Analizë dhe ngarkesë, Shkëmbi pret autokritikë ndaj Skënderbeut. Teutës i rikthehet…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2019 | 12:44

Analizë dhe ngarkesë, Shkëmbi pret autokritikë ndaj Skënderbeut. Teutës i rikthehet…

Teuta pret kthesën ndaj Skënderbeut. Pas barazimit me Vllazninë, durrsakët duan vetëm fitore në Korçë. Trepikëshi është detyrim dhe tashmë lojtarët e kanë të qartë “misionin”. Për këtë duel grupi do të jetë më i plotë, pasi rikthehet Sherif Kallaku.

sherif kallaku teuta

Mesfushori 21-vjeçar e ka hedhur pas krahëve dëmtimin që pësoi kundër Tiranës në javën e dytë. Një gjë është e sigurt që do të jetë i grumbulluar, ndonëse vendimi nëse do të marrë minuta apo jo i takon trajnerit. Mungesë e sigurt do të jetë ajo e Fabjan Beqjas, i cili vazhdon të ketë probleme dhe në dyshim mbetet Orion Xhemalaj, i cili ishte i padisponueshëm edhe në Kupë.

Ai ka kryer dje stërvitjen, e megjithatë mbetet në vëzhgim prej stafit mjekësor. Numri një i pankinës së “djemve të detit” pritet të mos bëjë surpriza në formacion, duke i besuar të njëjtës skuadër, me shpresën që këtë herë të ketë perfeksion në lojë dhe mbi të gjitha gola.

Shkembi-Teuta

ANALIZA

E enjtja ka nisur me një analizë. Barazimi në “Niko Dovana” me shkodranët ka lënë një shije të hidhur, ndaj për më shumë se 10 minuta Bledi Shkëmbi është munduar që të nxjerrë në pah gabimet e lojtarëve. Ai ka kërkuar që ato të mos përsëriten më jo vetëm në ndeshjen e radhës, por edhe në të tjerat në vazhdim, duke kërkuar rikthimin te fitoret. Me analizat nuk është mbyllur këtu. Sot është programuar e radhës, por këtë herë me ndihmën e pamjeve filmike. Njëherësh do të studiohet edhe kundërshtari, të cilin trajneri e njeh realisht mirë dhe kjo është e qartë kur njihet e shkuara e tij.

STËRVITJA

Seanca e djeshme nisi me nxemjen e zakonshme dhe e vazhduan me ushtrime fizike. Vëmendja pas këtij procesi u përqendrua te teknika e taktika dhe në mbyllje nuk mungoi as një lojë e lirë brenda grupit, ku dukshëm ra në sy efektiviteti i sulmit. Harmonia dhe puna grupore ishin faktor kyç edhe në këtë stërvitje, gjë që jep shpresë për vazhdimësinë.

Zamir Qypi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"