Si zgjidhet kriza në sport

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 5, 2020 | 17:27

Si zgjidhet kriza në sport

ARBEN MALAJ

arben-malaj-636x375

E para dhe mbi të gjitha, thelbi i kërkesave është i dobishëm, ndërsa fokusimi i negociatave me Ministrinë e Financave ësh të i gabuar. E them këtë sepse nuk po flasim për një sistem taksash, por për një politikë sociale, e cila është një e mirë publike. Sporti nuk konsiderohet thjesht futboll. Ai ka vlera për impaktin direkt dhe indirekt që jep në një vend në aspektin social, kulturor dhe atë ekonomik, kështu që unë mendoj se kundërpalë për të diskutuar duhet të ishte Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, sepse po flasim për një politikë sektoriale.

Pra, se si një vend e vë dispozicion të shëndetit publik sportin dhe po flasim për sportin e shumëllojshëm, jo vetëm futbollin. Edhe në analizat që ka bërë federata, por edhe në diskutimet publike, thelbi është që mbështetja e sportit është gjithnjë e më tepër jetike. Madje, pas krizës pandemike konsiderohet një nga prioritetet kryesore që duhet të japin qeveritë. Pra, çdo vend duhet të ketë strategjinë kombëtare të sporteve dhe brenda saj duhet të kenë një politikë që e gjitha të transformohet në një aktivitet publik dhe të ketë të mirat e veta, kështu që kërkesa për një politikë më të mirë kundrejt të gjitha sporteve, por në veçanti futbollit për peshën që ai ka, është totalisht e argumentuar dhe duhet të ishte pjesë e një diskutimi më të gjerë. Duhej pra që qeveria, ministria përkatëse dhe mbi të gjitha komisionet parlamentare, sepse kur qeveria ngec në mënyrë të paarsyeshme për t’i dhënë një ndihmë sportit, është pra detyra e komisionit parlamentar që t’i bashkojë të gjitha përfaqësimet politike, pasi prioritetet kombëtare nuk janë prioritete partiake. Unë kam parë edhe shembujt që jep federata rreth kësaj çështjeje, se si në vende të ndryshme e kanë kthyer sportin, falë strategjive që kanë ndjekur, në një të mirë publike me efekt zinxhir pozitiv. Këtu ka edhe tregues pastaj se çfarë kriteresh kemi në raport me sportin për 100 mijë banorë etj…

Por po flasim për vende që e kanë marrë përfitimin në të gjitha fazat, nga arsimi parashkollor deri tek ekipet kombëtare. Kërkesat që ka bërë Liga, do të ishte mirë të zgjidheshin sa më shpejt, pasi është krijuar një ambient psikologjik i rënduar ngaqë aktivitetet mungojnë në jetën e përditshme. Për sa u përket kërkesave të Ligës, ato mund të ndahen në dy grupe kryesore: ato që kanë të bëjnë me politikat e taksave dhe me përjashtimet. Unë mendoj se është mirë edhe për vetë futbollistët që të mos kërkojnë përjashtime nga taksat, pasi ai nivel të ardhurash është kryesisht i kënaqshëm. Jam i mendimit që një futbollist, proporcionalisht me pagën që ka, duhet ta paguajë tatimin. E dyta, jam plotësisht dakord me qëndrimin që kanë klubet se duhet që kamatëvonesat dhe pagesat që lidhen me detyrime të ndryshme të prapambetura në buxhetin e shtetit, duhet të pastrohen. Ky parim është ndjekur për të gjithë dhe nuk po bëhet përjashtim për sportin. Nuk ke pse ta penalizosh, aq më tepër që është një sektor jo i mirë financiarisht. Kjo duhet të ishte bërë në të njëjtën kohë që është bërë me të gjitha kompanitë e tjera publike apo private, të cilave u janë falur kamatëvonesat. Taksa 6% është një kërkesë, që nëse do të isha në pozicionin e ministrit të Financave, do të mbaja të njëjtin qëndrim si ai i ministres aktuale. Pse? Sepse përjashtimi nga taksat apo diferencimi i taksave krijon probleme, sidomos në një sistem që ka shumë të çara.

Kategoria Superiore

Kjo krijon një presion psikologjik mbi vendimmarrësit edhe për sektorë të tjerë. Rrjedhimisht, kam fikë se krijohet presion “zinxhir” për ta thyer sistemin tatimor, por do të isha i vetëdijshëm se kjo shumë, e pranuar si një përfitim që i takon futbollit, të përballohej në krahun e shpenzimeve dhe jo në krahun e përjashtimeve. Kjo krijon një problem me klubet në momentin e likuiditeteve, sepse ata nuk e kanë të lehtë dhe ne jemi të vetëdijshëm. Ka plot ekipe që kanë burime të limituara financiare dhe nuk përfitojnë nga e drejta televizive apo nga aktivitete të tjera. Ato bazohen më shumë në kontributet që japin presidentët e klubeve apo donatorë të ndryshëm mbi preferencën që kanë për ekipet sesa për detyrimet ligjore që kanë. Pra, nëse Ministria e Financave vendos që nuk është dakord me përjashtimet që mund të bëhen në këtë aspekt, duhet të ishte Ministria e Sporteve ajo që të këmbëngulte për rritjen e një lloj financimi për të lehtësuar krizën që kanë tani ekipet, pa prishur rregullat e përgjithshme. Kam dëgjuar presidentin e federatës së fundmi, ku ndër të tjera thoshte: “OK, po bëjmë një kompromis, Liga dhe të gjithë ne bashkë, që nuk po i vendosim si të panegociueshme tri kushtet e para, por le të fokusohemi te ligji i sponsorizimeve, si një burim potencial për ta ndihmuar gjithnjë e më shumë futbollin që të zhvillohet”.

Fatkeqësisht, tranzicioni që kryem ne në vendin tonë, e preku më shumë sportin sepse e kishim të pamundur për t’i dhënë mbështetjen që meriton, siç ndodhi në vende të tjera të Lindjes, ku disa nga ekipet më të mira në historinë e tyre u financuan edhe nga kompanitë e mëdha publike si sponsor kryesor. Më pas u bë gradualisht edhe transformimi i tyre, duke pasur burime financiare të qëndrueshme. Në thelb do të thosha që ndoshta është momenti që të bëhen negociata. Kryeministri la të hapur diçka: “Me presion unë nuk nënshtrohem”, çka nëpër rreshta mund ta lexojmë: “Mund ta gjejmë një kompromis, por si një vullnet dypalësh”.

superiore6

FATURA E 4 KËRKESAVE NDAJ SHTETIT… Disa kërkesa krijojnë efekte negative, të cilat pastaj e bëjnë më të ashpër qëllimin bllokues. Por, nga ana tjetër, qeveria vendos me shumicë dhe nëse Ministrja e Financës është stoike për të mos përdorur përjashtime të ndryshme, atëherë është ministrja përkatëse, pra ajo e Sporteve, ajo që duhet të kërkojë burimin tjetër, që është ligji i sponsorizimeve, i cili në një mënyrë ose në një tjetër do të krijojë burime më të plota dhe më të qëndrueshme. Duhet të kuptojmë që futbolli dhe sporti është edhe krenari kombëtare. Neve sot na duhet një ndërgjegjësim i lidershipit në vendimmarrje, që të kuptojmë se sportet duan një strategji kombëtare më të mirë dhe të financuar ndryshe. Aty pastaj përdoren një sërë instrumentesh që sporti të jetë i suksesshëm dhe të realizojë objektivin e vet.

Marrë nga “News 24”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"