Analizë para stërvitjes, Gjyrezi: E patolerueshme kjo situatë, vetëm fitore ndaj Kamzës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 15, 2017 | 13:58

Analizë para stërvitjes, Gjyrezi: E patolerueshme kjo situatë, vetëm fitore ndaj Kamzës

Para fillimit të seancës së djeshme stërvitore, te Vllaznia është zhvilluar një analizë e shkurtër, ku i pranishëm ka qenë edhe administratori i klubit, Astrit Gjyrezi. Ai ka folur disa minuta para futbollistëve në lidhje me situatën në skuadër dhe po ashtu, është ndalur gjatë tek sfida e radhës ndaj Kamzës, ku Vllaznia do të kërkojë fitoren.

Astrit Gjyrezi

Astrit Gjyrezi

“I kam kërkuar ekipit që të japë maksimumin në takimin me Kamzën. Gjithashtu i kam kërkuar seriozitet maksimal në punë. Gabimet e bëra, si në sulm dhe në mbrojtje, duhet që të rikuperohen. Është e patolerueshme një situatë e tillë, pavarësisht se lojërat janë në rritje. Duhet që të vijnë edhe rezultatet, sepse po na mungojnë pikët dhe këto janë ato që mbesin.

Duam fitore në takimin me Kamzën, nuk ka asnjë rezultat tjetër që të na kënaqë. Kam besim te kjo skuadër, por duhet që të gjithë të tregojnë maksimumin në stërvitje dhe në fushën e lojës. Nga ana e klubit ekipit po i plotësohen të gjitha detyrimet. Tani janë lojtarët që duhet të bëjnë më të mirën për këtë fanellë”, – ka thënë dje administratori Gjyrezi për “Panorama Sport”.

ECURIA

Starti i sezonit e ka gjetur Vllazninë me më pak pikë sesa 5 javët e para të një sezoni më parë. Një sezon që nuk duket se ka nisur siç duhet për djemtë e teknikut Armando Cungu. Kjo jo vetëm nga pikët e grumbulluara, por edhe për nivelin e lojërave të shfaqura, si dhe për vetë vështirësinë që ka pasur në sfidat e fundit të këtij fillimsezoni krahasuar me ato të një sezoni më parë.

Kuqeblutë kanë grumbulluar 5 pikë në pesë takimet e zhvilluara në këtë sezon, duke shënuar 3 gola dhe duke pësuar pesë të tillë. Një sezon më parë, ekipi kishte marrë 6 pikë, por duke shënuar dy gola dhe kishte pësuar 3 të tillë, e këto vetëm brenda një 90-minutëshi.

Çdokush mund të mendojë që një nisje e tillë nuk do të thotë asgjë, por kur mendohet fundi i sezonit të shkuar, që gjithçka u vendos jo nga pikët e grumbulluara, por nga golat e shënuar e pësuar për të rënë nga kategoria apo mbijetuar, një pikë më shumë apo më pak e marrë nga kjo skuadër në pesë javët e para merr shumë vlera në një moment të tyre.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"