Anglia ngadhënjen në Kupat e Europës me 4 skuadra!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 23, 2019 | 14:36

Anglia ngadhënjen në Kupat e Europës me 4 skuadra!

SKIFTER KËLLIÇI – BOSTON

E rrallë deri tani… Pas ndeshjeve gjysmëfinale të Kupave të Europës në futboll, në finale arritën 4 skuadra angleze: në Kupën e Kampionëve, Liverpuli kundër Totenhemit dhe në Kupën e UEFA-s, Çelsi kundër Arsenalit. Por, angleze skuadrat e mësipërme kanë vetëm emrin, sepse në katër gjysmëfinalet përfaqësues të kombësisë angleze ato kishin vetëm… 9 lojtarë. Kusuri – nga të katër anët e botës. Po ndalemi vetëm në ndeshjet e kthimit, të zhvilluara javën e kaluar. Në radhët e Totenhemit në ndeshjen kundër Ajaksit (të fituar 3- 2) anglezë ishin Tripier, Rouz dhe Ali. Mund të kishte qenë edhe shenjëtari Kejn, por ai mungoi se ishte i dëmtuar.

822139-champions-league-and-europa-league

Nga ana tjetër, Liverpuli nuk e pati të vështirë të shpartallonte befasisht Barcelonën legjendare 4- 0, por, ndryshe nga skuadrat e mësipërme angleze, ai u përfaqësua vetëm me… një anglez, AleksanderArnoldin. Mund të kishte qenë dhe Milneri, por edhe ai si Kejni ishte gjithashtu i dëmtuar. Vijmë tani te gjysmëfinalja e dytë, Arsenal-Valencia (3-1), ku londinezët u përfaqësuan me bashkatdhetarin Meitland-Nils dhe 19-vjeçarin Nkeita.

Kurse Çelsi në takimin me Aintrahtin e Frankfurtit, (të fituar me 11-metërsh pas shtesës së lojës, 0-0 pas golit të Hazardit), kishte edhe ai “meritën” se nxori në mejdan vetëm një anglez, Loftus Çikun. Dhe, hajde të lutem ta quash angleze këtë kuartet “violinash të para” të aeropagut të futbollit europian, kur nga 44 lojtarë në të 4 ndeshjet, anglezë qenë vetëm 7!… Nuk ka si të ndodhë ndryshe, kur në kampionatin anglez, ose siç quhet Premier Ligë, rreth 70 për qind e futbollistëve të 20 skuadrave janë të huaj… Edhe te Mançester Siti i Guardiolës, që këtë sezon fitoi njëherësh Premier Ligën, Kupën e Anglisë edhe Kupën e Ligës, dukuri shumë e rrallë, duke përdorur “tejqyrën”, mund të gjesh se anglezë janë vetëm Ualkeri, Sterlingu dhe Stonsi.

Ka njëfarë ndryshimi te Mançester Junajtid, ku aktivizohen anglezët Stouns, Jang, Shou, Lingard, Rashford dhe Xhons… Po vetëm në kampionatin anglez vërehet kjo dukuri? Jo! Me “fanatizëm” këtë shembull ka vite e vite që ndjek, së pari, futbolli italian, ku edhe atje, mbi më shumë se 65 për qind të futbollistëve janë “stranieri”, siç i quajnë italianët, pra, të huaj. “Stranierizimi”, si sëmundje ngjitëse, është përhapur edhe në tërë futbollin europian, veçanërisht atë perëndimor…

Sinjalin e parë e dha biznesmeni i njohur italian, Morati, ish-presidenti i Interit, që qysh nga viti 2007, pasi derdhi lumë rreth 1,5 miliardë, ndërtoi një skuadrën krejtësisht të huaj, me të cilën, nën drejtimin e portugezit Murinjo, të ashtuquajturit “Special One” (i veçanti), 44 vite, pasi Interi i babait të tij, Anxhelo Morati, më 1963 kishte fituar Kupën e Kampionëve, (3-1 kundër Realit të Madridit), më 2010-ën arriti të fitonte këtë trofe, të quajtur tashmë Liga e Kampionëve. Dhe, për ironi të fatit, atë vit Italia, 4-herë mbretëreshe e futbollit botëror, u eliminua në Botërorin “Afrikë 2010”, që në ndeshjet në grup, ku bënin pjesë skuadrat modeste – Paraguai, Zelanda e Re dhe Sllovakia. Në këto 8 vitet e fundit, kampionatin italian e ka bërë pronë Juventusi, po aq herë fitues i tij. Dhe më 2012-’13, ai kishte 7 lojtarë italianë, ndër të cilët Bufonin, Bonuçin, Barzaljin, Kielinin, Markizion, Xhovinkon…

