Kombëtarja si amatore, jemi në rrugë pa krye

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 11, 2018 | 23:06

Kombëtarja si amatore, jemi në rrugë pa krye

NEPTUN BAJKO

Është e drejtë e trajnerit të Kombëtares të eksperimentojë, të provojë lojtarë të rinj dhe skema të reja. Fundja, nëse nuk e bën këtë në një miqësore, për më tepër edhe me një skuadër si Jordania, kur do ta bëjë? Por, kur themi ndeshje miqësore, kjo nuk do të thotë se kemi të bëjmë me ndeshje pa vlerë. Ka disa gjëra profesionale që nuk shkojnë. Ku dua të dal me këtë? Pikërisht në eksperimente të menduara mirë dhe jo kuturu.

Neptun Bajko

Për fat të keq, Kombëtarja e djeshme, sidomos në pjesën e parë, ishte në gjendje të trishtueshme. Nuk besoj se ka ndonjë problem që trajneri luan me skemën 3-5-2, por çfarë kuptimi ka që Mavraj të luajë në të majtë? Kur ka luajtur Mavraj ndonjëherë në këtë pozicion? Trajneri duhet ta dijë se skema 3-5-2 ka detyra të posaçme dhe lojtarë të posaçëm që kryejnë këto detyra. Por, ajo që bëri Panuçi dje iu kthye në bumerang. Po, fiks në bumerang.

LE TA NISIM ME KRAHËT…

Ne kishim Binakun në të majtë dhe Manajn. Binaku praktikisht mesfushor, ndërsa Manaj sulmues. Nga ana tjetër, kishim Lilën dhe Gavazajn, me të parin si mesfushor dhe të dytin si sulmues. Kishim edhe Grezdën që vepronte si lojtar i lirë dhe lëvizte para zonës së rreptësisë, por pa u futur asnjëherë në zonën e rreptësisë. Atëherë qartazi u pa se kishim mbivendosje funksionesh dhe detyrash.

shqiperi jordani

Lojtarët që ishin caktuar që të luanin sipas këtij moduli (3-5-2) nuk plotësonin njëri-tjetrin dhe nuk kishin bashkëpunim. Pse? Sepse Lila dhe Binaku që duhet të dilnin në krah dhe të kromonin, përplaseshin me Gavazajn dhe Manajn. Këto lëvizje duhej të bëheshin të menduara dhe me skema, por asgjë nuk u bë. Po Grezda që luan nga të dy krahët, pse duhet të luajë në qendër? Krejtësisht pa kuptim…

PROBLEMET NË KOORDINIM

Mendoj se veprimet dhe koordinimet në skuadrën Kombëtare janë pa ide dhe pa lojë kolektive. Të paktën këtë e kemi pasur më parë me De Biazin… M’u krijua përshtypja se lojtarëve të mesit të fushës dikush u kish thënë “ju luani si të doni, siç dini vetë…”, sepse ata në fakt ashtu po luanin. Nuk pashë në asnjë moment dorën e trajnerit. Nuk pashë asnjë reflektim apo përmirësim në ndonjë repart. Kaotikë në mbrojtje, rrëmujë edhe në mesfushë e sulm.

grezda

Nuk ka asnjë linjë taktikë. Na e kalonte edhe Jordania, që gjithsesi i njihte forcat e veta dhe luante thjesht. Jordania bënte kombinime edhe me topin në lëvizje, gjë që nuk ndodh te skuadra jonë. Po, ky është problem, Shqipëria nuk luan më me topin në lëvizje, por topin ua japin shokëve në këmbë dhe për ta ndaluar topin lojtarët duhet të ndalojnë edhe vetë. Ky është futboll i vjetër shumë dhe na kthen ne si amatorë.

Një skuadër që në 2018 nuk bën dot disa kombinime treshe, nuk ka lojë vertikale, nuk ka fantazi dhe nuk luan dot me topin në lëvizje, rrezikon të kthehet në amatore. Shqipëria nuk është pothuajse kurrë e rrezikshme nga goditjet standarde. Futbolli vërtet është i thjeshtë për ata që e shohin, por për profesionistët, kur ata pra, nuk vënë dot në jetë asnjë ide, asnjë plan, atëherë po flasim për futboll amator. Ne, për fat të keq, në momente të caktuara dukeshim si ekip amatorësh.

TRAJNERI TË QETËSOHET

Trajneri duhet ta flejë mendjen njëherë e mirë se ka forca të errëta që duan ta heqin. Panuçin dhe çdo trajner tjetër e heq vetëm presidenti i federatës ose ndonjë kulisë në federatë. Askush tjetër. As unë që bëj analizën e ndeshjes, as ju si gazetë dhe as ata që dalin e kritikojnë në televizione të ndryshme. Në këtë pikë, ai duhet të tregohet më profesionist, sepse me frymën që po fut në ekip, rrezikon ta dëmtojë shumë kombëtaren.

Panuci

Në vend që të mendojë për teori konspirative, trajneri duhet të pyesë veten pas kësaj ndeshjeje: a i ka më të qarta idetë sesi duhet të luajë Shqipëria, apo i ka më të turbullta?! Unë pashë disa të rinj që luajtën, të cilët kishin vetëm vrull, por jo entuziazëm. Luanin me kokën ulur dhe nuk kishin qetësinë e duhur që të tregonin vërtet vlerat e tyre.

Në situatën ku jemi, me gjendjen që po kalon Kombëtarja, mendoj se ka ardhur momenti që ta ndryshojmë këtë rrugë pa krye… Duhet bërë sa më parë kjo gjë, me qëllim që stadiumi ku luan Kombëtarja të mos kthehet në një zbrazëtirë totale dhe të largojmë edhe tifozët e fundit që shkojnë atje. Kombëtarja nuk duhet t’u ngjajë skuadrave të kampionatit që i luajnë ndeshjet me stadiume bosh.

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama Sport. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"