Kombëtarja s’mbahet me arna, Panuçit po i mbytet anija

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 4, 2018 | 19:10

Kombëtarja s’mbahet me arna, Panuçit po i mbytet anija

NEPTUN BAJKO

Neptun Bajko

Mund të them që fillimi i ndeshjes u duk pozitiv sepse skuadra u mundua të luante me një mënyrë disi më agresive dhe të aplikonte një mënyrë sulmi të shpejtë duke shfrytëzuar krahun e djathtë me Roshin që të shërbente te Manajn në qendër dhe ky i fundit të finalizonte.

Por kjo u pa vetëm në 10 minutat e para sepse më pas nuk u pasqyrua asgjë nga loja që i takon të bëjë një ekip kombëtar. Mendimi im është që mbrojtja nuk e ka të qartë se si duhet të organizohet në fushë dhe lojtarët ngatërrohen në detyrat e tyre. Ata asnjëherë nuk aplikuan si duhet mbulimin në zonë. U shfaqën gabime amatoreske dhe as markimin një për një nuk e bënë dot si duhet. Konstatuam se në të gjitha aksionet, sulmuesit ukrainas, sidomos në krahun e djathë, ishin të lirë dhe vepronin sikur nuk kishin asnjë lloj pengese përpara. E papranueshme që kjo të ndodhë pothuajse gjatë gjithë ndeshjes.

Dexza32WAAE3PbU-e1528041996731-780x439

MUNGESË IDESH

Ekipi ynë kombëtar pasqyroi një futboll statik, pa ide dhe, pavarësisht nga skema e fillimit të lojës 4-1-4-1, asnjë  gjë nuk u pasqyrua nga përmbajtja e kësaj skeme në lojë. Pamë lojtarë të lodhur në mendim dhe në lëvizshmëri. Në fushë Shqipëria kishte lojtarë që nuk njohin lojën e njëritjetrit, lojtarë që nuk shprehin as fantazi dhe as teknikë individuale.

Nga ana tjetër, ukrainasit luanin thjesht, me lëvizshmëri me top dhe pa top, çka ka shumë rëndësi në futbollin e sotëm. Ne duhet të kuptojmë njëherë e mirë se duhet të luajmë thjesht, me mendim të qartë dhe me skema që janë përpunuar më parë. Ukrainasit, duke parë lojën tonë tepër të dobët, e kthyen ndeshjen në një stërvitje, argëtuese madje…

ZËVENDËSIMET

Nga mosnjohja apo mosdija apo thjesht se duhen bërë ndërrime, m’u dukën tepër të gabuara dhe joprofesionale vendosja e Veselit, ndërrimi i vendit me Mavrajn, apo roli i ri i Ajetit, në vendin e një lojtari si Lilaj. Lilaj ishte i vetmi lojtar me nota pozitive, që u mundua të bënte diçka, por në të njëjtën kohë, po ky lojtar i zgjuar, la të kuptohej se në këtë ekip asgjë nuk funksionon. E them këtë sepse kemi mbrojtës, por nuk kemi mbrojtje. Mesi i fushës nuk funksionon as si repart dhe as si individ.

Ndërsa sulmi, çdo ndeshje dhe më i paqartë, aq sa mund të thuhet se ata janë vetëm numra në fushë. Ndryshimi i shpejtë i roleve të lojtarëve, mosnjohja e detyrave, aktivizimi i lojtarëve të rinj, vetëm freski nuk po i japin lojës së lodhur të kombëtares. Në pamje të parë duken si gjëra të vogla, por janë pikërisht këto gjëra që nxjerrin në pah gabimet e mëdha. Qëllimi im nuk është ta dramatizojmë mbi masë paraqitjen tepër negative të ekipit, qofshin humbje të momentit (që nuk është kështu), as që të shkarkohet gjithë përgjegjësia vetëm te trajneri.

KLIMË E RREZIKSHME

Unë mendoj se më e rrezikshme është klima që po krijohet. Ambienti futbolldashës është tepër i acaruar, po ashtu edhe specialistët dhe pa dyshim media. Kjo frymë përfshin lojtarët dhe drejtuesit e kombëtares dhe të FSHF-së. Një gjë është e qartë: ekipi kombëtar nuk ka më lojë. Ekipi nuk pasqyron asnjë vlerë të edicioneve të kaluar. Por nëse shtojmë këtu edhe vendosjen e gabuar të lojtarëve, atëherë kjo na bën të mendojmë se edhe vetë trajneri nuk është i qartë dhe i bindur në vendimet që merr.

Ka shumë dyzime dhe dyshime në aspektin profesional të tijin, që jo vetëm e fusin atë në dilema të mëdha, por edhe skuadrën. Për mendimin tim, kjo është një lloj krize që, me sa duket, ka kapur të parin trajnerin, më pas ekipin dhe gjithë drejtuesit e kombëtares. Futbolli është shumë i lehtë me urdhra dhe veprime “ushtarake”, por është tepër i vështirë në kompleksitetin e vet. Aq më shumë me një ekip kombëtar, mentaliteti fitues nuk blihet, atë ose e ke, ose nuk e ke. Kjo do të jetë një dilemë e madhe këtej e tutje… Kohë ka, por ata që e vlerë- sojnë atë.

PROBLEMET NË SJELLJE

Mënyra sesi vepron trajneri i kombëtares nuk më duket shumë bindëse, madje mund të them se shpeshherë është acaruese, me qëllimin për të larguar vëmendjen apo problemet kryesore që ka ekipi. Të përballosh rreziqet, është një mënyrë optimale për të njohur më mirë dhe për të marrë një besim më të madh te vetja. Është shumë më keq me dyshime dhe ta lejosh veten të udhëhiqesh nga instinktet dhe ngjarjet rastë- sore.

Trajneri i një ekipi kombëtar, të paktën në dukje, duhet të tregojë një sjellje të matur, të jetë i kujdesshëm dhe jo të acarojë ekipin dhe publikun. Trajneri në këto dy takime na ofroi një ekip kombëtar që ka shumë “të grisura” dhe ai nuk po kupton që vendet e “grisura” nuk mbajnë më “arna”. Ose më mirë, për momentin ia vlen të përsërisim shprehjen: “Kur mbytet anija, nuk është faji i pasagjerëve, por i kapitenit dhe pronarit”. Kapiteni është bërë rreshter, ndërsa pronari është po i njëjti.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"