Sulmi të sakrifikojë, Memushaj duhej menaxhuar më mirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2020 | 19:40

Sulmi të sakrifikojë, Memushaj duhej menaxhuar më mirë

Nga MIREL JOSA

1158554_620x4101 (1)

Skuadra hyri me dëshirë për të fituar dhe ia arriti qëllimit. Nuk pashë ndonjë ndryshim në vendosje nëse bëjmë krahasime në ndeshjen me Kosovën. Diferenca ishte te strategjia në këtë takim, sepse nëse me Kosovën shpeshherë tentuam të luanim në kundërsulm dhe ia arritëm qëllimit në disa momente, dje nuk u tentua kjo gjë.

Thjesht bëmë presing lart, u përpoqëm të dominonim lojën dhe në fund ia arritëm. Mund të thuhet se Shqipëria iu përshtat kundërshtarit në mënyrën e duhur. Punë tjetër pastaj se çfarë niveli ka Kazakistani.

Për mendimin tim, ata nuk treguan ndonjë ndryshim nga ndeshja e parë 0-0, por skuadra jonë ia arriti qëllimit dhe e mori fitoren sepse këtë herë Kombëtarja bëri veprime sulmuese më të mira se në Kazakistan.

Pësuam një gol naiv që na i komplikoi disi gjërat, por ai ishte moment neglizhence.  Thjesht pakujdesi nga Berisha. Ky i fundit, në fakt, përtej atij episodi, ishte shumë i saktë në të gjitha ndërhyrjet e tjera dhe ato vlen t’i përmendim.

MODULI

Moduli 3-4-1-2 mund të na bëjë të vuajmë në ndeshjet e tjera. Natyrisht, shumë gjëra do të varen nga cilësia e kundërshtarit, por me rivalë më të fortë, kam përshtypjen se duhet të bëjmë shumë më tepër. E kam fjalën për lojën nga krahët dhe qendrën e mbrojtjes. Le t’i marrim me radhë…

KRAHËT

Uzuni dhe Hysaj duhet të bëjnë më tepër, jo vetëm në fazën sulmuese, por edhe në mbrojtje. I pashë që nuk koordinoheshin si duhet krahët në aksionet sulmuese. Duhet një balancë mes të dyve, sepse i japin gjerësi ekipit dhe krijojnë hapësirë për dyshen e sulmit.

Bindja ime është që Uzunit mund t’i merret maksimumi kur ai ka detyra sulmuese, sepse është një lojtar që e njeh mirë portën dhe ka aftësi për të depërtuar. Kur i kërkohet të bëjë edhe sulmin, edhe mbrojtjen, nuk e ka edhe aq të lehtë. Edhe Hysaj duhet të shtyjë pak më tepër.

Josa

SULMI

Shënuan tre gola dhe kjo është e rëndësishme, por ama duhet pak më tepër bashkëveprim dhe sakrificë mes sulmuesve. Manaj nuk duhet kritikuar shumë, sepse ai djalë ato cilësi ka. Kur afrohet në zonën e rreptësinë, përpiqet që të shënojë, por ama mund të përmirësojë një detaj: atë kur është në pozicion shërbimi.

Pra, të mos bëjë vazhdimisht gabimin që bëri me Turqinë, kur në disa raste ishte në pozicione që mund t’i shërbente kolegut dhe nuk e bëri. Në fund e humbëm ndeshjen edhe për mungesë koordinimi të Strakoshës. Në këtë aspekt, mendoj se sulmuesit duhet të punojnë intensivisht që të mund të jenë sa më efikasë.

Kjo bëhet edhe duke sakrifikuar, pra duke shërbyer për shokun. Këtu u referohem të dyja dysheve të sulmit: si për Manaj-Cikalleshi, ashtu edhe për Seferi-Balaj. Sulmi ynë ky është dhe rreth këtyre do të rrotullohemi.

MBROJTJA

Në pjesën dërrmuese unë e pashë në harmoni mbrojtjen tonë. I referohem treshes Ismajli, Gjimshiti dhe Veseli. Por, nuk ishin perfektë, sepse edhe në ato pak raste që kazakët u afruan te goli, kjo erdhi pasi mbrojtja jonë u ça në qendër.

Tjetër punë pastaj se Berisha e bëri punën e tij. Me kundërshtarë më të rrezikshëm në sulm, ky përbën problem, prandaj duhet kujdes në ndeshjen tjetër. Bjellorusia është një ekip më i mirë se Kazakistani dhe pavarësisht se i mundëm atje, ata kanë një sulm të hidhur. Duhet më tepër kujdes dhe përqendrim, edhe pse kur mungon një lojtar si Trashi që ka zënë vend në formacion, jo gjithnjë i bën gjërat si duhet, sepse secili lojtar ka profilin e vet dhe duhet kohë që të përshtatesh.

KALLAKU DHE DOKA

Kallaku është një djalë që ka iniciativë dhe ju them me bindje se ai nuk ka emocione. Dje nuk ishte në ditën e tij më të mirë. U mundua të ishte shumë më i thjeshtë sesa duhej, por nevojitej të kishte pak më tepër iniciativë. Është ai lojtari që furnizon dy sulmuesit dhe hera-herës i duhet pak liri.

Kallaku

Doka? E njoh shumë mirë, sepse unë e kam futur të luajë te Tirana. Është lojtar me iniciativë. Për pozicionin që ka dhe për mënyrën se si luan, ai përshtatet mirë me katër mbrojtës, por mendoj se në mbrojtjen me 3 ai jep më shumë. E favorizon stili që ka, sepse në veprimet sulmuese ai shtyn mirë përpara. Megjithatë, dy ndeshje me Kombëtaren janë pak. Duhet të presim dhe më pas të themi nëse e zëvendëson dot Hysajn apo jo. Cilësitë i ka dhe progresi është i dukshëm.

MESFUSHA

Mua më pëlqeu mesfusha, edhe pse disa situata mund të ishin menaxhuar më mirë. Abrashi do të jetë një mungesë e rëndësishme, por Gjasula mund ta zëvendësojë atë. Gjasula ka sjellë ekuilibër në ekip, por Abrashi mbetet shumë i rëndësishëm, po aq ndoshta sa Memushaj.

Këtu kam rezerva për trajnerin, sepse një lojtar si Memushaj mund të ishte zëvendësuar më herët, duke parë që kazakët nuk kishin as urinë dhe as potencialin për të na bërë dëm apo për të kërkuar rezultat pasi ndeshja shkoi 3-1. Një lojtari si Memushaj mund t’i jepet pak frymëmarrje kur e di që në ndeshjen e radhës luan për vendin e parë në grup dhe nuk ke rrugë tjetër veç fitores. U pa qartë se sa i rëndësishëm është vlonjati dhe mund të ishte menaxhuar më mirë.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"