teuta ka nisur përgatitjet për ndeshjen e radhës në kampionat, që luan sërish ndaj Skënderbeut dhe trajneri Martini së pari kërkon të shikojë gjendjen aktuale të skuadrës. Lajm i mirë është fakti se nuk ka asnjë problem dhe grupi është i plotë. Ndaj Skënderbeut për kampionat, Teuta mund të ndryshojë formacionin.

Nga minuta e parë do të luajë si zakonisht me Frashërin në portë. Në mbrojtje do të rreshtohen të zakonshmit Todorovski, Hoxha dhe Arapi, por me dilemën e krahut të majtë, aty ku në balotazh për një vend janë Xhekson dhe Kuro që ka lënë pas dëmtimin. Në mesfushë pritet të ketë të paktën një ndryshim. Me Aleksin dhe Emiliano Vilën të rikonfimuar titullarë, dilema e madhe është nëse do të jetë Daja nga minuta e parë apo Karabeci ose Avdyli.

Ky i fundit ka disa ndeshje që nuk preferohet nga Martini dhe nuk është çudi që ta nisë këtë herë titullar. Para tyre do të luajë treshja e zakonshme: Lorenco Vila, Bregu dhe Krasniqi. Gjithsesi, mbeten edhe dy ditë përgatitje për të vulosur formacionin. Në 3 përballjet e fundit me korçarët këtë kampionat, Teuta ka arritur të fitojë dy herë (3-1 dhe 2-0), ndërsa një ndeshje ka përfunduar në barazim 1-1. Të dielën “djemtë e detit” shkojnë në transfertë me petkun e ekipit kryesues dhe hapi fals këtë herë është i ndaluar.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"