Analiza taktike, ja si Bajerni ia mori Champions-in PSG-së (SKEMAT)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 26, 2020 | 19:27

Analiza taktike, ja si Bajerni ia mori Champions-in PSG-së (SKEMAT)

PANORAMA SPORT

 

Vetëm 6 muaj më parë bota ishte një vend krejtësisht ndryshe nga ai që njohim sot. Pak e dinin se çfarë nënkuptonte realisht fjala karantinë, por akoma më pak imagjinonin se Bajerni i Mynihut do të mund të fitonte Ligën e Kampioneve. Dhe ndoshta asnjë nuk besonte se Tiago Alkantara do të kishte qenë në lartësinë e pritshmërive të talentit të tij.

UCL-FINAL-1-840x401

Gjashtë muaj më parë, skuadra e Hansi Flikut sapo kishte nisur që të ringrihej, pas një fillimsezoni të tmerrshëm, të shënuar me shkarkimin e Niko Kovaçit, në fillim të muajit nëntor. Ndërsa më 8 dhjetor 2019, ditën pas humbjes 2-1 me Mynshengladbahun, Bajerni gjendej i shtati në renditjen e Bundesligës, 7 pikë larg kreut, ku akomodohej pikërisht Gladbahu i Marko Rozes.

Përveç problemeve të skuadrës, një tjetër hall i madh sezonal lidhej me Tiago Alkantarën. Me kontratën në skadencë në 2021-shin, ky ishte viti i fundit përpara se mesfushori të mund të largohej me parametër zero nga Mynihu. Madje, edhe drejtuesit e klubit nuk e kishin shpallur si problem faktin se mund ta humbnin pa para spanjollo-brazilianin, i cili në Gjermani nuk është se ka pasur shumë dashamirës. Madje, në janar, revista “Kicker”, shumë influente në Gjermani, e kishte injoruar totalisht lojtarin, duke mos e bërë pjesë të mesfushorëve më të mirë të Bundesligës.

Ndoshta, sepse ai vazhdonte të personifikonte atë “ADN-në katalanase”, të lënë trashëgimi nga Pep Guardiola, e cila si te Bajerni i Mynihut, ashtu sikurse në Bundesligë nuk është se ishte pranuar me aq kënaqësi nga dashamirësit gjermanë të sportit. Tiago Alkantara, jo më kot ishte edhe blerja e parë e kërkuar nga Pep Guardiola, pas zbarkimit të tij në Mynih, në atë verën e famshme të vitit 2013, e cila ishte karakterizuar nga fitorja e tripletës me Jup Hejnkesin, përpara se trajneri spanjoll të niste aventurën e tij: “Tiago është i vetmi futbollist që dua nga kjo merkato. Ose atë, ose askënd tjetër”, kishin qenë fjalët e Guardiolës përballë Rumeniges dhe dëshira iu plotësua.

Nuk është ndoshta një çudi, që gjithashtu në një intervistë të publikuar 6 muaj më parë në faqet e “Independent”, mesfushori spanjoll të fliste për të kaluarën e tij, në veçanti te Barcelona. “Stili im i lojës nuk është vetëm derivat i Barcelonës, por është edhe një shembull i ideve braziliane pivot, – nënvizonte Tiago. – Barcelona të dhuron filozofinë për të kuptuar lojën e Barçës, por pjesa tjetër që tregon në fushë është akumulim i eksperiencave të mëparshme”. Duke folur për vitet e tij në formacionin e Barcelonës, Tiago Alkantara zhytet edhe më thellë ne debatin e përhershëm futbollistik mes taktikës dhe teknikës, mes trurit dhe këmbëve: “Ideja ime e futbollit nuk përqendrohet vetëm në kontrollin e topit.

Më shumë sesa të kontrollosh topin, në fushë duhet të dish të kontrollosh atë që bën. Nëse lëvizjet e tua janë memorizuar mirë gjatë stërvitjeve dhe zbatohen në mënyrën më perfekte të mundshme, atëherë po që je në kontroll të lojës. Kundërshtarin e dominon vetëm duke ekzekutuar saktësisht lëvizjet që bën dhe memorizon në stërvitje”. Dhe fjalët e Tiagos janë jo vetëm pasqyrimi i faktit pse ai ishte futbollisti më i mirë në fushë i finales Champions ndaj PSG-së, lojtarit që taktikisht vendosi ndeshjen, por mbi të gjitha sepse sqarojnë më konkretisht strategjitë taktike që kishin zgjedhur si Hansi Flik, ashtu sikurse rivali i tij, Tomas Tuhel.

MBROJTJA LART, NOJER SI STOPER

Që të dy trajnerët finalistë kishin thurur një plan ndeshjeje, që nuk kishte si objektiv kontrollin e plotë të të gjithë lojës, pra të shmangies absolute të rrezikut të kundërshtarit (utopia e madhe e Pep Guardiolës). Përkundrazi, rrezikun e pranonin me kënaqësi, në këmbim të avantazheve taktike të momentit, në mënyrë që pikërisht futbollistët më cilësore (pra të tipit Tiago Alkantara) të bënin diferencën me ekzekutimin e cilësive të tyre teknike, me shpresën se në këtë mënyrë do të mund të fitonin bastin me veten dhe sigurisht edhe trofeun.

