Analiza teknike, Krespo u jep notat Ikardit e Higuainit: Dy bomberë “vrasës”, do ketë spektakël

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 19, 2018 | 15:48

Analiza teknike, Krespo u jep notat Ikardit e Higuainit: Dy bomberë “vrasës”, do ketë spektakël

Hernan Krespo është një nga ata që derbin e Milanos e ka luajtur me të dyja fanellat. Sipas argjentinasit, kuqezinjtë kanë gjithçka që duhet për t’u renditur në katër vendet e para të Serisë A, aq më tepër që më afrimin e Gonzalo Higuainit, Milani ka zgjidhur edhe një shqetësim jo pak të vogël, siç ishte ai që lidhet me golat.

Krespo

“Top të gjatë dhe Gonzalo shkon për ta zotëruar; pasim në zonën e rreptësisë dhe ai është aty për të konkretizuar; topa të lartë dhe ai lufton me kokë duke e mbrojtur sferën më çdo mënyrë. Një sulmues i frikshëm”, tha Krespo për sulmuesin e kuqezinjve. Që prej largimit të Filipo Inzagit dhe Zllatan Ibrahimoviçit, “Djalli” e ka vuajtur shumë mungesën e një sulmuesi që shënon mbi 15-20 gola në sezon. Pavarësisht afrimeve të bujshme në sezonin e kaluar, kuqezinjtë nuk arritën të kishin një goleador tipik. Derbi parashikohet spektakolar me “El Valdanito”-n, që shpjegon:

ikardi higuain

“Leonardo i dhuroi Xhenaro Gatuzos më të mirin në treg. Komplimente! Tani, ‘San Siro’ do të ketë një derbi të ethshëm, një ndeshje të paharrueshme. Mauro Ikardi kundër Higuainit në majën e sulmeve të ekipeve e përkatëse”. Në intervistën e tij për “La Gazzetta dello Sport”, Krespo bën edhe një analizë të imtësishme të dyshes, duke i vendosur nota për çdo karakteristikë të repertorit

E djathta – “8 për secilin. Ikardi godet fuqishëm dhe me precizion, ndërsa Higuain është tepër i saktë, sidomos kur godet diagonalisht”.

E majta – “Ajo e interistit është më e fortë, ndaj i jap një 8. Sulmuesi i Milanit përdor më shumë të djathtë dhe meriton vetëm 7”.

Me kokë – “Gonzalo meriton 8, sepse ka shkëputje, por jo shënjestër, ndërsa Mauro 9, për shkak se di të vjedhë shumë mirë kohën dhe është i saktë”.

Nuhatje goli – “Meritojnë nga një 9. Higuain qëndron në hije dhe godet papritur, ndërsa Ikardi vërsulet në çdo top që duket i humbur”.

Nga jashtë zone – “8 për secilin sepse është armë e të dyve”.

Pjesëmarrje në aksion – “8 Mauritos sepse është pak aktiv në manovrën ekipor, ndërsa ‘El Pipita’ është shpesh në qendër të saj, ndaj e vlerësoj me 9″.

Driblim – “Ikardi 8 dhe Gonzalo 9, sepse është tej mase i shpejtë”.

Përvojë ndërkombëtare – “9 për Higuain sepse ka më shumë se Ikardi, të cilin e vlerësoj me 8”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"