Ky Partizan nuk funksionon, Kukësi i çorientuar në sulm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2017 | 16:02

Ky Partizan nuk funksionon, Kukësi i çorientuar në sulm

AGIM CANAJ

 

agimi canaj trajnerPartizani-Kukësi ishte një ndeshje larg pritshmërive, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për dy skuadra që pretendojnë të fitojnë titullin kampion. Nga fillimi i lojës dhe deri në fund, të dyja ekipet funksionuan më mirë në fazën mbrojtëse. Në këtë ndeshje la shumë për të dëshiruar faza ofensive e skuadrave. Ndryshimet, që kanë pësuar ekipet gjatë merkatos, e kanë bërë edhe më të vështirë gjetjen e golit në këtë fillim kampionati. Shterpësia e golave duket qartë.

partizani kukesi

PARTIZANI

Iuliano e nisi me skemën 4-2-3-1, me tre lojtarë që luanin për herë të parë së bashku si Adorjan, La Kamera dhe Çani. Ndryshimet në formacion, por sidomos vendosja e Trashit dhe Prognit jo në krahët e tyre natyral, nuk përmbushën pritshmëritë e trajnerit. Kishte një mangësi të madhe në fazën sulmuesve, veçanërisht në kombinacionet nga krahët. Lojtarët e Partizanit ishin shumë të ngurtë, madje krosimet vinin nga thellësia e mesit të fushës.

Kjo bëri që skuadra e kuqe të ishte shumë e lexueshme në fazën ofensive. Pothuajse në 100% të aksioneve, topat jepeshin në harkun e zonës së rreptësisë me krosime të gjata. Kësisoj, Partizani nuk ishte i rrezikshëm në pjesën më të madhe të lojës. Kjo mënyrë loje që ka menduar trajneri Iuliano nuk po funksionon fare dhe duhet të ndryshojë. Së pari, Trashi nuk duhet të luajë më në atë pozicion, pasi nuk është një lojtar penetrues nga brenda.

Ai është një lojtar krahu i fuqishëm, që mbi të gjitha kroson mirë. Nuk mund të luajë në një pozicion kaq të sforcuar një lojtar si Trashi. Kukësi e pati shumë të lehtë për të thyer aksionet. Nga ana tjetër, mendoj se Adorjan është një lojtar me aftësi të mira, por nuk gjeti hapësira, sepse pika referuese, Çani, akoma nuk është ambientuar me ekipin. Sulmuesi ishte shumë statik në fushë, por kjo edhe për meritë të mbrojtësve Shameti dhe Alla, që japin garanci të madhe.

KUKËSI

Kukësin e kam ndjekur me shumë vëmendje në tri takimet e fundit. Vihet re ndryshimi nga sezoni i kaluar, kryesisht në kontingjentin e lojtarëve. Ndaj Partizanit luajti ndryshe nga ndeshjet e kaluara, me një skemë 4-2-3-1. Kishte shumë dendësi në mesfushë, duke parë edhe vendosjen e Zeqirit dhe Kërkotiç, që ishin vendosur në qendër.

Ndërsa në fazën e avancuar, më shumë funksionoi Kale, sesa Alijev, Bakaj dhe Guri, me këtë të fundit që improvizohet në krahë. Trajneri Milinkoviç hodhi në fushë një skuadër që kishte më shumë muskuj, pasi parashikonte një lojë shumë mbrojtëse dhe me dyluftime të ashpra. Kjo u pa qartë dhe taktika e Kukësit, në momente të caktuara për të goditur Partizanin me kundërsulm, funksionoi shumë pak.

Ajo që bie në sy është mënyra e lojës, që është shumë e ngurtë. Largimi i Pejiçit dhe Eminit është një domethënie e madhe, pasi Kukësi duket shumë i çorientuar në sulm aktualisht. Do ta ketë të vështirë edhe në ndeshjet e ardhshme për të gjetur golin. Ky është një kampionat shumë i vështirë dhe për të marrë titullin duhet një linjë sulmuese shumë e fuqishme, që për momentin Kukësin nuk e ka.

Shikoj që Kukësi po luan me lojtarë të improvizuar si në qendër të mesfushës, ashtu edhe në sulm. Milinkoviç ka kërkuar që të mos luhet me topa të gjatë, por po shikoj që veprimet nuk bëhen mirë, as me topa të shkurtër dhe as me të gjatë. Kukësi po amplifikon edhe lojtarë. Rasti konkret është i Zeqirit, që ka luajtur më shumë prapa sulmuesit.

Ai është një lojtar me cilësi ofensive, ndërsa sot luajti më shumë si shkatërrues para mbrojtjes për të nxjerrë topin. Kukësi ishte shumë mbrojtës ndaj Partizanit, ndërsa në të kaluarën ka qenë një skuadër që ka ditur të marrë zona. Alijev, Guri etj., e kanë shumë të vështirë me këtë mënyrë loje për të dalë te goli.

Ekipi ka të stabilizuar vetëm fazën mbrojtëse, që funksionon mirë. Por, një skuadër pretendente duhet të qarkullojë topin dhe të luajë, si me pasin e shkurtër, ashtu edhe me të gjatë. Pika e marrë nga Kukësi, në njëfarë mënyre, është edhe një dobësi e lojës së Partizanit, që në dy ndeshje brenda fushës ka luajtur dobët.

MBROJTËSIT

Dyshet e qendrave të mbrojtjes, Shameti-Alla dhe Krasniqi-Atanda, mendoj se kanë qenë në lartësinë e duhur gjatë gjithë lojës. Pra, në një ndeshje të tillë, ata ishin më të mirët në fushë. Ishin të vetmet pika pozitive në një takim që nuk u prodhua lojë e bukur. Ishte një javë që ka pasur pak gola dhe një shterpësi nga sulmuesit. Këtë e tregojnë vetë rezultatet e ndeshjeve dhe autorët e golave.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"