Analizë e fortë te Teuta, Martini dhe Starova ngrejnë zërin për humbjen në Laç

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 4, 2021 | 23:21

Analizë e fortë te Teuta, Martini dhe Starova ngrejnë zërin për humbjen në Laç

Humbja 1-0 ndaj Laçit, natyrisht që nuk mund të kalonte pa u analizuar. Për këtë arsye, para stërvitjes së djeshme, për një orë është zhvilluar analiza e kësaj ndeshjeje, por edhe e situatës që është krijuar në skuadër. Nuk ka pasur masa ndëshkimore, megjithatë nga ajo çfarë është kuptuar, secili nga pjesëtarët e skuadrës ka marrë përgjegjësitë e veta. Dhe ajo çka është më e rëndësishmja, kanë premtuar kthesën që në ndeshjen e radhës me Apoloninë.

Teuta stervitje

DEBATET – Pasditen e djeshme ekipi i Teutës ka zhvilluar seancën e parë stërvitore të javës, duke nisur kësisoj edhe përgatitjet për ndeshjen e radhës me Apoloninë. Përpara fillimit të saj është zhvilluar edhe analiza e ndeshjes së kaluar me Laçin. Në këtë analizë përveç stafit dhe futbollistëve ka marrë pjesë edhe drejtori i teknik, Suleljman Starova. Në 60 minutat që ka zgjatur kjo analizë, më shumë ka folur trajneri Martini, i cili u ka shpjeguar edhe njëherë futbollistëve situatën në të cilën ndodhet skuadra dhe ka kërkuar prej tyre të marrë vesh arsyet që çuan në këtë humbje në ndeshjen ndaj Laçit. Të gjithë kanë bërë autokritikë për këto rezultate, por nga ana tjetër, është theksuar se e gjitha kjo që po ndodh është vetëm psikologjike sepse skuadra në stërvitje është shumë mirë dhe do të mjaftojë një fitore për të dalë nga kjo situatë. Trajneri Martini, ndërkohë u ka kërkuar futbollistëve reagim që në ndeshjen e radhës me Apoloninë, e cila në vetvete duhet menduar si një finale, sepse tashmë nuk lejohen më gabimet.

PËRGATIJET – Skuadra e Teutës ka vijuar sipas programit seancën stërvitore, pasditen e djeshme, në kompleksin “Olympic Park” në Durrës. Për më shumë se 80 minuta futbollistët janë ndalur në aspektin e përgatitjes fizike, më pas në veprimet mbrojtëse me ushtrime të veçanta dhe më tej në situata të ndryshme në lojë me grupe të përcaktuara nga trajneri, por që ndërroheshin herë pas here. Një seancë voluminoze e plotë dhe ku në momente të veçanta tekniku Edi Martini ka orientuar lojtarët për ushtrime të ndryshme taktike që kërkonin përqendrim të plotë. Ekipit ditën e djeshme në stërvitje të plotë i është bashkuar edhe Jackosn, teksa tashmë do të jetë në dispozicion të trajnerit. Pak vrapime të lehta për Avdylin dhe disa ushtrime më vete shkrythëse, pasi mesfushori do të mungojë këtë javë. Tashmë skuadra është e plotë dhe po merr ngarkesën fizike, në një kohë që edhe ana taktike ka minutazhin e saj. Pas seancës stërvitore Martini u ka shpjeguar lojtarëve gjithçka që ai realizoi në stërvitje. Gjendja e futbollistëve është mjaft e mirë, gjithashtu edhe harmonia brenda ekipit dhe atmosfera është mjaftë pozitive. Vihet re dëshira dhe motivi i tyre për stërvitje gjatë kësaj kohe.Laci-Teuta

TITULLI – Me disfatën në Laç, Teuta humbi një shans të mirë për t’iu afruar kreut, që për skuadrën bregdetare është asisti i dytë që shpërdorojnë, pasi një javë më parë nuk arritën të përfitonin nga barazimi i Vllaznisë kryesuese me Kastriotin, duke ngecur ndaj Partizanit dhe këtë të diel nuk shërbeu as barazimi i shkodranëve në “Elbasan Arena”. Teutës i mungojnë pikët me rivalët direkt dhe në një kampionat me 4 faza, ku përballjet me secilin prej tyre janë të shpeshta, janë ato pikët vendimtare që vendosin në një “luftë” të ashpër për zonën e lartë të klasifikimit. Pretendente për titullin, me një objektiv të shpalosur qartazi që në fillim të sezonit, te Teuta duhet ndoshta të gjejnë më shumë guxim në fushën e lojës në mënyrë që rezultatet t’u përgjigjen ambicieve.

Në krahasim me rivalët e fillim tabelës, skuadra e drejtuar nga Edi Martini është ajo që numëron më pak fitore deri në këtë moment të kampionatit, 6, dy më pak se Kukësi, një më pak se Partizani e Laçi dhe 4 më pak se Vllaznia. Ndër to në përballjet direkte spikat vetëm suksesi ndaj Tiranës në nëntorin e kaluar dhe ai në fund të vitit që lamë pas ndaj një Kukësi të zhytur në krizë. Mbi të gjitha, nëse i hedh një sy fitoreve durrsake, ajo që spikat është se bregdetarët vetëm në një rast kanë marrë pikët e plota në ndeshjet në shtëpi, vetëm një fitore ndaj Bylisit në “Niko Dovana”. Pavarësisht zbehjes së efektit të faktorit fushë me mungesën e tifozëve, shumë pak, për një skuadër që synon titullin kampion. Një mangësi për t’u rikuperuar në takimet e radhës, ku Teuta shikon si aleat edhe kalendarin.

ZAMIR QYPI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"