Lojtarë në korniza dhe nga “6 mbrojtës”, ja pse derbi ishte i vakët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 6, 2020 | 9:19

Lojtarë në korniza dhe nga “6 mbrojtës”, ja pse derbi ishte i vakët

Nga AGIM CANAJ

agim canaj llaznia

Ishte një derbi i akullt që iu përshtat, për fat të keq, edhe një stadiumi bosh. Shumë më i varfër në raste dhe emocione në krahasim me ndeshjet e vitit të kaluar. Personalisht mendoja se duke qenë vetëm derbi i parë, duke marrë parasysh edhe diferencat e vogla të skuadrave apo edhe mundësinë e rikuperimit të pikëve gjatë pjesës së mbetur të sezonit, ekipet dhe stafet do të bënin më shumë në fazën sulmuese. Ajo që bëri të dukej çdo gjë e vakët ishte mënyra se si ndeshja filloi dhe përfundoi. Nga eksperienca si lojtar, por edhe si trajner, mendoj se në derbi ka rëndësi jo vetëm vendosja, por mënyra e organizimit të sulmit.Prandaj,derbin e fiton ai që di të bëjë diçka më mirë dhe diçka më shumë mirë në fazën sulmuese.

NDESHJE PA FANTAZI

Kjo do të thotë se individi nuk mori përsipër asnjë gjë. Lojtarët ishin të gjithë brenda kornizave ku i kishin vendosur trajnerët që para se të zbrisnin në fushë dhe qartazi kishin 100 për qind detyra mbrojtëse. Ka edhe nga ata që nuk bien dakord me këtë konstatim, sepse në pamje të parë ekipet dukeshin agresive, pasi skuadrat luftonin shumë dhe ashpër për ta marrë topin, por e humbnin shumë shpejt atë nga gabime të mëdha. Gabime që vinin edhe nga frika e humbjes dhe ngarkesa emocionale. Ishte padyshim një derbi pa shkëlqim.

TIRANA ME “6 MBROJTËS”

Ajo që më bëri përshtypje nga të dyja stafet, ishte se nuk vendosën asnjëherë që të bënin diçka suplementare duke përjashtuar 10 minutat e Tiranës. Largimi i Najdovskit dhe Toshevskit, plus edhe dalja e Ismajlgecit mbi pozicion bëri që Tirana të rrezikonte në minutat e fundit. Për pjesën tjetër të ndeshjes, ku Tirana dukej sikur kishte një vendosje 4-3-3, mua m’u duk se në fushë ishte krejt ndryshe. Gjashtë lojtarë: Toshevski, Vangjeli, Najdovski, Hoxhallari, Ismajlgeci dhe Batha mendonin vetëm për të mos pësuar, pa pasur thuajse asnjë qëllim për të ndërtuar aksione. Gjashtë lojtarë pra, që mendojnë vetëm për fazën mbrojtëse, natyrisht, nuk ndihmojnë që të jesh agresiv sa duhet për të fituar një derbi. Situata ndryshoi vetëm në 10 minutat e fundit dhe aty Tirana edhe mund të kishte fituar, por prapë është shumë pak. Duhet ta pranojmë se në raport me një vit më parë Tirana ka humbur cilësi. Kale dhe Kobina ishin lojtarë që bënin diferencën. Torasa, ndërkohë, dukej shumë i sforcuar dhe pak i ndihmuar nga pjesa tjetër e mesfushës. Nuk e kuptova edhe pse Danso nuk u zëvendësua, sepse e pashë lojtarin që nga fundi ishte i paqartë dhe pak efikas në ato që po bënte në fushë. Tirana duhet të gjejë një zgjidhje në janar për lojtarë me cilësi të tilla.

Tirana-Partizani Derbi

PARTIZANI HERMETIK, POR PA “PLAYMAKER”

Partizani gjithashtu kishte një mbrojtje me katër, të vendosur mirë në fushë dhe agresivë sa duhet për ndeshje të tilla,por vetëm kaq. Nuk i pashë asnjëherë mbrojtësit e Partizanit në gjysmëfushën e kundërshtarit. Nuk i “tradhtuan” pozicionet e tyre, por as nuk e ndihmuan skuadrën sa duhet për të krijuar në fragmente të caktuara superioritet numerik dhe për të ushtruar presionin e nevojshëm që sjell edhe rastet e rrezikshme apo edhe golat. Përveç kësaj, m’u duk se të dyja skuadrave, por në veçanti Partizanit i mungon një “playmaker” ose një organizator që të orientojë si duhet manovrën sulmuese dhe të ketë vizionin e duhur për lojën. Mangësi e madhe në mesfushë për një ekip që pretendon titullin. Kjo është e kuptueshme, sepse nuk bënë merkato këtë vit, por do të jetë problem në të ardhmen nëse nuk zgjidhet.

KA RËNË CILËSIA

Pak më lart përmenda që pamë një ndeshje pa fantazi. Jo vetëm për shkak të përkujdesit të tepër nga ana e stafeve për të mos e humbur ndeshjen, por edhe për cilësi të lojtarëve. Në kohët e sotme ata më të talentuarit ikin gjithnjë, por gjithsesi dy skuadra të mëdha duhet të gjejnë një zgjidhje për ta pasur në gjirin e tyre një lojtar që e zgjidh një ndeshje, qoftë edhe një derbi, me një pasim të zgjuar, me një gol të improvizuar apo edhe me një lëvizje prej lojtari klasi. E kuptoj, Muka dhe Bylykbashi është e vështirë të gjesh sot, por dikush që të bëjë diferencën në finesë, në teknikë dhe në mendim duhet të jetë në ekip. Ndryshe, gjërat bëhen më të vështira dhe ndeshjet të duken të gjata e të rrezikshme… Biem dakord se futbolli është një lojë kolektive dhe pa grupin nuk shkon larg… Biem dakord edhe që një derbi do të dalë barazim, por ama në përfundim të ndeshjes duhet të kemi memorizuar edhe disa gjëra për t’u mbajtur mend. Për fat të keq, në ndeshjen e djeshme është e vështirë ta thuash këtë, edhe pse terreni i fushës në fakt ishte vërtet shumë i rënduar dhe nuk e ndihmonte lojën e bukur.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"