ANALIZA/ Ustai Flik, tani duhet të ndreqë “yjet”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2020 | 23:48

ANALIZA/ Ustai Flik, tani duhet të ndreqë “yjet”

Bajerni i Mynihut arriti të dilte me një pikë nga ndeshja e së martës ndaj Atletikos së Madridit. Një barazim që më shumë i prishi punë skuadrës madrilene sesa u bëri punë gjermanëve, të cilët shkuan në Spanjë të kualifikuar për në fazën e 1/ 8-ave. Por, trajneri Hansi Flik e shfrytëzoi këtë mundësi për të lënë pushim disa prej titullarëve për të rikuperuar energji, ashtu si dhe për të provuar disa nga lojtarët e rinj dhe ata që kanë luajtur pak minuta.

flik

ZHGËNJIMI

Sigurisht që trajneri 55- vjeçar i cili fitoi gjithçka në vitin e tij të parë me Bajernin, ka mbetur i pakënaqur nga disa prej lojtarëve nga të cilët ai pret më shumë. I pari në listë është pa dyshim Leroi Sane. Gjermani erdhi me shumë bujë nga Mançester Siti në verë, por ende nuk ka treguar të gjithë potencialin e tij, i kushtëzuar edhe nga dëmtimet, por edhe nga gabimet e shumta. Flik jo më kot e kritikoi atë para disa ditësh për humbjet e shpeshta të topit. Gjithsesi, te Sane askush nuk i ka humbur ende shpresat pasi cilësitë e tij tashmë njihen nga të gjithë, është më shumë një çështje kohe para se ai të rikthehet në nivelet e tij të mëparshme. Një tjetër zhgënjim është edhe Sar, mbrojtësi i ardhur nga Marseja ende nuk është ambientuar me skuadrën duke lënë shumë për të dëshiruar.

E ARDHMJA

Jamal Musiala është pa dyshim lojtari që ka bërë për vete të gjithë tifozët e Bajernit dhe trajnerin Hansi Flik. Anglezi 17-vjeçar ishte një nga lojtarët më të mirë në mbrëmjen e së martës, edhe pse luante në një kompeticion madhor në një moshë të vogël. “Është një nga talentet më të mëdha në qarkullim, jam i lumtur që luan me ne”, tha Flik. Një tjetër emër që u lakua pas sfidës me spanjollët është Aleksandër Nybel. Portieri gjerman ishte pa faj te goli i Zhoao Feliksit. Në pjesën e mbetur të ndeshjes tregoi siguri dhe maturi në mbrojtjen e portës. Te Bajerni mund të shpresojnë shumë pasi Hansi Flik është një trajner që mund t’i bëjë të dyja: Të rrisë lojtarët e talentuar dhe të rrisë performancën e atyre që vuajnë. Rastet janë të shumta, duke përmendur vetëm Tomas Mylerit. Mund të themi se tifozët e Bajernit mund të qëndrojnë të qetë pasi Hansi Flik e di si t’i gëzojë bavarezët.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"