Pse ligji për sponsorizimet formalizon sportin dhe sportistët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 9, 2018 | 22:13

Pse ligji për sponsorizimet formalizon sportin dhe sportistët

AVNI PONARI

Pak ditë më parë, botova një shkrim me titull: “Ligji për sponsorizmet formalizon sportin dhe sportistët”. Pata shumë telefonata, shumë komente dhe reagime dhe natyrisht edhe vlerësime, por gjithmonë nga komuniteti i sportit. Si njeri i biznesit dhe si President i Federatës Shqiptare të Basketbollit, me dy përvoja që të dyja bashkë i kalojnë tri dekada, e di me saktësi se ku dallojnë këto dy fusha. E di fort mirë se çfarë duhet edhe për sportin, edhe për biznesin, dhe sesi duhet bërë, por ama e kuptoj që është e vështirë të ndryshosh gjërat, është e vështirë të lobosh dhe të bësh gjërat që duhen bërë për të rregulluar diçka. Më keq akoma, kur të thonë ku është interesi yt, sikur çdo gjë është e lidhur me interesin personal. Kohë të veçanta po kalojmë.

pONARI

Shumë mund të thonë: A i kemi bërë të gjitha përpjekjet? E vërteta është që kemi bërë shumë deri më tani, por ende s’kemi arritur atje ku duam. Diku prej mungesës së dëshirës, diku prej mungesës së vullnetit, apo diku tjetër prej mungesës së interesave nga palët përkatëse, por ajo që duket qartë është se sporti në Shqipëri mbetet në nivelet minimaliste, përjashtuar deri diku futbollin e kjo është e mjaftueshme për të justifikuar çfarë thamë më lart.

Vite përpara, Sekretari i Përgjithshëm i FIBA Europe takoi ministrin e Kulturës Rinisë dhe Sporteve. Kuptohet që tema dhe qëllimi i takimit ishte zhvillimi i basketbollit në Shqipëri, se çfarë po bëhej për ta nxitur këtë sport, që të marrë përmasat dhe cilësinë e duhur. Dua të theksoj që FIBA është shumë e interesuar që Shqipëria të ketë basketboll konkurrues. Arsyeja është e qartë. Një Shqipëri me basketboll, është një Shqipëri me produkt të shitshëm dhe për FIBA-n është një konkurrente që shfaq interes të madh në Europë.

Ministri i foli për investimet në infrastrukturë, në rrugë, shkolla, spitale etj., dhe vetëm për basketboll që nuk u fol. Ndërhyrja e Sekretarit të Përgjithshëm ishte e thjeshtë: “Unë jam sekretar i FIBA Europe dhe dua të di, sa terrene sportive për basketbollin keni ndërtuar, sa e keni buxhetin për basketbollin, sa fëmijët e duan dhe e praktikojnë këtë lloj sporti, sa nga të rinjtë lënë kafet dhe merrem me sport e plot gjëra të tjera që i përkasin basketbollit. Këto janë gjërat që dua të di unë si njeri i basketbollit. Të gjitha gjërat e tjera që thoni ju, nuk më interesojnë.

Shqiperi-Angli basket 3

Këto ju i thoni në fushata elektorale”, tha Sekretari i FIBA-s dhe u larguam nga zyra e ministrit. Këto vende që kanë basketboll të zhvilluar, çfarë kanë më shumë se ne? Dhe në fakt, s’do shumë mend për përgjigjen. Çdo vend tjetër, përveç Shqipërisë, ka terrene sportive ku ushtrohen të gjitha moshat, kanë para për të pasur dhe mbajtur ekipe bashkëkohore, investojnë në talente, investojnë në infrastrukturë, kanë incentiva për ata që investojnë në sport etj.

Por ku i gjejnë paratë për të investuar në sporte? Logjika është e thjeshtë: kanë bërë ligje që stimulojnë dhe mbështesin sportin dhe sportistët, kanë bërë ligje që krijojnë incentiva për bizneset dhe këtu unë mund të sjell shumë shembuj. Ne kemi një model. Akademia Goga Basket ka krijuar për herë të parë në Shqipëri investimin e parë në terrene sportive dhe ka investuar shumë për t’i krijuar ato. Po çfarë incentivash ka biznesmeni Igli Goga nga shteti për këtë që ka bërë. Asgjë, një iniciative private e shkëlqyer që kërkon vëmendjen e të gjithëve dhe falënderimin nga të gjithë.

Tirana basket femra

Një nga ligjet bazë që e ka dhe e zbaton çdo shtet, është ligji për sponsorizimet, ligj, i cili, pa dyshim, që s’mund të jetë i njëjtë për çdo shtet sepse çdo vend ka specifikat e veta, por ama duhet të ekzistojë patjetër për çdo vend ku dëshirojnë të kenë sport dhe sport elitar. Sepse në fund të fundit, ai ligj i shërben sportit dhe e formalizon atë. Nga ana tjetër, si sporti, ashtu edhe biznesi, kanë përfitim reciprok.

Shqipëria është i vetmi shtet ku ligji për sponsorizimet ekziston formalisht. Nuk ekziston një ligj ku biznesi të kontribuojë për sportin nëpërmjet sponsorizimit, nuk kemi një ekip që mban emrin e një biznesi, nuk kemi një garë midis bizneseve të njëjta me ekipe të ndryshme, nuk kemi një ligj që i krijon mundësinë biznesit të sponsorizojë dhe sporti të ketë frymëmarrje e t’i japë vendit krenarinë që ta jep sporti. Nëse do t’u referohemi eksperiencave të vendeve e të tjera, duke filluar nga fqinjët e më larg, nuk gjen një shtet që të mos zbatojë ligjin për sponsorizimin e sportit.