Kurse në kampionatin që po përfundon, Juventusin e përfaqësojnë vetëm 3-4 lojtarë vendës: “të paoksidueshmit” Bonuçi, Kielini, De Shiljo, Barzalji që u largua këtë javë dhe së fundi Bernardeskin me të riun Ken. Të tjerët – të gjithë… “stranieri”. Që më së fundi, Juventusi dy herë finalist i Champions-it, ta shtjerë Ligën e Kampioneve “nën sqetull”, Anjelët, bosët e këtij klubi të famshëm torinezë, që janë edhe padronë të “Fiat”-it, jo pa dëshirën e tij “gllabëruan” nga Reali i Madridit Kristiano Ronaldon, sepse vetëm me lojtarë të huaj si ai, ata synonin të realizonin këtë ëndërr kaq lakmitare dhe kaq përvëluese.

Por, ja që edhe me të këtë ëndërr ua shkrumboi Ajaksi… Në sezonin e ardhshëm 2019-’20 fenomeni portugez do të jetë 35- vjeçar dhe, ndonëse mbetet ende fenomen, vështirë se do t’i ndihmojë bardhezinjtë që të ngjiten në altarin e klubit më të mirë europian. Në Spanjë mbretërorët e Madridit, tri herë radhazi hegjemonë të Champions-it, (2016, 17-18) me arkitekt, konstruktor, fantazist, realizator K.Ronaldon, skuadër ku spanjollë ishin vetëm 2-3, ndër të cilët qendërmbrojtësi Ramos, këtë sezon, siç shpjegova më lart, pa këtë të fundit, pra, pa perëndinë e tyre, u degdisën në vendin e tetë, rreth 20 pikë prapa Barcelonës.

Një fakt domethënës: Këtë sezon Reali shënoi 31 gola më pak se vitin e kaluar. Me sa duket, janë golat që do t’i kishte shënuar ylli portugez, të cilin e pamë duke luajtur me fanellën e Juventusit. Ja përse Marselo, Bejli, Krosi, Varan, Kasemiro, Modriçi, Benzema… mbetën jetimë pa të. Ndaj, dhe trajneri Zidan, pasi arkivoi tri kupa të Champions-it, në fund të sezonit të kaluar braktisi anijen madrilene që po mbytej. Çuditërisht, u kthye para disa muajsh. Por pa lavdi, sepse nuk ka pikërisht atë të pazëvendësueshmin K.Ronaldo. Sidoqoftë, presidenti i Realit, Perez, i ka premtuar se do të sjellë te Reali 20-vjeçarin fluturues, francezin Mbape, qoftë edhe me një shumë faraonike prej mbi 200 milionë eurosh, Hazardin e Çelsit, Pogbanë e Mançesterit dhe një djall e di sa të tjerë. Paraja vazhdon të hedhë ujin përpjetë…

E njëjta histori ka ndodhur dhe me Barcelonën. Deri para pesë vjetësh, në radhët e saj mund të shihje portierin Valdes, mbrojtësit Pujol, Pike, Alba, mesfushorët Ksavi, Iniesta, Busktes, sulmuesit Pedro, Vila. Vetëm Mesi dhe Abidali qenë të huaj. Kurse sot? Të huajt janë 8, duke përfshirë, doemos, edhe Mesin, kurse të lindur në Spanjë mbeten Alba, Pike, Buskets dhe hera-herës Roberto. Të ngjitemi më në veri të Europës dhe të ndalemi te PSG-ja, me bos presidentin Naser Al-Khelafi nga Katari. Veç Mbapesë, Rabiosë dhe herë-herë të Kimpembesë, rrallë mund të shohësh në përbërjen e saj francezë “safi”. Të tërë nga 9 vende të huaja. Dhe sa qindra e milionë euro ka hedhur “në hava” Naseri që këtë skuadër, deri para disa vitesh “ashtu-kështu”, ta bëjë “sulltaneshë” të Europës?!

Këmbët e huaja prej vitesh i kanë dhënë kësaj skuadre monopolin e kampionatit francez (6 herë radhazi kampione), por Liga e Kampionëve mbetet ende mirazh për të. Një kampionat monoton ku kampione dihet se do të jetë vetëm një skuadër, PSGja!… Pa asnjë konkurrencë nga skuadrat e Lilës, Montpeliesë, Sent Etienit, Lionit, Marsejes, Nantës, Nicës…. Duke shkuar më në lindje të Francës, e njëjta dukuri edhe në Bundesligën gjermane…

