ANALIZË/ Lojtarë memecë, gjyq me Nishanin dhe “Panorama Sport”… Panuçit ia ka fajin gjithmonë dikush tjetër!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2018 | 23:44

ANALIZË/ Lojtarë memecë, gjyq me Nishanin dhe “Panorama Sport”… Panuçit ia ka fajin gjithmonë dikush tjetër!

ANALIZË E PANORAMA SPORT

Kristian Panuçi është ankuar sot për “Panorama Sport” duke shprehur hapur bezdinë për pyetjet që janë bërë nga gazeta. Pyetje që në fakt kishin të bënin pikërisht me situatën në ekipin kombëtar dhe me raportin aktual mes tij dhe presidentit të FSHF-së. Nuk kemi asnjë keqardhje që Panuçi ndihet i bezdisur nga pyetjet tona të drejtëpërdrejta. Përkundrazi, do të thotë se e kemi bërë punën mirë. Misioni ynë nuk është që t’i pëlqejmë Panuçit, as Dukës, as FSHF-së dhe askujt tjetër. Kontratën nuk e kemi me asnjë nga këta. Kontratën e kemi me lexuesin, sepse misioni ynë është që të raportojmë të vërtetën.

Panuci

Panuçi nuk është i pari që ankohet për “Panorama Sport” dhe me gjasë as i fundit. Para tij e kanë sulmuar gazetën edhe shumë të tjerë. Që nga shefi i vet, Duka, dhe më pas presidentë klubesh, deputetë, futbollistë, ish-futbollistë, trajnerë e me radhë. Thuajse gjithnjë i njëjti motiv: e vërteta e hidhur. Për të gjithë ata që e kanë të vështirë të hyjnë në temë, thjesht po ju bëjmë me dije situatën: dy ditë më parë presidenti i FSHF-së kur u pyet për të ardhmen e trajnerit deklaroi saktësisht kështu: “Është e vështirë të analizoj tani punën e trajnerit. Bilancin e tij do ta bëjmë pas dy ndeshjeve”.

Nëse Panuçi do të konsiderohej i padiskutueshëm, Duka mjafton të thoshte se trajneri nuk lëviz. Italiani ka kontratë edhe një vit apo jo?… Do ishte shumë e thjeshtë. Por duke e njohur stilin e Dukës dhe duke mësuar nga e kaluara, qartazi presidenti i FSHF-së i ka përmendur dy ndeshjet e fundit trajnerit. Sepse dilema e Dukës kundrejt Panuçit nuk ka të bëjë më me aspektin sportiv, se sa me faktin e klimës që e rrethon Kombëtaren aktualisht. Prandaj Duka i përmend dy ndeshjet e fundit Panuçit. Nëse ndodh një mrekulli dhe fitojmë me Skocinë e me Uellsin, shumë gjëra mund të ndryshojnë.

Por në të kundërt… Panuçi është i ndërgjegjshëm gjithashtu për atmosferën që e rrethon. Panuçi që u ankua për presionin e “Panorama Sport”, në fakt ankohet për gjithçka që kur ka shkelur në Shqipëri… Sot u ankua për gazetën. Pak muaj më parë ngriti padi kundër ish-presidentit Bujar Nishani. Ndeshjet e fundit bojkotoi “Supersportin” se nuk i pëlqenin pyetjet e Hafizit dhe specialistëve të tjerë…. Në konferencën e para tri ditëve sulmoi lojtarët dhe i quajti shurdhmemecë… Pra, gjithnjë dikush e ka fajin që skuadra e tij nuk merr rezultate. Po Panuçi a ka ndonjëherë përgjegjësi?

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"