Kosova e ka të përcaktuar me ligj që çdo korporatë, individ apo grup individësh, të cilët sponsorizojnë aktivitete sportive, këto para që ata investojnë për sportin, iu njihen në masën 30% nga tatimi mbi fitimin. Nga ana tjetër, shpenzimet për reklama sportive janë tërësisht të zbritshme për qëllime tatimore, në përputhje me ligjin për tatimin e të ardhurave. Fqinji tjetër, Maqedonia, e ka në nivelin 40% njohjen e tatimit mbi fitimin për paratë e shpenzuara për aktivitete sportive, për klubet sportive, për sportistë të veçantë etj.

basketboll

Po të hedhim sytë pak më tutje, në Kroaci, ligji e parashikon që njohja e parave të shpenzuara për sportet nga bizneset t’u njihet në masën 50% për t’u zbritur nga tatimi mbi fitimin, Greqia e ka në masën 90%, Hungaria në masën 100% e kështu me radhë. Kjo është dhe arsyeja se pse vendet e tjera kanë sport të zhvilluar, kanë talente dhe sport elitar sepse kanë ndërtuar incentivat e duhura ligjore që sporti të zhvillohet, biznesi të mos dëmtohet, por nga ana tjetër edhe shteti të përfitojë nga çdo kontribut që jepet në mënyrë të ligjshme dhe të legalizuar për sportin.

Atëherë, le ta shohim konkretisht sesi ligji për sponsorizimet formalizon sportin dhe sportistët dhe nuk kemi asnjë humbje në buxhet nga ndarja e taksës së tatimit mbi fitimin. Nëse ligji për sponsorizimet i jep të drejtë biznesit të paguajë 30 % për sportin, atëherë le ta shikojmë sesi kjo shumë rikthehet në buxhet dhe formalizon sportin. Një kompani që ka fitimin vjetor mbi 100 mijë euro, të mund të sponsorizojë deri në masën 30% për sportet, dhe kjo përqindje t’i njihet si pjesë e zbritshme nga tatimi mbi fitimin.

Cilat do të ishin përfitimet? Kjo do të ishte një dritë jeshile për zhvillimin e të gjitha llojeve të sportit në Shqipëri, biznesi do ta përdorte këtë mundësi si një mënyrë për të promovuar produktet e veta, do të ulte shpenzimet për reklama, sikundër nga ana tjetër, shteti do të mund t’i merrte mbrapsht këto para që ua njeh bizneseve si shpenzime. Pagesa do bëhej në një klub apo shoqatë të regjistruar me NIPT, pra, të formalizuar ligjërisht dhe këto para do të ndiqeshin nga zyrat e taksave si çdo biznes tjetër, për pasojë do të kishim rritje të numrit të të punësuarve, deklarim të të ardhurave nga secili sportist dhe nga ana tjetër, pagesat e kontributeve si çdo biznes tjetër.

basketboll shqiperi rusi

Pra, në mënyrë automatike, përfitimi është i menjëhershëm dhe buxheti i shtetit nuk ka asnjë humbje. Kjo do të ishte e mundur nëse sponsorizimet u jepen vetëm shoqatave dhe klubeve të licencuara dhe të rregullta juridikisht, dhe kështu, automatikisht, shteti do të mund të vilte taksat dhe tatimet nga këto shoqata e klube, në mënyrë që të kompensonte paratë që ua njohu si shpenzime bizneseve, ku këta të fundit i shpenzuan për të promovuar dhe zhvilluar sportin.

Kështu sporti dhe sportistët do formalizohen, do kenë të gjitha llojet e sigurimeve dhe automatikisht do rritet numri i të punësuarve në shkallë vendi. E gjitha kjo bën që sporti të funksionojë sipas rregullave e ligjeve, biznesi nuk humbet, por ndihmon sportin dhe promovon produktet e veta, me dhjetëra klube e shoqata do mbajnë emrat e bizneseve e produkteve dhe sallat e pallatet e sportit do mbushen me reklama, por edhe me shumë sportdashës.

Tirana - Vllaznia basket 1

Ky është një rreth vicioz, i cili po u nis në mënyrën e duhur që në fillim, do të përfundojë me sukses në fund. Po vazhduam ta nisim kështu siç e kemi aktualisht, asnjëherë nuk ka për të funksionuar. Mbështetja spontane për një klub apo për një grupim sportiv nuk garanton vijimësinë e sportit, por e rrit atë për një moment dhe shumë shpejt, edhe ai ekip fillon zbritjen. Tendenca për të zgjuar emrat e dikurshëm në sport, duhet të zëvendësohet me emrat e rinj, siç ndodh në të gjithë botën, ku prioritarë janë emrat e bizneseve. Natyrisht, është përcaktimi i një vlere sponsorizimi 20, 30 apo 40 % ( kjo do parë) për një nivel të caktuar biznesi, me qëllim rritjen edhe interesimin e kompanive për të deklaruar më shumë fitim.

Tirana - Vllaznia basket

Pra, ky ligj mund të fillojë për kompanitë që kanë jo më pak se 100 000 euro fitim në vite dhe të shikohet në proces si një fenomen në rritje. Ne jemi vend i vogël, por me vlera të mëdha, veçanërisht në sport, pasi i kemi të gjitha të dhënat për të qenë në elitën e sporteve në botë. Asetet tona më të mira janë natyra e bukur që na ka falur Zoti, historia, kultura dhe sporti. Nëse të gjithë bashkë bëjmë pak më shumë që t’i mirëmbajmë dhe zhvillojmë këto asete, do të mund të konkurronim sadopak në arenat ndërkombëtare. Le ta bëjmë këtë, është në interes të të gjithëve!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"