Reja duhet të vazhdojë, por mjaft me topa “parashutë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2021 | 22:54

Reja duhet të vazhdojë, por mjaft me topa “parashutë”

Nga NEPTUN BAJKO
Parë nga këndvështrimi i trajnerit, isha i bindur që kjo ndeshje do të kishte vështirësi të mëdha. Nuk dua të merrem me emrin e kundërshtarit, por në rrethana të tilla fitoret janë të vështira. Me një edicion kaq të gjatë, me ndeshje ku kërkohet gjithnjë fitore dhe të luhet mirë ose të merren sa më shumë pikë për të arritur objektivin, padyshim që do të kishte edhe dëmtime apo mungesa me kartonët. Këtyre iu shtuan edhe mungesat e COVID-it. Një hall më shumë për çdo skuadër dhe trajner.

bajko

Takimi i djeshëm i përmbledh të gjitha këto veçori të futbollit dhe të ekipit tonë kombëtar. Dje, pra, kërkohej të arrihej fitore me çdo kusht. Nga pikëpamja psikologjike do të ishte shumë e vështirë, sepse aktivizimi për herë të parë i shumë lojtarëve që nga minuta e parë, do të reflektonte të meta. Prandaj edhe nuk pati futboll të rrjedhshëm dhe kjo ndeshje mund të zgjidhej vetëm me ndonjë veprim individual që të çlirohej pesha e tensionit që kishte kapluar ekipin. Kështu ndodhi, goli erdhi me penallti dhe u sigurua një fitore e merituar.

Së pari, ekipi duhet falënderuar që arriti vendin e tretë në një grup si ky. Kjo është shumë e rëndësishme. Arritën objektivin dhe jo ëndrrën, por ama na bënë të ëndërrojmë. Skuadra duhet inkurajuar për gjithçka kanë bërë dhe meriton fjalë të mira edhe trajneri me stafin e tij. Së dyti, mediat dhe opinioni publik e kanë përkrahur dhe kanë dhënë gjithçka për skuadrën. Kjo i ka bërë mirë ekipit. Por, mjafton një ndeshje si ajo me Anglinë për të nxjerrë në pah edhe të metat, punën e pamjaftueshme psikologjike, euforinë e pabazuar, krijimin e një iluzioni për të arritur Botërorin…

Për fat të keq, unë nuk di që të jetë bërë ndonjë analizë e mirëfilltë nga stafi dhe trajneri Reja pas çdo ndeshjeje. Intervista është një gjë dhe analiza e hollësishme është një gjë tjetër. Një ndeshje e tillë me Anglinë mund të krijojë në të ardhmen probleme për ecurinë e mëtejshme të Kombëtares. Ndoshta Reja nuk është penduar për ato që ka bërë, por për ato që nuk ka arritur t’i bëjë…

Parë në këtë aspekt, që ai, pra, të realizojë një ëndërr tjetër dhe të bëjë ato që nuk i ka bërë, mendoj që Reja duhet të vazhdojë të drejtojë Kombëtaren edhe për një periudhë kohe, por duhet të reflektojë, duhet të guxojë dhe të shohë me kujdes se çfarë nuk ka shkuar deri tani. Po, sepse unë pashë dje që Roshi ishte i vetmi lojtar që i dha një sens pozitiv lojës së ekipit tonë. Ai ishte mjaft përcaktues, i saktë taktikisht dhe me veprime individuale që krijonin përherë situatë rreziku në portën kundërshtare. Por, Roshi nuk ka qenë në preferencat e tij për shumë kohë, edhe pse tashmë është një lojtar i pjekur. Unë pashë edhe dje se roli i Hysajt ishte i paqartë në krahun e majtë dhe mbipozicionohej me Hoxhallarin, kur shumë mirë mund ta kryente këtë veprim vetëm njëri prej tyre. Nuk kishte pse të ndodhte ajo që ndodhi në 45 minutat e para. Trajneri duhet t’i japë zgjidhje mënyrës se si e kërkon skuadra jonë golin.

A e dini pse vuajmë për golin? Sepse shumë pasime edhe dje u bënë në formën e “parashutës”. Sado mbrojtje të dobët të kesh përballë, kjo mënyrë sulmi bëhet e lexueshme. Thënë këtë, duhet ta fiksojmë mirë në kokë se lojtarët sulmues nuk mund të kryejnë 70% detyra mbrojtëse dhe 30% detyra sulmuese në çdo ndeshje. Por, ka probleme edhe mesi i fushës që është boshti dhe truri i një skuadre. Ata duhet të jenë shumë më pjesëmarrës në fazën sulmuese dhe jo vetëm të mendojnë si mbrojtës apo të rreshtohen si barrikadë. Sulmuesit shërbehen, ndihmohen dhe mbështeten me improvizime apo me fantazi. Nuk duhen kryqëzuar se humbin një rast për gol, por duhet menduar se si t’u shërbesh prapë.

Kam parë Uzunin në vështirësi dhe dëgjoj shpesh pyetjen: Pse vuan Uzuni në Kombëtare? Sepse kur luan te Ferencvaroshi është më i lirshëm dhe më i qartë. Aty është vetvetja. Ndërsa, kur vjen në ekipin kombëtar ka tjetër përgjegjësi, por ndoshta e ndjen më tepër sesa duhet fanellën dhe në momentin që gjërat nuk i ecin ose humbet ndonjë rast, atëherë tensionohet shumë. Duhet ta menaxhojë më mirë këtë pjesë, por duhet ndihmuar edhe nga skuadra.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"