ANALIZË/ Apolonia, mes premtimeve të bujshme dhe realitetit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 8, 2021 | 18:58

ANALIZË/ Apolonia, mes premtimeve të bujshme dhe realitetit

Apolonia ka marrë rrokopujshëm rrugën drejt Kategorisë së Parë. Vetëm një sezon në Superiore dhe fierakët duket se kanë pronotuar “biletën” vajtje-ardhje: nga elita, sërish në nivelin e dytë të futbollit shqiptar. Të vjen keq për të rinjtë e talentuar që ka në gjirin e vet kjo skuadër, e cila mezi arriti të ringjitej në Superligë, pas plot 5 sezonesh mungesë, por “stofi” i Superiores rezultoi i kushtueshëm për “konstruktin” e brishtë të kësaj skuadre. E, pra, Apolonia ka shumësi të rinjsh cilësorë dhe të afirmuar në skuadrën e parë, duke nisur që nga Romeo Harizaj, Eljon Sota, Redon Mihana, Rimal Haxhiu, Mario Gjata, për të vijuar me Stefano Omerin, Ksement Mehmetin, Krisild Zogën e gjer te Jeton Krasniqi, Skerdilajd Levendi apo dhe Mariel Sota. Po ku qëndron ngërçi i mosfunksionimit në grup të kësaj skuadre? Vetë klubi duhet të analizojë qysh tani mënyrën e organizimit dhe menaxhimit të skuadrës së parë.

Apolonia

FAKTORI “KOKËDHIMA” – Koço Kokëdhima është presidenti i Apolonisë së futbollit qysh prej shtatorit 2002. Gati 20 vjet që është aksionieri kryesor i skuadrës, aktualisht me 62%, ndërsa pjesa tjetër i takon Bashkisë Fier. Për Klubin e Futbollit gjatë periudhës “Kokëdhima”, mund të përmendet puna e mirë me akademinë, krijimin e kompletimin të ekipeve zinxhirë dhe terreneve sportive, si dhe ngritjen e masivizimin e futbollit femëror. Ndërsa për ekipin e parë të djemve… Për retrospektivë, kujtojmë që në vitin 2002, kur z. Kokëdhima mori presidencën e klubit, Apolonia luante sezonin e 18-të radhazi në Superiore, që prej sezonit 1985-1986, madje ishte skuadra që vetëm 4 vjet më parë pati fituar edhe Kupën e Shqipërisë (1998). Por ç’ndodhi më pas? Vetëm sezonin e parë të drejtimit të Kokëdhimës qëndroi në Superiore Apolonia dhe u rrëzua në Kategorinë e Parë pas plot 19 edicionesh në elitë, duke u shndërruar më pas në një ekip të rëndomtë të “ashensorit” me destinacion: Kategori e Parë – Superiore – Kategori e Parë. Ja statistikat e epokës “Kokëdhima” në krye të Apolonisë në 19 sezone, përfshirë edhe aktualin: 8 pjesëmarrje në Superiore dhe 11 edicione në Kategorinë e Parë.

Në Superiore (pa sezonin e tanishëm), në 7 pjesëmarrje Apolonia ka zhvilluar 213 ndeshje në total, me bilancin: 51 fitore (23. 9 %), 43 barazime (20. 1 %) dhe 119 humbje (55. 9 %), golat: 193- 320 dhe 196 pikë (0. 9 pikë/ ndeshje) të grumbulluara. Pozicioni më i mirë i Apolonisë së Kokëdhimës në Superiore ka qenë në sezonin 2008-2009, ku skuadra do të renditej e 8-ta mes 12 ekipeve pjesëmarrëse, ndërsa trofeu i vetëm i fituar nga Apolonia gjatë 19 viteve të fundit ka qenë… titulli “kampion” i Kategorisë së Parë vitin e kaluar! Tifozët, dashamirësit, specialistët dhe njerëzit e sportit kanë qenë në mënyrë permanente kritikë ndaj politikave që presidenti Kokëdhima ndër vite ka aplikuar për skuadrën, por këta zëra janë shpërfillur dhe injoruar nga kreu i klubit fierak, i cili i ka klasifikuar në “dashakeqës” apo dhe “armiq” të Apolonisë të gjithë ata që i kanë kërkuar hapur që skuadrën të mos e shikojë vetën si biznes, por edhe si detyrim për argëtimin e publikut, që aq fort e do dhe i dhimbset emri i skuadrës së qytetit.

APOLONIA KRAHASIMI

EPILOG – Në fillim të sezonit 2020- 2021, u krijua përshtypja se do të niste një “erë” e re për Apoloninë dhe mund të bëheshe optimist kur dëgjoje presidentin Kokëdhima kur shprehej për “Panorama Sport” se Apolonia do të renditej në zonën “Euro” në fund të këtij sezoni apo deklarata plot patos e tij: “… Besoj se Apolonia do të jetë surpriza më e bukur e sezonit të ri në Kategorinë Superiore”… Ndodhemi 10 javë përpara mbylljes së këtij kampionati dhe, me shumë gjasa, Apolonia e “ka nënshkruar” fatin e saj sezonal, pa ndonjë “surprizë të bukur”: rikthimin në Kategorinë e Parë dhe kushedi se kur do ta shohim sërish në elitë… Gjer atëherë, do të shtohen “dashakeqësit” dhe “armiqtë” e Apolonisë, me sa duket, pasi filozofia e dështuar e 19 viteve të drejtimit të Kokëdhimës po i bën “update” vetvetes… Keqardhje dhe vlerësim për ata djem të rinj të Apolonisë, që derdhin djersën në fushë, duke uruar që të realizohet mbijetesa, përndryshe… ekziston frika se edhe mes tyre mund të kërkohen grupimet e “dashakeqësve” dhe “armiqve”, për t’i sikterisur më pas nga skuadra, siç ka ndodhur jo rrallëherë edhe në të shkuarën e këtyre 19 viteve… Zoti e shpëtoftë Apoloninë!

BUJAR RAMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"