Nojer bën mbrojtësin shumë metra larg portës së tij, ndërsa dy qendërmbrojtësit duhet të pozicionohen në rrethin e mesit të fushës, ndërsa dy

Nojer bën mbrojtësin shumë metra larg portës së tij, ndërsa dy qendërmbrojtësit duhet të pozicionohen në rrethin e mesit të fushës, ndërsa dy mbrojtësit anësorë janë në gjysmëfushën e PSG-së.

Nga njëra anë, Hansi Flik vazhdoi të këmbëngulte mbi një presing marramendës, pavarësisht kërcënimeve të Nejmar, Mbape e Di Maria, duke besuar në faktin se me daljet e Manuel Nojerit shumë metra larg portës së tij do të kishte mbuluar hapësirat e prapavijës. Portieri Nojer, edhe pse këtë e zbaton me shumë kënaqësi, siç ka treguar karriera e tij, do të bënte edhe rolin e stoperit të mbrojtjes, duke qenë se mbrojtja bavareze, edhe në situatat më dëshpëruese, duhej të qëndronte sa më pranë rrethit të mesfushës. Nga ana tjetër, Tomas Tuhel vendosi që të ulë sa më shumë bariqendrën e skuadrës së tij, për t’ua lënë manovrën kryesore të lojës bavarezëve.

Zhveshi nga çdo detyrë mbrojtëse tredhëmbëshin e tij, me shpresën se në rikuperimin e parë të topit, sfera duhej të shkonte me një pasim të gjatë drejt Nejmarit, Mbapesë apo Di Marias, të cilët kishin si detyrë të digjnin në kohë dhe në shpejtësi dyshen e qendrës së mbrojtjes bavareze, Alaba-Boateng, të cilët shpesh liheshin të vetmuar përballë “Kavalierëve të Apokalipsit”. Sot, sigurisht që e dimë shumë mirë se cila nga strategjitë e fitoi bastin…

Presingu ultraofensiv i Bajernit të Mynihut i mohoi PSG-së që të luante topa të pastër drejt tredhëmbëshit. Por mbi të gjitha, mbrojtja e mbajtur shumë lart nga Fliku i mohoi Nejmarit, Mbapesë dhe Di Marias që të qëndronin pranë portës së Nojerit, aq larg pavarësisht teknikës fine dhe formës atletike fantastike të sulmuesve të ekipit francez.

E ritheksojmë, kjo nuk do të thotë se në këtë mënyrë Bajerni nuk mori rreziqe përsipër, përkundrazi, skuadra e Flikut rrezikoi disa herë të pësonte, ndonëse është e kotë që të përmendim dhe ripërmendim sërish pritjet prej jashtëtokësori të Manuel Nojerit, të cilin të dielën nuk do ta kishin mposhtur, edhe sikur t’i gjuanin me predhë tanku.

LOJA ME ZONA “ALLA PEP GUARDIOLA”

Nëse është e vërtetë se presingu ultraofensiv është i rrezikshëm, është gjithashtu e vërtetë se ai që merr përsipër këtë ide taktike, e di se në të njëjtën kohë do të ketë edhe një avantazh, pra atë të kontrollit të zotërimit të topit. Çelësi i suksesit të Hansi Flikut në këtë sezon ishte ai i të dëgjuarit të ideve të grupit, të lojtarëve të tij.

Trekëndëshi Kimish-Tiago-Myler që luan pranë njëri-tjetrit me pasime

Trekëndëshi Kimish-Tiago-Myler që luan pranë njëri-tjetrit me pasime të shkurtra, për t’i shpëtuar mbulimit të lojtarëve të PSG-së.

Në mbledhjen e parë me skuadrën, trajneri i Bajernit u kërkoi një mendim të gjithëve, shumica e të cilëve kërkuan pikësëpari zerimin e ideve të Ançelotit e Kovaçit (të mbajturin sa më shumë aktiv topin në lëvizje) dhe rikthimin e variantit të lojës zonale, që e vuri në aksion Pep Guardiola, nga vera e famshme e vitit 2013.

Gjithsesi, loja me zonë nuk është zotërim hapësire për zotërimin e topit, por ndërtim i lojës nga portieri, kërkimi i linjave të hapësirës për të shmangur presingun dhe ndërrim pozicionesh nga lojtarët, për të çoroditur markimet e kundërshtarëve. Shkurt, diferencën e bëri mënyra se si të dyja skuadrat e qarkulluan topin, më shumë sesa lëvizjet pa top.

