Bajrami e teproi me egoizmin, Broja është i pjekur para kohe, Duhet përdorur Roshi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2021 | 22:21

Bajrami e teproi me egoizmin, Broja është i pjekur para kohe, Duhet përdorur Roshi

NGA NEPTUN BAJKO

bajko

Ndeshja me San Marinon kishte një element që e bënte të rrezikshëm: faktin që përballë ke një kundërshtar që nuk përshtatet me nivelin e këtij kompeticioni. Dhe pikërisht kjo të prish punë nëse nuk sillesh si profesionist. Ne trajnerët e dimë këtë sepse ndodh shpesh që kundërshtarë të tillë skuadrat i nënvlerësojnë dhe rrjedhimisht nuk luajnë me mobilizimin e duhur. Pikërisht për këtë arsye unë e pashë me shumë vëmendje ndeshjen dhe sjelljen e lojtarëve në fushë dhe me kënaqësi konstatova që nuk kishte nënvlerësim, përkundrazi kishte goxha vlerësim.

Nuk dua të analizoj më shumë rezultatin se sa faktin që skuadra kishte reflektuar pas ndeshjes me Hungarinë dhe kishte hequr dorë nga mbajtja e topit në mënyrë të tepruar. Pati lëvizshmëri, shoqëruar me ndërrime vendesh, pati lojë nga qendra dhe nga krahët. Në tërësi u provuan të gjitha mënyrat për të shkuar sa më shpejt te porta dhe shumë sinjale ishin pozitive. Megjithatë, nuk duhet ta teprojmë me euforinë pas një fitoreje me San Marinon dhe të shohim edhe gjërat që mund të përmirësohen sepse për hir të së vërtetës pati edhe gjëra që nuk shkuan siç duhet…

BAJRAMI DHE GJUAJTJET NGA DISTANCA – Ekipi i provoi të gjitha mënyrat për ta shënuar golin sa më shpejt, por kjo i bëri të gabojnë para portës në pjesën e parë. Dakord, futbollistët luajtën me lëvizshmëri të admirueshme, kërkuan të shënonin sa më shpejt, por e tepruan me lojën individuale. Pikë së pari i referohem lojës së Bajramit. Nuk më pëlqeu. Ai është një lojtar që duhet të bëjë diferencën me thjeshtësi dhe me shpejtësi duke i shërbyer së pari skuadrës e jo të përqendrohet aq shumë tek objektivat personalë. Së dyti, nuk e kuptova se përse Bajrami duhej të luante majtas, ndërkohë që Trashi, hera-herës edhe Manaj me Gjimshitin po e mbulonin shumë mirë atë krah. Mendoj se ishte një lëvizje jo e studiuar mirë ajo e Bajramit në krahun e majtë sepse e pamë me Hungarinë se çfarë ishte në gjendje të bënte pas dy sulmuesve. Problemi i tretë, por jo më pak i rëndësishëm, për mendimin tim janë edhe gjuajtjet nga distanca. Qazim Laçi tentoi një herë dhe e dërgoi në rrjetë topin… Pse nuk u provuan edhe goditje të tjera? Nëse nuk provohen kundër San Marinos kur je duke fituar thellë, atëherë kundër kujt do të bësh prova? Janë detaje që duhen shfrytëzuar në ndeshje si këto…

laci

PLANI B – Shqipëria mori një fitore të shkëlqyer me një kundërshtar modest, por vura re se në shumë momente të ndeshjes krijohej kaos në portën kundërshtare, pa mundur të ishim konkretë. Pse ndodh kjo? Shpjegimi është i thjeshtë: 8 lojtarë të San Marinos në mbrojtje dhe 8 lojtarët tanë që kërkonin të kombinonin deri te porta për të shënuar e shtonin konfuzionin në zonën e rreptësisë. Trajneri i nderuar, Loro Boriçi, na thoshte dikur: dendësia ndihmon mbrojtjen dhe hapësira ndihmon sulmin. Ndoshta kjo vlen të thuhet edhe për pjesën e parë të San Marinos dhe pikërisht për këtë nevojitet edhe një plan B efikas.

NDRYSHIMET DHE “VETERANI” BROJA – Ndryshimet në pjesën e dytë dhe aktivizimi i Roshit i dhanë hapësirën e duhur veprimeve sulmuese. Gjithashtu, aktivizimi i Brojës ishte në kohën e duhur. Ai është një lojtar i ri, por dje tregoi se nuk është aq i ri… Këtë e them për gjestin e tij kur shërbeu për Uzunin. Më pëlqeu shumë sepse përveç klasit tregoi edhe pjekuri e nivel të lartë profesional. Ai u bë dy herë pasues për të nxjerrë në pah lojën dhe dëshirën e Uzunit. Ishte një gjest fisnik prej një lojtari të pjekur para kohe që duhet menaxhuar mirë dhe duhet t’i shfrytëzohet i gjithë potenciali që ka në të ardhmen.

shqiperi san marino

ROSHI – Futja e tij në fushë i dha ritëm tjetër manovrës sulmuese të Shqipërisë. Nuk jam nga ata që e kritikoj trajnerin se përse nuk e aktivizon më shpesh apo edhe titullar. Unë nuk e analizoj dot mendimin dhe idetë e Rejës për lojën, por një lojtar me ato cilësi dhe që di të vihet në shërbim të skuadrës, atëherë duhet shfrytëzuar më mirë. Roshi nuk më pëlqen vetëm për shpejtësinë, teknikën dhe zgjuarsinë, por më pëlqen për faktin që ai është gjithnjë shërbyes i lojtarit që është në pozicionin më të mirë për të shënuar. Kjo e bën atë të veçantë, por edhe shumë efikas. Mendoj që Shqipëria ka nevojë t’i marrë maksimumin këtij futbollisti.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"