Shehi e kuptoi kurthin e Dajës, ndërrimet te Partizani ishin të vonuara

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 26, 2021 | 23:47

Shehi e kuptoi kurthin e Dajës, ndërrimet te Partizani ishin të vonuara

Nga LUAN PINARI
Tirana dhe Partizani e filluan ndeshjen me të njëjtin rreshtim: 5-3-2 në fazën mbrojtëse. Partizani tentoi disa herë në fillim që të kapte Tiranën të papërgatitur duke bërë presion me Muratajn te qendërmbrojtësi i Tiranës, ndërkohë që po të njëjtën gjë bënin edhe Zhunior me Filipoviçin. Ishte një tentativë që nuk pati efektin që pritej, sepse trajneri i Tiranës, Shehi, e kuptoi qëllimin e Dajës dhe spostoi Najdovskin më para, duke shërbyer si një pikë referimi për ta nxjerrë më lehtë topin nga zona. Kjo ishte lëvizja që bëri diferencën, sepse praktikisht Shehi ndryshoi edhe vendosjen në fushë.

TIRANA

Pas kësaj ishte Toli ai që po bënte presion të vazhdueshëm te Mala, të cilin jo vetëm që nuk e lejoi që të organizonte lojën e Partizanit, por përfitoi nga ai pozicionim që të ishte iniciatori i atij aksioni që solli më pas edhe 11-metërshin. Ajo që më ra në sy gjatë pjesës së parë, ishte fakti që lojtarët e Tiranës u treguan më të saktë dhe më të vendosur në dyluftime. Vepronin më mirë teknikisht. Totre në mesfushë arriti hera-herës që të tregonte klas dhe t’i jepte një tjetër dimension lojës së Tiranës, çka nuk e bëri dot asnjë nga mesfushorët e Partizanit. Shehi u kujdes gjithashtu që të mos i lejonte Partizanit lojën nga krahët. Shpeshherë të kuqtë janë të rrezikshëm nga krahët, por Tirana i kishte marrë masat mirë dhe pothuajse për asnjë moment Partizani nuk u tregua i rrezikshëm me lojën nga krahët.

PJESA DYTË – Tirana e nisi pjesën e dytë në sulm duke u përpjekur ta mbante larg Partizanin, por kjo zgjati vetëm 5 minuta. Bardheblutë kishin shpenzuar më tepër energji se Partizani në pjesën e parë dhe ishin të ndërgjegjshëm që nuk mund të përballonin një tjetër pjesë të dytë ashtu. Prandaj edhe nisën të luanin me fanatizëm në mbrojtje duke u përpjekur që të ulnin gjithnjë ritmin e lojës. E kishin përgatitur veten e tyre se do të luanin në atë mënyrë dhe luajtën mirë në mbrojtje. Për hir të së vërtetës, mendoj se ishte zgjidhja më e logjikshme, duke qenë se nuk e kishin më freskinë e duhur për të sulmuar në mënyrë konstante. Ndoshta zëvendësimi i Xhixhës me Limajn nuk solli efektin e duhur në fazën sulmuese, sepse Shehi i kishte kërkuar të kapte më tepër thellësinë, por gjithsesi në fazën mbrojtëse ai punoi mirë dhe mbuloi hapësira të rrezikshme.

Ngo sota

Nga ana tjetër, trajneri Daja bëri katër ndërrime kokë më kokë, por nuk mori atë që priste. Lojtarët që u aktivizuan nuk dhanë impaktin e duhur në ndeshje dhe nuk u përshtatën si duhet për ta ngritur lojën e Partizanit, ndërkohë që Tirana vazhdimisht po punonte që të ulte ritmin e ndeshjes. Mendoj se trajneri Daja mund të kishte ndërhyrë më shpejt me zëvendësimet. U pa qartë se Ngo nuk kishte më freski për të sulmuar dhe mbase një prej mbrojtësve mund të zëvendësohej më shpejt. E them këtë, sepse e pashë në vështirësi Tiranën sa herë që Sota dilte para dhe zhbalanconte ndjeshëm Tiranën. Kjo më bën të besoj se zëvendësimi më i shpejtë dhe largimi i një mbrojtësi më herët mund të kishte qenë një lëvizje e befasishme për Partizanin. Daja preferoi të ndërhynte pak më vonë.

 

Nga ana tjetër, edhe Shehi rrezikoi disi duke mbajtur gjatë Ngonë dhe Seferin, por i besoi eksperiencës së tyre. Seferi sakrifikoi shumë në fazën mbrojtëse dhe e ndihmoi shumë skuadrën, sidomos në të majtë ku u bë pengesa e parë për lojtarët e Partizanit. Në pjesën e dytë Tirana nuk i dhuroi asgjë Partizanit, sepse luajti mirë në fazën mbrojtëse, por edhe Partizani ka një të metë, që lojtarët e rëndësishëm i ka larg portës në momentet delikate. Zhunior vërtet nuk është qendërsulmuesi tipik, por mbase duhet lënë të luajë atje ku ndihet më mirë dhe të adaptohet një lojtar tjetër në majën e sulmit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"