Në këtë sens është shumë interesante të konstatohet fakti se si dy rastet më të mira të PSG-së në pjesën e parë (pritja e Nojerit ndaj Nejmarit në minutën e 18-të dhe goditja e dobët e Mbapesë në minutën e 45-të, pranë pikës së penalltisë) lindën jo nga rreziqet e presingut ofensiv, apo nga fakti se mbrojtja bavareze qëndronte shumë pranë rrethit të mesfushës, por nga gabime në ndërtimin e lojës nga gjermanët.

Zotërimi i topit nga ana e Bajernit lidhej me besimin e verbër të Flikut në kombinimin e trekëndëshit, në korsinë e djathtë, të formuar nga Kimish-Tiago-Myler, ku ndërrimi i pozicioneve i shpeshtë mes këtyre tre futbollistëve manipuloi markimet e PSG-së, shumë herë më përpara rastit të golit të Komanit, që vendosi ndeshjen. Madje, skema ishte shumë e thjeshtë për t’u lexuar: në ndërtim, kur Kimish kishte diagonalen drejt qendrës së mbrojtur nga Mbape, duhej të bënte një pasim elementar në qendër drejt Tiagos, ndërsa Myleri duhej të futej në hapësirën e lënë bosh nga mesfushorët e PSG-së, që ngjiteshin për të bërë presing mbi organizatorin e Bajernit (Tiagon).

Shtytja përpara e manovrës sulmuese, sërish në trekëndëshin

Shtytja përpara e manovrës sulmuese, sërish në trekëndëshin Tiago-Kimish-Myler, këtë herë në vijë të drejtë diagonale, në pritje për të ndërruar pozicionet dhe kërkuar thellësinë.

Në këtë pikë, trekëndëshi bavarez hynte në aksion: Tiago shërbente Mylerin, me këtë të fundit që nuk rrezikonte, duke e mbështetur topin te Kimish, që ndërkohë i kishte shpëtuar presingut të Mbapesë, pas pasimit të topit. Në këtë pikë, Bajerni mund të ngjitej disa metra më tej, për të vënë në lëvizje sferën.

TIAGO-KIMISH-MYLER, SHKËMBIME POZICIONESH

Ky trekëndësh, i cili e ritheksojmë, ndërronte shpesh pozicionet me njëri-tjetrin çoi si për shembull në goditjen nga pranë me kokë të Levandovskit. Në këtë episod, Kimish dhe Myler kishin shkëmbyer vendet, me mbrojtësin e djathtë (Kimish) që pozicionohej në gjysmëhapësirën, ndërsa trekuartisti (Myler) duhej të merrte topin pranë vijës anësore. Por menjëherë më pas, ndërsa Myler provonte që të hynte drejt qendrës dhe thellësisë së zonës, Kimish rikthehej në korsinë e djathtë, duke paralizuar Bernatin, i cili nuk mund të mbronte dy lojtarë njëkohësisht dhe me Mbapenë që dilte nga rrezja e markimit, përpara se të vinte krosimi në kokën e Levandovskit.

Aksioni i përsëritur i golit nga ana e Bajernit, i cili herën e parë dështoi,

Aksioni i përsëritur i golit nga ana e Bajernit, i cili herën e parë dështoi, me Mylerin që krosonte në shtyllën e dytë për Komanin.

Dhe ky është një aksion identik me atë të momentit të golit të Komanit, ndonëse në atë rast ishte Myleri që vendosi kohën e pasimit dhe hapi hapësirën për krosimin e Kimishit. Më shkurtimisht: ideja e Flikut ishte ajo që lojtarët e tij të shkëmbenin pozicionet dhe pasime të shkurtra të shpejta në hyrje të zonës së PSG-së, për të kërkuar më pas krosimin në zonën e verbër të mbrojtjes franceze, atë shtyllën e dytë, që Kehrer e linte zbuluar, pasi Levandovski dhe Gnabri tërhiqnin në shtyllën e parë Kimpemben dhe Tiago Silvën.

Aksioni që solli golin e fitores për Bajernin, ndonëse herën e dytë që u

Aksioni që solli golin e fitores për Bajernin, ndonëse herën e dytë që u përsërit ishte Kimish që krosoi për Koman, ndërsa Myler kishte shpërthyer në qendër të zonës, pasi mbështeti për Kimishin topin.

Gjithsesi, ky koralitet dhe këto lëvizje kameleoni që Tiago, Kimish dhe Myler bënin shpesh gjatë ndeshjes, kishin një arkitekt të vetëm, duke qenë se topi i parë kalonte gjithmonë nga ai: Tiago Alkantara. Këtë e konfirmojnë saktësisht shifrat: 75 pasime kryesore, mes zonave të markimit të PSG-së; 2 pasime pas shpatullave të mbrojtjes rivale (njësoj me Mylerin, Herrerën e Mbapenë), 3 dyluftime të fituara, 2 aksione të ndërprera dhe 7 topa të rikuperuar. Por ajo që habit më shumë është fakti se pas ndeshjes së tij perfekte dhe liderit të finales së Ligës së Kampioneve, Bajerni dhe Tiago duhet ta përshëndesin njëri-tjetrin.

JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"