“Bajerni” sapo u shpall për të shtatën herë radhazi kampioni i Gjermanisë. Ç’është e vërteta, këtë radhë në dyluftim fyt më fyt me Borusian e Dortmundit deri në metrat e fundit të kampionatit… Por, nuk ka qenë dhe nuk është vetëm ky synimi i kësaj skuadre miliardere, që ka në gjirin e saj thuajse të përhershëm futbollistët gjermanë Nojer, Zyle, Humels, Kimish dhe tek-tuk Gorecka dhe të tërë të tjerët nga 11 kombësi, midis të cilëve snajperi polak Levandoski, francezi Koman, kolumbiani Hames, francezi tjetër Riberi dhe holandezi Roben, që sapo u dhanë lamtumirën stadiumeve……

Por ku është Champions Liga, të cilën Bajerni mitologjik e ka fituar për herë të fundit në sezonin 2012- ’13, me trajner Hejnkensin, po aq mitologjik? Pas dorëheqjes së tij, bosët e këtij klubi ftuan italianin Ançeloti, pastaj spanjollin Guardiola, për të cilët ky trofe kaq i çmuar mbeti një siluetë e përvijuar në një horizont të mjegulluar… Po këtë fat, edhe për gjermanin me origjinë kroate, Kovaç. Siç shihet, skuadrat e mësipërme, pesë nga Anglia, Arsenali, Çelsi, Liverpuli, Mançester Siti, Mançester Junajtid, dy nga Spanja, Reali i Madridit dhe Barcelona, të cilave mund t’u shtohet edhe Atletiko e Madridit, një nga Franca, PSG, një nga Gjermania, Bajerni i Mynihut, janë të vetmet skuadra që pretendojnë të vënë në kokë kurorat e Champions Ligës dhe Kupës UEFA.

Jo vetëm se kanë tradita të hershme në futbollin europian, por, kryesorja, sepse pas tyre janë presidentë multimiliarderë që falë sentencës “Bosman”‘, (1995) që lejon që në skuadrat të luajnë pa kufizim lojtarë të huaj, kanë mundësi të blejnë, qoftë me çmime astronomike futbollistë nga tërë globi tokësor. Pra, sa më i pasur presidenti i një klubi, aq më shumë mundësi ka ai të rrëmbejë në tregun botëror lojtarë sado të shtrenjtë dhe të fitojë Champions-in. Ashtu si Interi i Moratit më 2010-ën, që përmenda më sipër, pa asnjë italian dhe dy çiftet angleze Liverpuli-Totenhemi nga një anë dhe Arsenali-Çelsi nga ana tjetër, pikërisht në finalet e këtij sezoni të Champions-it ose të Kupës UEFA që zhvillohen përkatësisht në Madrid, më 1 qershor dhe Baku, më 29 maj…

_106897496_fourteams

Këto skuadra të mësipërme, të ashtuquajtura angleze, të cilat nga 22 futbollistë do të nxjerrin në mejdan futbollistë vendës që mezi numërohen me gishtat e dorës. Një ditë, një shok arab këtu në Boston më tha me shaka: “Mbase ndonjë sheik, si ata të PSG-së dhe Mançester Sitit, (te kjo e fundit bos është Khaldom Al Mubarak, nga Emirat e Bashkuara Arabe), kujtohet se popullsia e Shqipërisë përbëhet nga rreth 70 për qind myslimanë, të cilët jetojnë në paqe me të krishterët ortodoksë dhe katolikë. Pra, është vend thuajse mysliman. Atëherë, përse ky sheik të mos derdhte lumenj me naftë dollarë, që të krijonte një skuadër të stërfuqishme, s’ka gjë se vetëm me emër shqiptare, se të gjithë do të ishin të huaj, ku do të bënin pjesë Mesët dhe Ronaldot e ardhshëm dhe yjet më të ndritshëm në kostelacionin e futbollit botëror..?

Me siguri, kjo skuadër do të fitonte Champions Ligën… Do të shpallej patjetër edhe skuadra më emirë e botës”. Nuk do të ishte aspak habi. Por, do të fitonte ai klub, qoftë Skënderbeu, Partizani, Kukësi, Tirana…, por jo futbolli shqiptar. E ka provuar këtë përvojë të hidhur Italia, siç e pamë më 2010 në Botërorin Jug-Afrikan, më 2010, dhe 2014 në Brazil, ku nuk mundi të ngjitej në fazën e tyre finale dhe, për më keq, në Botërorin e fundit “Rusi 2018”, nuk arriti të depërtonte as në 32 skuadrat finaliste dhe e ndoqi këtë Botëror në shtëpi, nga ekranet e televizorëve, ndonëse Juventusi ishte dy herë finalist i Champions. Për të kufizuar pazaret e shitblerjes së futbollistëve, ka vetëm një rrugë: Që nga UEFA të caktohet rreptësisht një kufi, në fushë të zbresin 6 futbollistë vendës dhe vetëm 5 të huaj! Do të kishin kështu hapësirë plot futbollistë nga fidanishtet që do të pasuronin jo vetëm klubet, por edhe kombëtaret.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"